Skënderbeu i hap portën Teutës, Partizani i bën “gropën” Vllaznisë

545
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ U luajtën dje të gjitha ndeshjet e javës së 34-t, humbasin shkodranët, matematika i mban në shpresën e mbijetesës
Nëse Vllaznia zbret në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm 2018-2019, do të jetë hera e parë në historinë e saj 99 vjeçare me 8 Tituj Kampionë, duke ndjekur kështu edhe skuadra të tjera që kanë provuar këtë kategori ndër vite, si Partizani, Dinamo, Tirana dhe Elbasani, pa harruar edhe disa skuadra të tjera. Ndryshe, Teuta dhe Kamza fitojnë “betejat” e mbijetesës, duke u larguar 5 pikë nga skuadra shkodrane, por që matematikisht janë ende në vallen e mbijetesës. Kjo ishte përmbledhja e kësaj jave të 34-t, ku në pesë ndeshjet e luajtura, u regjistruan rezultate interesante, pas asnjë surprizë. Partizani mposhti Vllazninë me rezultatin 2-0, duke e zhytur drejt rënies nga kategoria. Skënderbeu i hapi portën Teutës dhe i dha tri pikë, Kamza fitoi me djersë ndaj Flamurtarit, ndërsa dueli i Evropës, mes Kukësit dhe Luftëtarit përfundoi me rezultatin 2-2. Më e lehtë ishte sfida në Laç, në të cilën kurbinasit fituan lehtësisht ndaj Lushnjes 3-1.

PARTIZANI-VLLAZNIA 2-0
Të kuqtë marrin tri pikë për Evropë, Gjoka dorëhiqet nga Vllaznia
Partizani ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Vllaznisë në ditën e djeshme, në takimin e vlefshëm për javën e 34-të të Kategorisë Superiore. Kjo mund të quhej ndryshe edhe si ndeshja e kontrasteve, pasi nga njëra anë të kuqtë kërkonin Evropën, ndërsa shkodranët luftonin për mbijetesën. Nga ana tjetër Vllaznia ka marrë një humbje që e afron më tepër me Kategorinë e Parë, teksa gjendet 5 pikë larg ndjekësit më të afërt. Pas humbjes, trajneri Ernest Gjoka ka deklaruar dorëheqjen.

KAMZA-FLAMURTARI 1-0
Sebino Plaku mban Kamzën në “këmbë”, Bifsha e quan dështim sezonin
Në minutën e 63-të të ndeshjes Kamza-Flamurtari, sulmuesi kamzali Sebino Plaku bëhet protagonist i dyfishtë. Pasi shënon golin e avantazhit në minutën e 63-të, për festimin e tij ndëshkohet me karton të verdhë. Ka qenë një super gol i tij në këtë sfidë, i cili largon Kamzën nga zona e mbijetesës, ndërsa për trajnerin e Flamurtarit, Petraq Bifsha, kjo humbje duket si një “lamtumirë” zonës së Evropës në renditje, edhe pse janë dy javë për t’u luajtur.

SKËNDERBEU-TEUTA 1-3
Begeja “çuditet” me rezultatin, Daja hodhi në fushë disa të rinj
Pas fitores së djeshme në transfertën e Korçës, trajneri i Teutës, Gentjan Begeja, deklaroi se diferencën në fushën e lojës përballë Skënderbeut e bëri fakti, se luhej kundër lojtarëve me pak minuta me këmbë, dhe se skuadra e drejtuar prej tij kishte motivim më të madh. Ai u “çudit” nga rezultati, sepse nuk e priste që ekipi i tij të shënonte tre gola ndaj korçarëve. Një fitore kjo që thuajse e largon nga ethet e mbijetesës, ndërsa Skënderbeu promovoi disa lojtarë të rinj.

KUKËSI-LUFTËTARI 2-2
Në “Zeqir Ymeri” bëhet “pakt” për Evropën, Luftëtari tregon kualitet
Kukësi nuk shkon më shumë se barazimi në fushën e tij përballë Luftëtarit, por kjo pikë i mjafton për të siguruar matematikisht vendin e dytë. Pika i shërben edhe Luftëtarit për të ruajtur pozitat në vend të tretë, kur kanë mbetur edhe dy javë kampionat. Për Kukësin shënoi dy herë gjeorgjiani Dzaria, kurse për Luftëtarin, në pjesën e dytë shënuan Lamçja dhe braziliani Xhekson. Të dyja skuadrat shkojnë të qeta drejt Evropës, pasi ndajnë vendin e 2-të e të 3-të.

LAÇI-LUSHNJA 3-1
Kurbinasit të pa “ngopur”, duan Evropën edhe nga renditja e kampionatit
Në ndeshjet e djeshme Laçi-Lushnja, nuk kishte ndonjë shenjë surprize, pasi Lushnja e ka siguruar zbritjen në Kategorinë e Parë, dhe loja e saj ka javë që zhvillohet për publik e në respekt të garës. Ndërsa Laçi kishte synim ndryshe, pasi kërkon që të kalojë Partizanin, për të qenë në vendin e katërt në renditje, me idenë e dënimit nga Evropa të Skënderbeut, edhe pse me skuadrën korçare është finaliste e Kupës së Shqipërisë, më 27 maj 2017. 
Dorëheqja e radhës, Gjoka trajneri i 15-të që largohet
Në çdo betejë, njëherësh edhe në ato sportive, kapiteni është i fundit që braktis anijen. Por dje për Ernest Gjokën nuk ka ndodhur kështu. Sepse ish-trajneri i kuqebluve vendosi që të largohet nga drejtimi i skuadrës pas humbjes së djeshme ndaj Partizanit, ku rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Parë thuajse është e dekretuar. Vendimi i Gjokës është i pakthyeshëm, pasi ai nuk e ka parë të arsyeshme të kthehet në Shkodër, për t’u gjykuar nga opinioni vendas, për të cilin rënia nga kategoria është një turp i madh që i ndodh kësaj skuadre, e cila në muajin shkurt 2019 feston 100-vjetorin e krijimit të saj.
TRAJNERËT E SUPERIORES, SEZONI 2017-2018
Skuadrat Trajner Të larguar Nr.
1. Skënderbeu Ilir Daja – 1
2. Kukësi Peter Pakult M. Milinkoviç 2
3. Partizani Klevis Dalipi M.Iuliano, S.Starova 3
4. Luftëtari Hasan Lika D. Fernandez 2
5. Laçi Gent. Mezani Stavri Nica 2
6. Flamurtari P. Bifsha A. Behari-Sh. Duro 3
7. Kamza Jul. Ahmataj R. Ndreu 2
8. Teuta Gent Begeja S. Nica, G. Magani 3
9. Vllaznia ? E. Gjoka-A. Cungu 2
10. Lushnja Ilir Gjyla A. Bano, H. Dedja, D. Çuko 4
Në total: Në 34 javë, në 10 skuadra janë larguar 15 trajnerë 
Rezultatet-Java e 34-t
Dje, 13 maj 2018
Laçi-Lushnja 3-1
Shënues: Shtubina 38’, 
Rexhinaldo 76’, 78’/ 
Mone 82’
Skënderbeu-Teuta 1-3
Shënues: Soue 89’/Shkalla 43’, 
Çyrbja 57’, Latif 66’
Kukësi-Luftëtari 2-2
Shënues: Dzaria 13’, 37’/
Lamçja 54’, Xhekson 77’
Partizani-Vllaznia 2-0
Shënues: Asani 31’, Progni 64’
Kamza-Flamurtari 1-0
Shënues: Plaku 63’

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 34 72
2. Kukësi 34 62
3. Luftëtari 34 53
4. Laçi 34 50
5. Partizani 34 50
6. Flamurtari 34 45
7. Kamza 34 43
8. Teuta 34 43
9. Vllaznia 34 38
10. Lushnja 34 11
PARASHIKIMI I GAZETËS “TELEGRAF”
Java e 35-të/ 19 maj 2018
NDESHJET 1 X 2
Kamza-Laçi 80% 20% 0% 
Flamurtari-Partizani 50% 0% 50% 
Vllaznia-Kukësi 75% 20% 5% 
Luftëtari-Skënderbeu 80% 20% 0% 
Teuta-Lushnja 100% 0% 0%
Sigal