Skënder Gega: “Ndeshje e bukur, na ndëshkoi arbitri”

576
Sigal

Trajneri i Kombëtares U-21 flet për “Telegraf” pas sfidës me Italinë: “De Biazi e pëlqeu shumë lojën”

Skënder Gega, trajneri i Kombëtares U-21, tha për gazetën “Telegraf” se, mori sinjale shumë pozitive nga skuadra e tij e re në ballafaqimin me Italinë, të përbërë nga lojtarë të Serisë B. Shpresat humbën me një penallti të dyshimtë, të akorduar nga gjyqtari italian në minutën e 83-të. “Edhe pse humbëm me një rezultat minimal, dua ta theksoj se, bëmë një ndeshje me të vërtetë të mirë dhe tepër pozitive në shumë aspekte. Në pjesën e dytë ishim shumë më kërkues dhe ishim disa herë pranë golit, pavarësisht se nuk ia dolëm të shënonim. Elezaj bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, duke u mohuar disa gola thuajse të sigurt italianëve. Penalltia e dhënë nga arbitri italian ishte shumë e dyshimtë, dhe për mendimin tim ajo nuk duhet të jepej”, – tha Gega gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”. I pranishëm në ndeshjen miqësore ndaj Italisë ishin edhe trajneri i Kombëtares A, Xhani De Biazi dhe ndihmësi i tij, Paolo Tramezani. “De Biazi tha fjalë shumë të mira, duke theksuar se i pëlqeu mënyra sesi luajti ekipi ynë”. Ndeshja me Italinë B shërbeu si një test i mirë, përpara eliminatoreve të ardhshme të Kampionatit Europian për Shpresat.

 – Zoti Gega, Kombëtarja U-21 zhvilloi të martën një test me Italinë B në Karpi, të humbur 1-0 me një penallti në minutën e 83-të. Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës?

– Edhe pse humbëm me një rezultat minimal, dua ta theksoj se, bëmë një ndeshje me të vërtetë të mirë dhe tepër pozitive në shumë aspekte. Pata në dispozicion shumë lojtarë të rinj, por me megjithatë luajtëm si të barabartë me kundërshtarin, madje në shumë faza të lojës ishim dominues. Kronika e lojës paraqet një ndeshje të ekuilibruar, me raste nga të dyja ekipet. Në pjesën e dytë ishim shumë më kërkues dhe ishim disa herë pranë golit, pavarësisht se nuk ia dolëm të shënonim. Patëm dy raste të mira në pjesën e parë, dhe po aq në të dytën.

– Luajtët me një formacion krejt të ri, ndryshe nga ai që mbyllët eliminatoret e Kampionatit Europian U-21, me atë fitore të bukur në Austri (3-0). A ka filluar reformimi i ekipit?

– Po, është e vërtetë. Përveç Armir Rrahmanit (Partizani) dhe Vedat Murriqit (Besa), për të gjithë të tjerët kjo ishte hera e parë që luanin me Shpresat. Në fakt, edhe pse i kishim thirrur emra të tillë si Elseid Hysaj (Empoli), Thoma Strakosha (Lacio), Klodian Gino (Apofostiras), Bruno Lulaj (Panionos), Aldo Teqja (Anorthosis) dhe Tom Syku (Udineze) nuk u lejuan nga klubet e tyre të vinin. Gjithsesi, arrita të aktivizoj 17 lojtarë dhe ndryshova disa herë modulin e lojës.

– Sa i kënaqur jeni nga paraqitje e lojtarëve?

– Si ndeshje e parë miqësore me këtë grup të ri lojtarësh, jam shumë i kënaqur. Do të kemi edhe ndeshje të tjera. Deri në fillim të sezonit të ri do të lobojmë për lojtarë të tjerë në të gjithë trevat shqiptare. Jam i bindur se, do të ndërtojmë një ekip të fortë.

– Portieri Elezaj, sipas komenteve ishte një nga më të mirët në fushë. Sa e justifikoi ai besimin tuaj?

– Entonio Elezaj është një nga portierët me perspektivë të madhe. Ai luan me të rinjtë e Juventusit dhe vetëm këtë fakt po të marrësh duhet të besosh shumë tek ai. Elezaj bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, duke u mohuar disa gola thuajse të sigurt italianëve. Në rastin e penalltisë ishte i pafat, pasi e kuptoi shumë mirë krahun.

– Ka pasur shumë debate në mediat italiane në lidhje me penalltinë e akorduar dhjetë minuta nga fundi i ndeshjes. Cili është mendimi juaj?

– Po, është e vërtetë që penalltia e dhënë nga arbitri italian ishte shumë e dyshimtë, dhe për mendimin tim ajo nuk duhet të jepej, për vetë rrethanat në të cilat u zhvillua rasti i penalltisë së dhënë.

– I pranishëm në ndeshjen miqësore ndaj Italisë ishin edhe trajneri i Kombëtares A, Xhani De Biazi. Cili ishte opinioni i tij për paraqitjen e Shpresave?

– Në fakt, përveç De Biazit në bankinën tonë ishte edhe ndihmësi i tij, Paolo Tramezani. De Biazi tha fjalë shumë të mira, duke theksuar se i pëlqeu mënyra sesi luajti ekipi ynë.

– Luajtët ndaj Italisë B, çfarë ekipi ishte ai?

– Në të vërtetë, kundërshtari u paraqit me emra të njohur në futbollin italian, pra me lojtarë të Serisë B dhe shumë më të mëdhenj se lojtarët tanë. Në një kronikë televizive të publikuar nga mediat italiane, kritikohej shumë paraqitja e lojtarëve të tyre, duke theksuar faktin se luajtën me një skuadër si Shqipëria, e cila ishte grumbulluar vetëm një ditë më parë, dhe që arriti të luante mirë dhe të mbrohej mirë.

 NDESHJA

 Shqipëria U-21 e Skënder Gegës rezistoi 83 minuta përballë Italisë B të asaj moshe, kur një penallti e transformuar në gol nga mesfushori Buzelo, i siguroi një fitore minimale 1-0 italianëve të drejtuar nga Xhixhi Di Biaxho. Miqësorja u luajt në Karpi të Italisë dhe u ndoq nga rreth 800 shikues, midis tyre dhe shumë shqiptarë me banim në vendin fqinj. Shqipëria luajti me këtë formacion: Elezaj; Muskaj, Rahmani (kapiten), Lulaj, Hoxallari; Qose, Hyseni (64′ Murati); Beqaj (37′ Ahmetaj), Ymeraj (52′ Rezi), Gavazaj, Murriqi (63′ Ademi).

 Më i miri

 Portieri shqiptar Entonio Elezaj, i cili luan me Juventusin, ishte dhe lojtari më i mirë në fushë. Ai  u tregua i gatshëm në gjuajtjet e Politanos, De Vitisit, Faragos, Davide Gatos dhe Buzelatos. Elezaj u mposht vetëm nga penalltia e dyshimtë e shndërruar në gol nga Buzelato.

 Kukësi, me mendjen te finalja e Kupës

 Kukësi nuk do të jetë në aksion në javën e fundit të Kategorisë Superiore, pasi kalendari i ofron ndeshjen me Bylisin, takim që e fiton në tavolinë 3-0 dhe konfirmon për të dytin vit radhazi nënkampion i vendit. E gjithë vëmendja e kuksianëve është te Kupa. Portieri Argent Halilaj, një nga heronjtë e kalimit të tre tureve të Kukësit në Ligën e Europës, e konsideron një sukses vendin e dytë, pasi sipas tij skuadra u penalizua disa herë gjatë ecurisë së sezonit. “Na penalizuan ulje-ngritjet e shpeshta gjatë sezonit. Gjithashtu edhe dëmtimet e shumta apo ndërrimet e shpeshta të trajnerëve”. Për të mbyllur sezonin janë edhe 90 minutat e finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Një mundësi për Kukësin që të pasurojë akoma më tej historinë e saj të re. “Shpresojmë të fitojmë. Kemi bërë dy sezone të mira. Kërkojmë një trofe dhe do të bëjmë çmos që kupa të shkojë në Kukës.” Në finale Halilaj do të përballet me të shkuarën e tij, skuadrën e qytetit të tij, tek e cila edhe është formuar si futbollist. Nostalgjia mënjanë, pasi 32-vjeçari kërkon ta bëjë për vete trofeun. “Së pari shpresoj që Flamurtari të qëndrojë në superiore. Si vlonjat ndjej sadisfaksion, por shpresoj që ta fitoj Kupën me fanellën e Kukësit”. Për Kukësin kjo ishte hera e parë që mbërrin në finalet e Kupës së Shqipërisë dhe ai konsiderohet favorit në raport me Flamurtarin. Finalja do të luhet, më 17 maj.

 Sukaj: “Te Vllaznia nëse rikthehet Fushaj”

 Xhevahir Sukaj jep sinjale të forta se mund të rikthehet në qytetin e tij të lindjes jo për vizitë por për të luajtur sërish futboll në “Loro Boriçi”. Sulmuesi shkodran pranoi hapur se do ta konkretizonte rikthimin e tij te Vllaznia, por me një kusht, atë të rikthimit edhe të Valter Fushajt në krye të klubit. Sukaj e dashuron Vllazninë dhe është gati të bëjë disa sakrifica e nga ana tjetër Fushaj prej kohësh kërkonte të rikthehej në krye të klubit por nuk arriti ta bënte këtë sezon, ndaj dhe këtë verë gjërat mund të përmirësohen dhe të dy, Sukaj e Fushaj mund të rimarrin vendet e tyre në skuadrën shkodrane.

 Tirana, pritet rikthimi i Bulkut dhe Hidit

 Veterani Erion Sina do t’i japë lamtumirë futbollit të luajtur, pas një karrierë tepër të gjatë me Tiranën. Por, nëse një ikonë largohet nga 24 herë kampionët, dy të tillë priten të vijnë në klubin bardheblu. Ervin Bulku dhe Isli Hidi, dy ish lojtarë të shkollës së Tironës, mund të rikthehen në shtëpi dhe sezonin e ardhshëm mund t’i shikojmë me fanellën bardheblu. Mesfushori 33-vjeçar Bulku është në fund të kontratës me Sepahan në Iran dhe po mendon seriozisht rikthimin me ekipin 24-herë kampion e madje po negocion me drejtuesit e klubit. E njëjta situatë paraqitet edhe për 33-vjeçarin tjetër Isli Hidi, në fund të kontratës me Apollon dhe për të cilin klubi mendon ta rikthejë duke i besuar vendin e titullarit në portën e Tiranës.