Solskjaer : Mungesa e tifozëve në “Anfield” na avantazhon, duhet të japim maksimumin tonë

195
Sigal

Ole Gunar Solskjaer thotë se mungesa e tifozëve në “Anfield” i jep mundësinë skuadrës së Mançester Junajtidit për të prishur rekordin e pathyeshmërisë së Liverpulit në shtëpi. Por, trajneri i “Djajve” u bën presion rivalëve, duke thënë se Junajtid është skuadra ndjekëse dhe se favoritët janë kampionët e Anglisë, pavarësisht se Mançesteri vjen në përballjen e sotme +3 pikë nga “Reds”-at.

“Ne jemi ndjekësit. Ata kanë të drejtën, ata kanë trofeun. Ata janë kampionët, skuadra që të gjithë duan të mundin, mendoj se futbolli dhe rezultatet në përgjithësi kanë treguar se sa të rëndësishëm janë tifozët. Ne nuk kemi humbur në ‘Anfield’ që prej sezonit të shkuar në kampionat dhe mendoj se ka ndikuar shumë edhe fakti se tifozët nuk kanë qenë atje. Nuk është vetëm bari jeshil dhe disa viza të bardha. Nuk ka një avantazh skuadrash pritëse apo vizitore. Krahasuar me herët e tjera, tani kemi një avantazh”, – u shpreh Solskjaer në prononcimin para ndeshjes.

Skuadra e tij është në krye, duke i surprizuar të gjithë dhe nuk bën përjashtim as Solskjaer: “Ne e dimë që mund të mposhtim këdo në çdo fushë në një ditë të vetme, por kjo ndeshje do të jetë një test realiteti për të kuptuar se ku jemi. Kemi fituar shumë ndeshje të ngushta e kemi shënuar disa gola në kohën shtesë. Për të fituar në ‘Anfield’ duhet të jesh në ditën më të mirë”. Dhe në fund Solskjaer refuzoi të hynte në debat me trajnerin Klop për presionin që gjermani akuzohet se u bën arbitrave nga stoli: “Unë kam shumë respekt për të dhe nuk e kam parë diçka të tillë”.