Serbi Vukoviç kërcënon Besart Berishën: “Do të ta nxij jetën!”

533
Sigal

Tifozët e Perth Glorit mezi po presin ta masakrojnë kosovarin që, me golat e tij u hoqi titullin në Australi

Portieri serb i Perth Glorit, David Vukoviç, paralajmëroi publikisht sulmuesin shqiptar të Brisbejn Roarit, Besart Berishën, se kosovari duhet të përgatitet për një hakmarrje personale, kur të dyja skuadrat do të përballen në ndeshjen e hapesë të kampionatit maksimal australian, në “Peterson Stadium” të dielën e 7 tetorit. Besart Berisha shënoi dy gola në finalen e madhe të A-League, përfshirë dhe penalltinë shumë të diskutuar në minutat e fundit kur kosovari u rrëzua në mënyrë teatrale në zonën e rreptësisë, e që i dha titullin Brisbejnit, ndërkohë tifozët e Perthit protestuan fuqishëm.

PRITJE BRUTALE

Zyrtarët e Perth Glorit presin një numër rekord shikuesish, rreth 20 mijë, dhe shumë prej tyre mendojnë t’i japin një pritje provokuese ish-sulmuesit të Kombëtares shqiptare. “Unë mendoj se ai do të meritojë një pritje shumë të nxehtë, sigurisht”, – citohet Vukoviç nga gazeta australiane “The West Australian”, që zbardh kështu dhe një pjesë të skenarit që po përgatitet. “Ka për të qenë brutale për të, kjo është ajo që mund të parashikohet. Ka kaq shumë gjëra kundërshtuese rreth tij dhe finalen e madhe, saqë jam i sigurt se ai një lojtar e meriton mjaftueshëm për ta trajtuar në mënyrë të atillë”.

PROVOKIMI I SERBIT

Besart Berisha, së fundi foli për një gazetë të Kuinslandit (shtet i Australisë), se ai nuk dëshiron ta përdorë më rrjetin social “Twitter’, për shkak të nivelit të fyerjeve ndaj tij. Por, Vukoviç nuk parashikon që golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, të jetë fyer nga tifozët e Perthit. “Unë nuk e njoh atë personalisht, por ne kemi luajtur disa herë kundër njëri-tjetrit dhe nga ajo që kam parë, duket se ai luan rolin e një djali të keq’, – tha Vukoviç. “Unë jam i sigurt se, ai do të shijojë një pritje krejt të veçantë të dielën e parë të tetorit. Por unë shpresoj që, ne mund të ruajmë formën që kemi treguar gjatë fazës përgatitore dhe jam i sigurt, që ne do ta kryejmë më së miri punën tonë”.

ARMIKU NUMËR 1

Besart Berisha vlerësohet si armiku numër 1 për Perth Glorin dhe tifozët e tij. Madje të tillë e konsideron dhe trajneri Jan Ferguson, i cili e akuzoi ashpër gjyqtarin Xharred Xhillet, se e kishte akorduar penalltinë në mënyrë të gabuar. Më vonë, pas ndeshjesh u zbulua se Xhillet kishte marrëdhënie me një anëtar të stafit të Brisbejnit. Në fakt, Perthi ishte në avantazh kur duheshin edhe gjashtë minuta lojë, por dy golat e Besart Berishës, në minutat 84′ dhe 90′, i dhanë fitoren dhe titullin Brisbejnit. Gjithsesi, duket se Fergusoni i Perthit e ka harruar gabimin e gjyqtarit Xhillet, duke thënë se ai mund të arbitrojë pa asnjë problem ndeshjet e ekipit të tij.