Sfida e Ballkanit në Conference League, Ilir Daja: Pa presion dhe stres ndaj Astanës

44
Sigal

Ilir Daja foli në konferencën për shtypin përpara ndeshjes Ballkani-Astana, e vlefshme për xhiron e tretë të grupit C në Conference League.

“Gjendja e skuadrës? 90% janë të gatshëm. Me stërvitje të diferencuar kemi Hamitin, të cilin do e kemi në pankinë nesër. Nuk do të luajë si titullar. Kemi edhe Ismajlgecin, i cili ka bërë stërvitje të diferencuar. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion.

Ndeshja? Duhet të jemi me këmbë në tokë. Astana ka mbi 90 takime në Europë. Ka marrë pjesë edhe në grupet e Champions League. Pas një fitoreje historike ndaj Dinamos së Zagrebit, nuk është e mundur të ndryshojmë objektivat. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi. Do të fokusohemi tek Astana. Një ndeshje shumë e vështirë, por nuk do të ndryshojmë asgjë nga ato që kemi bërë deri sot.

Do të japim gjithë energjinë tonë, për të përfaqësuar sa më mirë Ballkanin dhe kampionatin e Kosovës. Po kalojmë një periudhë goxha të mirë, në kampionat dhe Europë. Besoj që është një përjetim i madh në karrierën time si trajner.

Ka një gjë të mirë ky përjetim, sepse ndodh javë për javë. Jemi prezantuar mirë në të dyja kahet. Entuziazmi është në nivele optimale. Ta mbajmë sa më gjatë të jetë e mundur, duke patur edhe fatin me vete”, deklaroi tekniku i Ballkanit, Ilir Daja.