Shqipëria merr fitoren e parë në histori ndaj Francës, shënon Kaçe

504
Një perlë e Ergys Kaçes në minutat e fundit të pjesës së parë i dha fitoren Shqipërisë 1-0 dhe një leksion francezëve nga një kombëtare e vogël që po i habit të gjithë me paraqitjet në eliminatoret e “Euro 2016”. 
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian i natyralizuar tashmë si shqiptar arritën një fitore historike, pasi mundën për herë të parë Francën në histori, pas 4 humbjeve dhe një barazimi të siguruar nëntorin e kaluar në Rene.
Në sfidën e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’ Shqipëria zbriti në fushë e motivuar, jo vetëm për faktin që përballë kishte një emër të madh, por edhe për elozhet e trajnerit Deshamp para ndeshjes, që rezultuan të vërteta.
Për t’u kthyer te ndeshja miqësore, Shqipëria e nis mjaft mirë duke rrezikuar disa herë me Lenjanin, Roshindhe Cikalleshin, por portieri francez, njëkohësisht edhe kapiteni i “Gjelave” Lors ishte në lartësinë e duhur duke shmangur gola të sigurt.
Në pjesën e parë i vetmi rast i miqve për t’u theksuar ishte goditja e sulmuesit të Arsenalit Giroud me kokë, por që Berisha e priti pa vështirësi. Në minutën e 43’ Shqipëria fiton të drejtën e një gjuajtje të lirë pranë zonës, e cila ekzekutohet me mjeshtëri nga Ergys Kaçe, që nuk zhgënjen duke dërguar sferën në pikën më të largët të portës duke ia bërë të pamundur devijimin portierit Loris, që nuk i mbetet gjë tjetër veçse të nxjerrë topin nga rrjeta.
Goli ngre në peshë stadiumin, ndërsa lojtarët futen në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë ishte akoma më e mirë për kuqezinjtë edhe pas lëvizjeve të teknikut për të provuar shumë lojtarë të rinj dhe faktit që kishte shumë mungesa në mbrojtje dhe mesfushë.
Deshamp në pjesën e dytë vendos të fusë në fushë Pogbanë për ndryshuar lojën dhe barazuar, por rastin më të mirë për të shënuar e krijoi Valbuena me një gjuajtje të lirë që u grushtua nga Berisha, ndërsa Pogba vlera e të cilit shkon në disa miliona Euro nuk do të mbetet në memorie për këtë ndeshje, kjo falë edhe paraqitjes mjaft të mirë të Shqipërisë, e cila është një sinjal i mirë për ndeshjet e shtatorit. 
Golashënuesi më i mirë i kombëtares së Shqipërisë, Erion Bogdani me 18 gola në 78 ndeshje, në periudhën 1996–2013 i ka thënë zyrtarisht lamtumirë kombëtares. 
Deklaratat e protagonistëve pas ndeshjes
De Biasi paralajmëron Dukën për kontratën 
“Zhvilluam një ndeshje të mirë, ndaj një kundërshtari që luajti në ritme të ulëta. Besoj që lojtarët dhanë gjithçka prisja në fushë.
Jam i lumtur për lojtarët e rinj dhe rikthimin e Bashës. Sonte shpresoj që Danimarka të barazojë me Serbinë, pasi do të ndihmonte Shqipërinë.
Kjo ndeshje nuk vlen për kualifikueset, shpresoj që të vazhdojmë kështu në ndeshjet e mbetura për të siguruar pjesëmarrjen” deklaroi ai.
E ndërsa vëmendjen e mori fitorja ndaj Francës, Presidentit të FSHF, Duka i ka shkuar sinjali nga trajneri De Biasi përsa i përket rinovimit të kontratës.
Pak ditë më parë De Biasi deklaroi se ishte gati që të rinovonte, por Duka u shpreh se për një gjë të tillë duhet pritur shtatori, pasi atëherë janë ndeshjet vendimtare që vendosin kualifikimin, por tekniku pas ndeshjes me Francën iu përgjigj në distancë se tani është momenti dhe se një gjë e tillë nuk duhet humbur duke e paralajmëruar se nëse nuk ndodh një gjë e tillë nuk përjashtohet edhe një largim pas eliminatoreve. 
Cana: Jo, rastësi
Pas ndeshjes ka komentuar ndeshjen edhe kapiteni kuqezi Lorik Cana duke folur me superlativa për lojën dhe rezultatin edhe pse ishte ndeshje miqësore.
“Do ishte fantastike po të kishte dhe vlerën e tre pikëve ndeshja me Francën. Kemi dëshirë që rruga që kemi nisur të përfundojë në Francë.
Duhet përqendrim dhe qetësi për të marrë maksimumin në cdo ndeshje. Një fitore ndaj Francës nuk është e rastësishme, frytet e një pune që kemi nisur disa vite më parë për këtë vend dhe këtë popull.
Po bëjmë popullin që të krenohet me këtë ekip. Forca jonë është grupi dhe dëshira. Nuk do ta ndërroja Shqipërinë as me Francën, gjithmonë kam ëndërruar fanellën kuqezi.
Kur luan për Shqipërinë cdo ndeshje është zyrtare. Shpresoj që të fitojë edhe Danimarka ndaj Serbisë sonte” deklaroi ai.
Kaçe: I lumtur për golin
I gëzuar për golin ka qenë edhe autori i fitores ndaj Francës, Ergys Kaçe. “Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë i lumtur jam për fitoren, pasi është dy muaj para ndeshjes me Danimarkë.
Ishte një fitore e madhe, pasi është e para në histori ndaj Francës, ekipi ishte në gjendje shumë të mirë, prandaj e fituam ndeshjen”tha ai.
Etrit Berisha: E merituar
“Nuk kemi kualitetet që ka Franca, por grupi ishte vendimtar duke bërë diferencën në fushë. Shpresoj që të vazhdojmë me paraqitjen e mirë që po bëjmë.
Ajeti me Alinjin bënë një paraqitje të mirë duke krijuar siguri para zonës” deklaroi portieri i kuqezinjve Berisha.
Rama: Respekt kuqezinjve
Fitoren e kuqezinjve e ka komentuar edhe kryeministri Rama duke i përgëzuar përmes një statusi në Facebook. Edhe pse ishte një fitore në një ndeshje miqësore, Rama shkruan se fitorja është fitore.
“Respekt kuqezinjve miqësore miqësore po Franca është Franca dhe fitorja është fitore:-) ‪#‎ForcaShqipëria me e mira është ende përpara!” shkruan kreu i qeverisë shqiptare.
Lenjani: Prisja më shumë
“Jam i lumtur për fitoren, nuk e prisja ndërrimin e trajnerit, pasi prisja që të luaja më shumë minuta në fushë. Megjithatë ajo që ka më shumë rëndësi është fitorja”deklaroi Lenjani. 
Minuatat Shqipëri-Francë 1-0
89’ Rast i mirë për Francën për të barazuar. Valbuena kroson bukur në zonë, Pogba godet me kokë, por Berisha i thotë përsëri “Jo” duke zotëruar topin. 
83’ Nga i njëjti pozicion provon Pogba, por topin përfundon shumim metara mbi tranversë.
75′ Valbuena ekzekuton mjeshtërisht një gjuajtje të lirë pranë zonës së rreptësisë, por Berisha bën mrekullinë duke devijuar topin dhe shpëtuar Shqipërinë nga një gol i sigurt.
69’ Ndërpritet loja për pak sekonda për t’u freskuar lojtarët e dy ekipeve, pasi temperaturat janë shumë të larta në Elbasan.
67’ Franca tenton që të gjejë hapësirë për të rrezikuar me Pogba dhe pjesën tjetër të yjeve, Valbuena godet nga një distancë e largët, por Berisha është në kohën dhe vendin e duhur duke neutralizuar gjithçka.
66’ Në hyrje të zonës, Cikalleshi gjen hapësirë dhe pason për Sadikun, i cili shmang një mbrojtës dhe godet fuqishëm, por topi devijohet. 
63’ De Biasi kryen një tjetër ndërrim, largon Roshin duke futur në fushë Armando Sadikun, sulmuesi vjen pas një paraqitje të mirë në kampionatin zviceran ndeshjet e fundit të kampionatit.
62’ Përsëri Rama nga e majta hedh një top në zonë, por që largohet nga mbrojtësit miq.
59′ Valdet Rama pak sekonda pas futjes në fushë merr një pasim brenda zonës dhe provon me të majtën por goditja e tij përfundon
56’ Shqipëria kryen edhe zëvendësimin e dytë duke larguar Lenjanin për Valdet Ramën. Lenjani nuk e priti mirë ndërrimin, pasi synonte të linte gjurmë në këtë miqësore.
47’ Lenjani godet në hyrje të zonës pas një inkursioni të shpejta nga e majta, pa rrezik për portierin Loris.
45’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes miqësore në Elbasan. Shqipëria e nis aty ku e la në pjesën e parë duke u mbrojtur mirë dhe sulmuar me shpejtësi nga krahët.
43’ Shqipëria kalon në avantazh 1-0
Kur dy ekipet po i drejtoheshin fundit të pjesës së parë, Shqipëria fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës së Francës, e cila merr përsipër për t’u ekzekutuar nga mesfushori Ergys Kaçe.
kace
Mesfushori godet me saktësi duke shënuar një euro gol, kapitenit francez Loris nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shijojë perlën e Kaçes dhe të nxjerrë topin nga rrjeta.
30’ Francezët kanë rastin më të mirë për të shënuar me sulmuesin Giroud, i cili godet me kokë, por Berisha bën detyrë duke e ndalur saktësisht.
shqiperi
28’ Memushaj bën atë që di të bëjë më mirë, pak minuta në fushë dhe dhuron asist për Lenjanin që i vetëm përballë Loris nuk arrin që të shënoj, pasi francezi e ndal saktësisht.
26’Odise Roshi gjuan fuqishëm në drejtim të portës, Loris grushton, topi kthehet në zonë duke përfunduar në këmbët e Lenjanit që nuk tregohet i saktë, pasi sfera e goditur prej tij përfundon mbi kuadrat.
shqiperi
23’ Sulmuesi Sokol Cikalleshi nuk arrin që të devijojë në portë krosimin e Bashës duke humbur një mundësi të mirë për të shënuar.
21’ Mbrojtësi Elseid Hysaj rrezikon portën mike. Shkodrani hedh një top në zonë që fillimisht e nis për krosim, por përfundon ngjitur me tranversën e portierit dhe kapitenit francez Loris.
shqiperi
14’ Shqipëria kryen zëvendësimin e parë të detyrueshëm, pasi Andli Lila ndien dhimbje në kofshë, vendin e tij në fushë e zë Memushaj.
12’ Ermir Lenjani ka një mundësi të mirë për të rrezikuar portën e Loris, por miqtë ia largojnë topin me saktësi.
shqiperi
07’ Sulmuesi i talentuar i Arsenalit tenton një kthesë të bukur në zonë për të surprizuar Berishën, por nuk ia arrin, kuqezinjtë largojnë rrezikun nga zona.
3’ Shqipëria tenton të niset përpara me Odise Roshin, pas një topi të gjatë të Bashës, por aksioni nuk finalizohet.  
Sigal