Numri gjithnjë e më një rritje i qytetarëve shqiptarë që zgjedhin të ikin jashtë vendit është shoqëruar me shtimin e të ardhurave që hyjnë në Shqipëri nga emigrantët. Shtetasit që largohen arrijnë të sigurojnë punë që i mundësojnë të ardhura më të larta, duke i dhënë kështu mundësinë që të sjellin para dhe në Shqipëri tek familjet e tyre.
Sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë, prurjet e emigrantëve arritën në 670 milionë euro në vitin 2018, duke u rritur me 5.3% në krahasim me një vit më herët. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2012, teksa një vit më pas në 2013, prurjet e emigrantëve arritën në nivelin më të ulët që pas viteve ’90, duke zbritur në 545 milionë euro.
Rënia e tyre ishte e pritshme, pas maturimit të ciklit të emigracionit, ku individët që kanë ikur në vitet ’90, kanë krijuar familjet e tyre, duke pasur tendenca të shkëputjes së lidhjeve me të afërmit në vendlindje. Gjithsesi, pas vitit 2013, prurjet e emigrantëve filluan të rriten sërish, për të arritur në një rritja në vlerë absolute prej 34 milionë euro në 2018-n, më e larta e gjashtë viteve të fundit.
Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve në drejtim të vendeve të Evropës Perëndimore, duke sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptarë në Perëndim, vërehet një tendencë pozitive e parave të emigrantëve, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto lëvizje migratore dhe suportin e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri, sipas statistikave të BSH.
Të dhëna të Evrostat tregojnë se rritja e prurjeve të emigrantëve përkon me një rigjallërim të kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shqiptarët. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, diferenca mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen është mesatarisht 15-20 mijë persona në vit në favor të atyre që largohen nga vendi.




















