KOMBËTARJA/ Trajneri i Kombëtares sonë shpalli listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës
Dje në mesditë, trajneri i Kombëtares sonë Silvinjo, ka dalë në konferencë shtypi, ku pasi publikoi listën e lojtarëve që ka menduar të grumbullojë për sfidën delikate me Serbinë dhe më pas me Jordaninë, foli edhe për objektin e skuadrës sonë, për risitë e mungesat në listën e tij. “Fillimisht do të thoja se kjo sot (dje) është një listë me 25 lojtarë. Kemi një situatë pak më ndryshe, pasi Ismajli pësoi një dëmtim katër ditë më parë. Ne presim stafin mjekësor të klubit dhe do të shohim në fundjavë situatën, për të kuptuar sa më qartësisht. Nuk ka çfarë të fshihet këtu. Besoj absolutisht te lojtarët tonë. Nuk është momenti i eksperimenteve. Është një moment shumë i rëndësishëm i kualifikimit, ne njohim shumë mirë lojtarët”, kështu e nisi Silvinjo bashkëbisedimin e tij me mediat në konferencën e djeshme për shtyp, e cila vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Kombëtaren tonë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026. Për lojtarët që nuk i ka thirrur në këto dy ndeshje, por edhe për ata që i ka menduar si alternativa, Silvinjo kishte deklarata ndryshe nga javët e shkuara në ndeshjet që Kombëtarja ka luajtur në Grupin K kualifikues. “Me Serbinë është një ndeshje shumë e vështirë për të dy skuadrat, e rëndësishme. Ne shkojmë atje në garë, në gjendje për t’u kualifikuar. Ata janë të fortë, me shumë eksperiencë, dhe ju më thoni pse Gripshin?! Po, por unë kam gjashtë muaj që e ndjek, ndërsa Muçi ka rrugëtim të ri dhe në krahun e majtë ka shumë lojtarë që duhet ti zgjedh. E zgjedh unë të shkoj me 25 lojtarë, jo me 28 në Serbi. Nëse Ismajli nuk ia del, duhet ta mendojmë. Në princip, është një fundjavë që na jep kohë, edhe pse ka një mundësi për të shkuar me 24. Në kampionatet ku luajnë lojtarët tanë, këtë fundjavë praktikisht do luajnë të gjithë. Do shikojmë edhe gjëndjen e tyre deri të hënën”. Ndërkohë që në listën e lojtarëve që do të nisin grumbullimin nga dita e hënë, është edhe Klinsman Cake, mbrojtësi pogradecar që aktualisht luan tek Shkëndia e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. “Në këtë listë kemi edhe Klinsman Caken, si alternativë në mbrojtje në rast dëmtimi të Ismajlit. Sepse është momenti i lojtarëve me eksperiencë, dhe ai e ka një të tillë. Duhet të bëjmë një ndeshje të plotë 90 minuta. Unë kam shumë besim te ky grup. Lojtarët kur janë në këtë nivel besimi dhe një grup që më kënaq, që mund të shkojë kudo e bëjë ndeshje të shumë të bukur. Në këtë ndeshje, e përsërit që janë 90 minuta shumë të rëndësishme për ne, për të dy skuadrat”.
LISTA E GRMULLIMIT
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtësa: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmuesa: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku
Për takimin e 11 tetorit FIFA ka dërguar dy oficerë sigurie, duke patur parasysh atë që ndodhi në përballjen e tetorit 2014 në Serbi. Dje, Serbia merr vendimin ekstrem: Asnjë biletë në shitje për ndeshjen me Shqipërinë, masa të rrepta kontrolli
Objektivi sipas Silvinjos, renditja në vendin e dytë

Kështu e mendon renditjen trajneri Silvinjo, pas ndeshjes së 11 tetorit me Serbinë, e cila do të luhet në stadiumin e Leskovacit. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, për të mbetur gjallë në objektivin për t’u kualifikuar në Botëror. Nuk është definitive, sepse janë edhe dy të tjera përveçse me Serbinë. Duhet të kalojmë këtë ndeshje, e vështirë sigurisht. Sipas meje, është një ndeshje shumë e rëndësishme, duhet të përgatitemi për fitoren si në çdo ndeshje. Objektivi në këtë moment është të përfundojmë në vendin e dytë dhe duhet të përqëndrohemi 100% te Serbia. Është pengesë e vështirë, por që do të japim maksimumin”, kështu u shpreh mes të tjerave dje Silvinjo.
Historia me Serbinë, trajneri e quan ndeshje futbolli

Kombëtarja A do të përballet më 11 tetor në transfertë ndaj Serbisë në Leskovac, një duel i rëndësishëm për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, por Silvinjo kërkon që ajo ndeshje të mos ketë ndikim. “E di që 11 vite më parë ndodhi një incident, por ne do të përgatitemi të shkojmë të bëjmë një ndeshje futbolli në Serbi. Mendoj se do të shohim një ndeshje të bukur nga të dy palët, dhe për këtë do të përgatitim ndeshjen mirë. Të thuash që është një ndeshje normale? Gjithsesi, neo të shkojmë që të luajmë me përqendrim 100%. Nuk shkojmë me 26-27 lojtarë, pasi duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja. Unë preferoj mesazhin për ekipin, mund të shkosh fort, e përgatitësh mirë ndeshjen”.
Kualifikueset-Botërori 2026
Shqipëria në Grupin K
Ndeshjet e luajtura
Angli-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Andorra 3-0
Shqipëri-Serbi 0-0
Letoni-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Letoni 1-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 5 15
2.Shqipëria 5 8
3.Serbia 4 7
4.Letonia 5 4
5.Andorra 5 0
Ndeshjet që do të luhen
Datë 11 tetor 2025
Serbi-Shqipëri 20:45
Datë 13 nëntor 2025
Andorra-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 18:00






















