Lushnja, ndeshje e Europës për Partizanin

494
Sigal

Të kuqtë po përgatiten nën drejtimin e trajnerit të ri, Genc Tomori. Largohet Migen Memelli

Partizani po përgatitet seriozisht për ballafaqimin me sukses kundër Lushnjës, e cila rezulton edhe përballja e fundit e këtij sezoni futbollistik, duke shpresuar në hapat fals të dy rivalëve për një vend në Europë: Laçit ndaj Skënderbeut në Korçë dhe Teutës ndaj Vllaznisë në Shkodër. Dje, ekipi zhvilloi seancën stërvitore në kompleksin sportiv “Olimpik” të Yrshek. Nën drejtimin e trajnerit Genc Tomori dhe stafit teknik,grupi jo i plotë i lojtarëve i është nënshtruar programit të përcaktuar stërvitor. Si pasojë e një gjendjeje të lehtë gripale me ekipin nuk janë përgatitur portierët Alban Hoxha dhe Sulejman Hoxha si dhe mbrojtësi Gëzim Krasniqi që vazhdon të ndjejë shqetësime muskulare. Në stërvitjen e djeshme munguan edhe mbrojtësit Amir Rrahmani e MevlanMurati për shkak të impenjimit me ekipin përfaqësues Shpresa . Mungesë edhe për  mesfushorin  Oshobe Oladele i cili do ti bashkohet sot ekipit përfaqësues të Benin për dy ndeshjet e “play of” të kompeticionit të kupës së kombeve të Afrikës që kjo përfaqësuese do të zhvillojë ndaj rivalëve të  Sao Tome e Principe në datat 17 dhe 31 të këtij muaji. Përgatitjet për sfidën e radhës do të vijojnë nesër po në të njëjtën orë në kompleksin sportiv të “Olimpik”. Ndaj Lushnjës të padisponueshëm konfirmohen mesfushori Behar Maliqi si pasojë e skualifikimit me kartonë të verdhe dhe Rigers Dushku i dëmtuar. Partizani do të ketë ndaj Lushnjës edhe mungesën e Migen Memelit, i cili tashmë nuk është më pjesë e të kuqve. Shpërdorimi i 11-metërshit në ndeshjen me Skënderbeun fundjavën e kaluar i kushtoi të ardhmen te Partizani. Lojtari që debutoi me dy gola ndaj Lushnjës për klubin kryeqytetas ka arritur në finish në marrëdhënien e tij me shoqërinë. Memelli, u afrua te Partizani gjatë merkatos së dimrit dhe deri në këto momente me të kuqtë kishte bërë mirë duke qenë madje realizues i golave të rëndësishëm. Por 11-metërshi i shpërdoruar me Skënderbeun, që i kushtoi skuadrës së tij ndoshta dhe pjesëmarrjen në Europë edicionin e ardhshëm kanë shtyrë drejtuesit të mos i rinovojnë kontratën futbollistit. Në luftën për një apo dhe dy biletat e fundit në Ligën e Europës – kjo në varësi të përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë midis Kukësit dhe Flamurtarit, janë tre skuadra: Laçi (vendi i tretë, 51 pikë), Teuta (vendi i katërt, 51 pikë) dhe Partizani (vendi i pestë, 50 pikë). Me renditjen aktuale, pra nëse Kupën e fiton Kukësi në Europë kalojnë Laçi e Teuta. Në rast se, Kupën e fiton Flamurtari në Europë shkon vetëm vendi i tretë, pra Laçi, ndërsa digjen Teuta e Partizani. Në javën e fundit, Partizani luan kundër Lushnjës së rënë nga Kategoria; Laçi në Korçë kundër Skënderbeut (kampion i zyrtarizuar), ndërsa Teuta do të luajë në Shkodër kundër Vllaznisë, me shkodranët që ende nuk e kanë zyrtarizuar qëndrimin në Superligë. Partizani duhet të fitojë, që të shkojnë në Europë, kjo e shoqëruar edhe me humbjen apo barazimin e dy skuadrave rivale. Gjithsesi, një përfundim i qartë do të dalë pas finales së Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 17 maj.

 Starova, arkitekti i ri!

 Për herë të fundit Partizani e ka fituar titullin kampion në sezonin 1992-1993 dhe trajner i të kuqve asokohe ishte Sulejman Starova. Ka kohë që flitet se drejtuesit e kuq kanë piketuar rikthimin e trajnerit të fundit kampion, i cili aktualisht drejton Kukësin. Burime të ndryshme bëjnë me dije se Sulejman Starova do të jetë arkitekti i Partizanit të sezonit të ardhshëm. Gjasat janë që ish-trajneri të kthehet në rolin e drejtorit teknik, si dhe të jetë personi që do të merret me merkaton dhe ndërtimin e skuadrës së edicionit të ri. Pra, edhe trajneri i ri që pritet të emërohet te Partizani do të ketë pëlqimin e Sulejman Starovës. Aktualisht Starova është impenjuar totalisht me verilindorët, ku më 17 maj kërkon që t’i japë Kukësit edhe trofeun e parë, Kupën e Shqipërisë.

 KATEGORIA SUPERIORE

JAVA E 33-të (10 MAJ)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Bylisi-Kukësi (0-3)

RENDITJA

1 Skënderbeu      32   +21 61

2 Kukësi             32   +9   54

3 Laçi           32   +12 51

4 Teuta         32   +9   51

5 Partizani    32   +5   50

6 Tirana       32   +2   47

7 Vllaznia           32   +8   45

8 Flamurtari 32   +3   45

9 Besa          32   +5   42

10 Kastrioti  32   -18  29

11 Lushnja          32   -25  26

12 Bylis       32   -31  24