Pogba në udhëkryq, nesër nën lupën e ekspertit që ktheu në këmbë Ibrahimoviçin

114
Sigal

Pol Pogba do të mësojë nesër fatin e tij, me Juventusin dhe me kombëtaren franceze. Dëmtimi i pësuar në stërvitje mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë mesfushorit francez të Juventusit, i cili është në pritje të mësojë se sa kohë do t’i duhet të kalojë jashtë fushave të lojës.

Për të zgjidhur telashet me dëmtimin në menisk, Pogba ka udhëtuar drejt Lionit. Atje do të konsultohet me kirurgun e njohur, Bertrand Soneri-Cote, personi i cili operoi Zlatan Ibrahimoviç duke rindërtuar ligamentin e suedezit që ishte dëmtuar shumë rëndë.

Gjatë ditës së nesërme do të zhvillohet konsulta dhe vetëm, më pas, në bashkëpunim me mjekët e Juventusit dhe të përfaqësueses së Francës, do të vendoset se çfarë do të ndodhë me Pogba,.

Francezi ka përpara tre rrugë. E para është ajo e ndërhyrjes kirurgjikale, që do të thotë minimalisht 3-5 muaj jashtë fushave. Kësisoj, ai duhet t’i japë lamtumirën pjesës së parë të sezonit me Juventusin por sidomos Botërorit me Francën.

Hipoteza e dytë është ajo e një mini-ndërhyrje, që nënkupton më pak kohë jashtë fushe e mundësi për të luajtur në Botëror, por nuk ka garanci në aspektin afatgjatë, me dëmtimin që mund të përsëritet. Ndërsa opsioni i tretë, është ai i terapive, që janë gjithsesi shumë më të pasigurta por shmangin ndërhyrjen dhe situata duhet rivlerësuar praktikisht javë pas jave.