SUPERIORE/ Analiza e Prof.Dr. Met Spahiu, ja si i “zhvesh” 180 minutat e para të këtij sezoni
Agron KAJA
Janë luajtur dy javët e para të Superiores, çfarë veçoni si dukuri më pozitive?
Gjithmonë kur nis kampionati, që është koha të lëvizin lojtarë e trajnerë, nuk kanë stabilitet në ndeshje dhe nuk dihet se si do shkojnë këto ndeshje për shkak të lëvzijeve të tregut të merkatos. Është një traditë e keqe që çdo sezon fillon nga e para.
Nisur nga rezultatet, si e përshkruani performancën e skuadrave në ndeshjet e kësaj jave?
Nuk mund të themi se çfarë ka më shumë nga sezoni i kaluar, por këto kanë treguar se skuadrat e forta mbeten të tilla në çdo kampionat. Kështu janë treguar në dy javë Egnatia, Vllaznia, Partizani apo edhe Tirana. Të tjerat janë ende në riformatim.
Krahasuar me ndeshjet e javës së parë, shikoni ndonjë ndryshim pozitiv në shënimin e golave në javën e dytë?
Duke qënë se në javën e dytë u shënuan 14 gola, kjo tregon se ka vullnet e dëshirë nga skuadrat për të sulmuar e për të shënuar. Këtë e mendoj si dukuri pozitive, por skuadrat kanë luhatje në shënimin e golave. Dinamo ende nuk ka shënuar asnjë gol!
Në 180 minutat e para janë marrë 48 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq, çfarë tregues janë këta për garën?
Për deri sa kartonët jepen për sjellje jo korrekte, këto tregojnë se skuadrat duhet të jenë më të disiplinuara. Sepse në momente të caktuara të ecurisë së kampionatit këto kartonë mund t’i kushtojnë shumë skuadrave. Si tregues, janë shumë kartonë.
Rregulli i paraqitjes vetëm i kapitenit të skuadrës te arbitri, si u aplikua në dy javët e para të Superiores?
Edhe kjo formë është për të displinuar kërkesat e lojtarëve tek arbitri, që të mos shkojë gjithkush me protesta tek ai. Ky rregull mendoj se ka një logjikë pozitive dhe i shërben mbarëvajtjes së garës, por që kërkon kohë të bëhet edukatë në fushë.
Si ka qënë pjesëmarrja e tifozerisë në stadium në dy javët e para të Abissnet Superiore?
Si gjithmonë, për skuadrat me interes në futboll çdo fillim është entuziast. Më pas, tifozeria matet me rezultatet që ato do të arrijnë. Në këto dy javë, Tirana e Vllaznia kanë qënë domimante me tifozerinë, me gjithë incidentin që ndodhi mes tyre.
Mbetet i ngarkuar muaji gusht, me mot të nxehtë, ku luhen tre javë kampionat e brenda tij zhvillohet merkato?
Jo, unë mendoj se në javët në vazhdim çdo gjë do stabilizohet, si te skuadrat ashtu edhe stabilizimi i motit. Sepse me kalimin e javëve çdo skuadër merr stabilitet, kjo edhe për arsyen se edhe moti përmirësohet dhe bëhet më i favorshëm për lojë.
Pas javës së tretë kampionati do ndërpritet pasi luan Kombëtarja, si dhe sa ndikon kjo te lojtarët për ecurinë e garës?
Kjo ndërpreje e kampionatit e dëmton ecurinë e garës. Duke qënë se në Kombëtare nuk ka futbollistë nga kampionati shqiptar, unë mendoj se gara në futbollin shqiptar mund të vazhdonte normalisht. Gjithsesi, FSHF-ja kështu e ka menduar.
Më 7 shtator Kombëtarja luan me Ukrainën, cilat janë mundësitë e skuadrës sonë në ndeshjet e Nations Ligë?
Unë them se me gjëndjen që ka paraqitur Kombëtarja jonë, hyn tek ato skuadra që mund të ndeshet me çdo skuadër në Europë dhe pa problem. Por kjo do shihet më konkretisht në ndeshjen me Ukrainën, sepse lojtarët vijnë nga fazat përgatitore.
Rreshje shiu dhe erë e fortë, tifozët në test me motin
Në ndeshjet e javës së dytë të Abissnet Superiore, kryesisht në ato që u luajtën ditën e hënë në mbrëmje, rreshjet e shiut nuk i larguan tifozët nga stadium. Edhe pse jo të shumtë në numur, Në Elbasan ku edhe ishte epiqendra e rrebeshit tifozeria u “zhduk” për rreth 15-20 minuta, por përsëri u gjend në shkallët e stadiumit. Në Ballsh ku era e fortë ishte prezente në fillimin e pjesës së parë i mbajti të “strukur” në stadium tifozët. Ky mot duket si një test për tifozeritë, të cilët duhet që të kenë përgatitje gjithvjetore edhe në këtë drejtim.
ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2024-2025
Rezultatet-Java 2
Datë 25 gusht 2024
Egnatia- Laçi 2-1
Partizan-Skënderb 2-1
Vllaznia-Tirana 2-2
Datë 26 gusht 2024
Bylis-Dinamo C 1-0
AFElbasani-Teuta 3-0
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 2 6
2.AFElbasani 2 4
3.Vllaznia 2 4
4.Partizani 2 3
5.Bylis 2 3
6.Teuta 2 3
7.Tirana 2 2
8.Skënderbe 2 1
9.Laçi 2 1
10.DinamoC 2 0
PROBLEMATIKAT E DINAMOS
Bankina e Mehmetit me “dridhje”, Daja në horizont
Në këtë fillim të kampionatit të Superiores, trajneri Dritan Mehmeti i Dinamos është kthyer në problem për “Nëndetësen”. Në dy javë ai e ka “ankoruar” skuadrën në zonën e rrezikut. Mjaftojnë dy humbjet për të vendosur në dyshim të ardhmen e tij ku si “hije” mbi kokë qëndron Ilir Daja. Si këtu në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, mediat shkruajnë se Daja do të largohet nga Ballkani për të marrë drejtimin e ish-klubit ku u bë i famshëm. Të gjithë palët presin që kjo lëvizje të finalizohet, dhe me shumë mundësi mund të ndodhë në javën pas pauzës që do të sjellë Kombëtarja. Por Dritan Mehmeti e nis me “dridhje” punën përgatitore për javën e tretë, me Ilir Dajën në horizont.
Blutë me “laps në dorë”: Na kanë vjedhur arbitrat!
Në dy javët e para të sezonit 2024-2025, Dinamo City ka shënuar dy humbje, madje është skuadra që ende nuk e ka gjetur rrugën e rrejtës. Por drejtuesit e kësaj skuadre duket se e kanë gjetur “çelsin” e dështimit, pasi sipas tyre, janë arbitrat ata që e kanë bërë skuadrën të ndjehet e vjedhur atyre. Pas ndeshjes me Bylisin, ku humbi 1-0, rastet ku blutë pretendojnë se janë dëmtuar nga kryesori Florian Lata, janë më të shumta. Ata i referohen më së shumti një kartoni të kuq të padhënë për një mbrojtës të Bylisit dhe golit të anuluar të Qardakut. Ndërsa me Egnatian, pretendimi është për penalltinë e dhënë në favor të rrogozhinasve, si dhe një rast shumë të dyshimtë kartoni të kuq. Të bindur se Dinamo është penalizuar nga arbitrat, drejtuesit e klubit kanë vendosur të bëjnë ankesë zyrtare në FSHF.