Skuadra e Leicester rikthehet te fitorja, Walcott shmang humbjen e Evertonit

321
Sigal

Leicester u rikthye te fitorja dhe e bëri këtë përballë një kundërshtari aspak të lehtë si Sheffield United, ndaj të cilit triumfoi me rezultatin 2-0, në sfidën e zhvilluar në “King Power Stadium”.

“Dhelprat” dominuan takimin përballë Sheffieldit dhe arritën të zhbllokojnë sfidën në minutën e 29’ me anë të sulmuesit spanjoll Ayoze Perez, ndërsa 10 minuta para fundit ishte mesfushori Gray që dyfishoi shifrat dhe vulosi suksesin.

Me këtë fitore Leicester u ngjit në kuotën e 62 pikëve, 3 më tepër se Manchester United, që luan ndeshjen e tij këtë mbrëmje në transfertë ndaj Crystal Palace, megjithatë dy javë nga fundi i kampionatit, gara për një vend në Champions mbetet shumë e ashpër.

Aston Villa shpërdoroi një mundësi të artë për të provuar mbijetesën në Premier League, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertën e “Goodison Park” përballë Evertonit.

Miqtë shënuan me Konsa në minutën e 72-të, por ishte Theo Walcott që barazoi rezultatin tre minuta para fundit dhe shmangu humbjen për skuadrën e Ancelottit.

Me dy javë nga fundi i kampionatit, Aston Villa është momentalisht 3 pikë lart zonës së mbijetesës dhe ka nevojë për një mrekulli që të mund të mbetet mes më të mirëve të kampionatit anglez edhe sezonin e ardhshëm.