Speciale/ Konferenca Kombëtare: “Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri”, Noti merr vlerësime të larta

129

-Ministrja Kushi: Është moment vrulli për sportin shqiptar

Sigal

 

-INTERVISTA/ Presidenti i FSHN-së tregon arritjet dhe synimet e punës drejtuese

Agim Çiraku: Në veprimtaritë ndërkombëtare do kapim normat

Dita e djeshme ishte e mbipopulluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve, brenda dhe jashtë tij. Sportistë dhe sportiste nga e gjithë Shqipëria morrën pjesë në Konferencën Kombëtare “Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri”. Të gjitha federatat sportive në Shqipëri, nëpërmjet monitorëve, stendave e botimeve të ndryshme, paraqitën arritjet e tyre në 10 vitet e fundit. Mes futbollit, volejbollit, peshëngritjes, mundjes, basketbollit e qitjes, ndodhej edhe pjesa e Federatës Shqiptare të Notit, e cila u vizitua edhe nga të gjithë autoritetet e kësaj veprimtarie. Një pjesë të rëndësishme në këtë konferencë zunë edhe fjalimet e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Presidentit të KOKSH-it, Fidel Ylli, Presidentit të Lojrave Ndërkombëtare Mesdhetare, Davide Ticiano, Presidentit të FSHF-së Armand Duka, si dhe e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj.

Ministrja Kushi: Është moment vrulli për sportin shqiptar

Nga Agron Kaja

“Është moment vrulli për sportin shqiptar dhe po ju deklaroj se do të ngrihen tre stadiume të reja, të cilët janë konceptuar në formën e komplekseve sportive, me ambiente plot jetë e gjallëri për të gjitha moshat”

Gjatë fjalimit të saj në Konferencën Kombëtare “Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, u ndal jo vetëm në arritje e tregues të zhvillimit të sporteve në Shqipëri, por edhe në ato momente ku sportet në vendin tonë nuk kanë ecur me ritmin e duhur. “Kjo Konferencë na ka bërë bashkë të gjithë aktorët e faktorët e sportit në vendin tonë, jo vetëm për të treguar arritjet tona në këtë periudhë 10-vjeçare, por për të thënë edhe si duhet që këto arritje t’i çojmë më përpara, duke patur parasysh që gjatë kësaj rruge të eliminojmë edhe ato mangësi që nuk kemi mundur t’i rregullojmë, në shërbim të rritjes së cilësisë në të gjitha sportet. Në gjithë këtë hapësirë, ne duhet të gjejmë mënyra të reja që ta bëjmë sportin më funksional”,- kështu e nisi fjalën e saj Zonja Kushi, e cila u ndal gjatë edhe në detaje të arritjeve, por edhe mangësive, duke treguar edhe synimet dhe prioritetet që ka qeveria shqiptare për sportin.- “Ne krenohemi me rezultatet e atletes Luiza Gega, me rezultatet e peshëngritësit Briken Calja, me rezultatet e mundjes dhe të gjitha sportistëve të tjerë. Finalja e Ligës së Konferencës në stadiumin tonë modern “AIR Albania” ishte një tjetër tregues ku sporti ynë meriton të krenohet, e këtu gjej rastin të them se nderimi me grada të larta i shtatë sportistëve elitarë, jo vetëm që këta personalitete i respekton, por edhe ne na bëjnë më krenarë për investimin e përbashkët”. Ndërkohë që Ministrja e Arsimit e Sportit u ndal edhe te projektet që ka qeveria shqiptare për të ardhmen, ku brenda këtij mandate ajo tha se do të ngrihen tre stadiume moderne multifunksionale. “Është moment vrrulli për sportin shqiptar dhe po ju deklaroj se do të ngrihen tre stadiume të reja, të cilët janë konceptuar në formën e komplekseve sportive, me ambiente plot jetë e gjallëri për të gjitha moshat. Rritja e numrit të klasave sportive në disa lloje sporti, si dhe shtimi në tre orë i mësimit të edukimit fizik në shkolla, këto do jenë disa nga synimet e sportit shqiptar hap pas hapi”, -kështu theksoi mes të tjerash Ministrja e Arsimit e Sportit, Evis Kushi.

INTERVISTA/ Presidenti i FSHN-së tregon arritjet dhe synimet e punës drejtuese

Agim Çiraku: Në veprimtaritë ndërkombëtare do kapim normat

Agron Kaja

 

“Në fakt, në hapësirën e viteve 2013-2023, në sportin e Notit kanë garuar 3750 sportistë në 22 ekipe, kanë punuar 34 trajnerë, janë angazhuar 28 instruktorë dhe 16 gjyqtarë. Shtrirja e ekipeve të notit nuk është vetëm në ata të traditës.”

                                                    

Dukeni si në emocione sot në këtë konferencë?

Patjetër që po, sepse e shoh që sot sporti i Notit ka hyrë në elitën e sporteve në vendin tonë. Të gjitha arritjet që ky sport ka patur në dhjetë vitet e fundit, na venë para përgjegjësisë për të qenë më këmbëngulës në të gjitha garat.

Ju keni një dekadë në krye të FSHN-it, sot ndjeheni i plotësuar me çka keni arritur?

Mund të them se ndjehem krenar për punën që kemi bërë ne si federatë, në organizimin dhe drejtimin e garave kombëtare. Ekipet, trajnerët dhe notarët i kanë dhënë sportit të notit këtë krenari, në eventet brenda e jashtë Shqipërisë.

Si është bërë shtrirja e ekipeve të notit në dhjetë vitet e fundit?

Në fakt, në hapësirën e viteve 2013-2023, në sportin e Notit kanë garuar 3750 sportistë në 22 ekipe, kanë punuar 34 trajnerë, janë angazhuar 28 instruktorë dhe 16 gjyqtarë. Shtrirja e ekipeve të notit nuk është vetëm në ata të traditës.

Në veprimtaritë që organizoni gjithmonë spikasin rekordet kombëtare, janë synimi parësor këto nga notarët?

Që të thyhen 30-50 rekorde kombëtare çdo vit në veprimtaritë, që kemi organizuar, natyrisht që këtu ka vend për t’i falenderuar të gjithë notarët e trajnerët. Rekordet gjithmonë synohen, por duke u përmirësuar hap pas hapi edhe në treguesit teknikë.

Cili ka qenë përfaqësimi i notarëve shqiptarë në veprimtaritë ndërkombëtare?

Në dekadën e fundit, notarët shqiptarë kanë qenë pjesëmarrës të denjë në 5 Olimpiada, në 10 Kampionate Botërorë, në 12 Kampionate Europiane dhe në 50 evente ndërkombëtare. Duke shtuar edhe çertifikimin ndërkombëtar të 11 trajnerëve dhe 8 gjyqtarëve, besoj se këto shifra flasin shumë.

Nisur nga këto arritje dhe angazhimet në këtë konferencë, çfarë synoni më shumë për vazhdimësinë?

Sporti i Notit do të konkurrojë më denjësisht në arenën ndërkombëtare. Synimi ynë është që në këto veprimtari notarët tanë të mos shkojnë vetëm me ftesa, por të jenë konkurrentë duke kapur normat e garave ku do të garojnë.

Si do të ndikojë federata në përsosjen e infrastrukturës në vitet në vazhdim?

Me mbështetjen e Bashkisë, do kemi disa pishina në Tiranë. Por ne si federatë do punojmë që në një afat kohor pesëvjeçar të ndërtojmë 4 pishina gjysmë olimpike dhe 2 pishina olimpike. Këto objektiva do na motivojnë më shumë në punën tonë.

Cili do të jetë angazhimi juaj si federatë për vitet në vazhdim?

Ka shumë për të thënë, por së pari do të thoja se ne do t’i bëjmë një përmirësim të ndjeshëm rezultateve kombëtare. Nga ana jonë si federatë do të ketë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim me ekipet dhe notarët.

Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli

 

“Si President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, dua të veçoj arritjet dhe sfidat që na presin në sportin shqiptar. Ka qenë një periudhë ku të gjithë jemi ndjerë krenarë për çka kemi arritur, e njëherësh na ka treguar se duhet të punojmë më shumë, që nga terrenet sportive e deri te moshat në çdo sport. Hapja e basteve sportive online, si formë e rëndësishme për mbështetjen financiare të sportit shqiptar dhe ngritja e KAS-it, mbeten arritje domethënëse në këtë periudhë”.

Presidenti i Lojrave Ndërkombëtare Mesdhetare, Davide Ticiano

“Unë e kam njohur Shqipërinë sportive nga larg, por sot duke parë e dëgjuar në këtë konferencë do të jepja komplimentet më të mira për të gjithë: sportistë-trajnerë-drejtuesa të sportit. Ky organizim sot tregon se në Shqipëri sporti ka jetë, tregon se ai është një mekanizëm i fuqishëm në zhvillimin e shoqërisë suaj. Shqipëria e dashuron sportin, e zhvillon atë me pasion, e këtu duket se mbetet që të keni një përmirësim të infrastrukturës dhe mbështetje financiare më të fuqishme”.

Armand Duka: Ne jemi shoqëri josportive

Në fjalën e tij gjatë Konferencës Kombëtare, Presidenti i FSHF-së Armand Duka u ndal në disa tregues dhe arritje të institucionit që drejton. “Sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kulturës sportive. Ne jemi një shoqëri jo sportive. Gjatë tranzicionit, edhe futbolli si sporti më i dashur i shqiptarëve, ka pasur zhvillime pozitive në të gjitha drejtimet dhe kompeticionet e organizuara nga FSHF-ja janë një histori e jashtëzakonshme transformimi. Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate rajonale për djem e vajza ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionistë, gjysmë profesionistë dhe amatorë”, ishin këto pjesë të fjalës së Presidentit të FSHF-së.

Arjan Fetishaj: Tirana, shkollë e notit

Trajneri veteran i notit në KSHS “Tirana”, Arjan Fetishaj, e konsideron si shkollë noti punën dhe arritjet e notarëve, kryesisht në 20 vitet e fundit. “Unë kam 18 vite që drejtoj ekipet e notit në Klubin Shumësportësh “Tirana”, dhe gjatë kësaj periudhe kam punuar me grupe notarësh që veç pasionit, kanë dhënë rezultate të mira në garat ku kanë marrë pjesë. Notarët e Tiranës janë përfaqësuar denjësisht në veprimtaritë kombëtare dhe në ato ndërkombëtare duke qenë realisht një shkollë në sportin e Notit në vendin tonë. Në vazhdimësi do ta zgjerojmë më shumë diapazonin e notit, nëpërmjet punës sonë të drejtuar nga 20 instruktorë”.

Eduart Cane: Te Stela ka mbi 200 rekorde

Për trajnerin Eduart Cane, në Akademinë e Notit “Te Stela” rezultatet vijnë me një bilanc pozitiv. Numri i rekordeve kombëtare të thyera nga notarët e të gjitha moshave i kanë kthyer në kampionë absolutë. “Notarët në Akademinë e Notit “Te Stela” kanë thyer mbi 200 rekorde kombëtare, nisur nga viti 2012. Në këtë Konferencë në vijmë me bilanc pozitiv, por asnjëherë të plotësuar për synimet dhe objektivat, që kemi pasur dhe kemi. Edhe gjatë viteve në vazhdim ne do të synojmë jo vetëm thyerjen e rekordeve kombëtare, por edhe përmirësimin e rezultateve në çdo garë. Natyrisht që në veprimtaritë ndërkombëtare do shkojmë me norma të kapura”.