Presidenti i FSHF, Duka: Trajneri i ri i kombëtares mund të jetë shqiptar

384
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka pas fitores me Andorrën foli për trajnerin e ardhshëm të kombëtares kuqezi. Duka rrëfeu takimin me italianin Edi Reja, i cili shihet si një kandidat i mundshëm për stolin e përfaqësueses. “Unë e kam takuar pas ndeshjes me Turqinë, kam diskutuar me të se si e pa ai skuadrën.

Në bisedë e sipër, më tha se ishte i pakënaqur me atë që dha ekipi në fushë. I thashë që kemi emra të mirë, por natyrisht nuk biseduam për stolin. Tani e tutje do të mendojmë për emrin e trajnerit të ri.”, tha Duka i cili pranoi se trajneri i ardhshëm ka mundësi të jetë shqiptar. “Nuk mund ta mohoj punën e mirë të Bulkut për këto dy ditë, apo përgatitjen psikologjike që i ka dhënë skuadrës. Kam menduar se skuadra do reagonte, për të ndërruar më mirë trajnerin para Andorrës. Sot pashë ekipin me dëshirë në fushë, edhe pse kishte momente me luhatje dhe ku ishim në stres.

Futbollistët me moshë më të madhe dhe më me eksperiencë, morën përsipër ditën e sotme. Mendoj se ka edhe trajnerë të mirë që mund ta drejtojnë Kombëtaren. Fakti që ne nuk kemi pasur një trajner shqiptar deri tani, është se mund të kemi një trajner me eksperiencë më shumë nga jashtë. Gjithsesi, duhet të vëmë në peshë avantazhet dhe disavantazhet e atyre që kemi ne në mendjen, dhe do vendosim.

Trajneri vendas njeh më mirë mentalitetin, në të ardhmen ndoshta do të emërohet trajner vendas, por jo në këtë moment. Nuk është e lehtë të flasim sa do zgjatë kontrata me trajnerin e ri, nuk bëhet asnjëherë një plan afatgjatë, por asnjë trajner nuk ka interes të bisedojë vetëm për 6 muaj, të gjithë duan projekt më afatgjatë”, deklaroi kreu i FSHF-së.