Perlat Musta: Shpresoj të luhet vetëm futboll, jo luftë nervash në fushë

KOMBËTARJA/ Për sfidën në Serbi, flet për “Telegraf” ish-portieri kuqezi, Perlat Musta. Atmosfera, bilancet dhe realitetet e të dyja skuadrave sot në fushë.

Agron KAJA


Sigal

Dje u mbyll java përgatitore anti-Serbi, si u zhvillua ajo në fushë dhe mediatikisht?

Mendoj se Silvinjo ka zbatuar një program më shumë në planin taktik e teknik, por edhe për të mbajtur formën e mirë fizike. Në gjithë ditët e stërvitjes ka patur seriozitet nga stafi teknik e lojtarëve, dhe kjo është pozitive për ekipin.

Nga lista fillestare ka patur edhe lëvizje, mendoni se aty ka emra që mungojnë dhe të tjerë që nuk mund të ishin?

Unë nuk komentoj asnjëherë zgjedhjet e Silvinjos, sepse ai është më afër aktualitetitetit për çdo lojtar që e vëzhgon dhe e grumbullon. Emra të tjerë mund të ketë shumë, por gjithmonë janë teknikët që e njohin formën e tyre.

Nisur nga mungesat, ku mendoni se do jetë reparti më delikat në përballjen e sotme me Serbinë?

Ismajli është pikë e fortë se ka bërë mirë, e mendoj se do jetë mungesë serioze. Por ne kemi lojtarë që ta zëvendësojnë dhe mungesa e tij do plotësohet nga alternativat që do përdorë trajneri. Mbrojtja do ketë peshën kryesore në këtë ndeshje.

Ku mendoni se Kombëtarja jonë do ta ketë repartin më të fortë në këtë sfidë?

Unë them se mbrojtja dhe mesfusha duhet të jenë më aktivet në sfidën me Serbinë. Këtë sezon ne nuk kemi shënuar shumë, por e kemi goditur portën më shumë, edhe pse këtu me Serbinë nuk shënuam. Vetëm fitorja na bën punë.

Sipas jush, cili është formacioni më i mundshëm që Silvinjo do hedhë në fushë anti-Serbi?

Do jetë ndeshje e vështirë, më shumë luftë nervash, sepse edhe serbët nuk do e kenë të lehtë dhe janë të ngarkuar. Por unë jam me atë formacion që do vendosë Silvinjo dhe kam shumë besim se zgjedhjet e tij do jenë më të mirat e mundshme.

Po parashikimi i Perlat Mustës për ndeshjen Serbi-Shqipëri, cili është?

E mendoj se do jetë një ndeshje e vështirë, më shumë luftë nervash. Edhe serbët nuk do e kenë të lehtë dhe janë të ngarkuar. Janë të treja rezultatet, dhe kalimi në stadiumin e Leskovacit na bën të jemi më të avantazhuar se serbët.

Në muajin qershor Shqipëria tregoi dinjitet dhe mikpritje në ndeshjen në Tiranë (0-0), a mund ta presim këtë edhe në Leskovac?

Ne e kemi treguar kulturën e respektin tonë, dhe këtë do të dëshiroja edhe nga pala  serbe. Është një ndeshje futbolli dhe nuk duhet të ngatërrohet futbolli me ujra të tjera. Edhe ata vetë nuk e dëshirojnë këtë, ndaj shpresoj që të luhet vetëm futboll.

Nëse marrim rezultatin më të keq në Serbi (humbjen), me ndeshjet e mbetura, mundet ta synojmë vëndin e 2-të në Grupin K?

Me humbjen në Serbi, humbasim të gjitha mundësitë për renditjen në vëndin e dytë në Grupin K. Sepse Serbia është 2 pikë para nesh, dhe nëse ne do të humbasim, atëhere në renditjen e grupit do jemi dy pikë pas tyre.

Sot ju nuk do jeni i pranishëm në stadiumin e Leskovacit, po si do ta uronit Kombëtaren tonë?

Unë uroj që, atë ëndërr të cilën e kanë patur shumë breza në Kombëtare, këta djem sot ta bëjnë realitet. Një fitore në Serbi na çon në Botëror, dhe këtë do uroja e do ta shpresoja deri në minutën e 90-të të ndeshjes.

FORMACIONI I MUNDSHËM

Shqipëria: 1-4-2-3-1

 

Strakosha

 

Hysaj               Gjimshiti         Ajeti                Mitaj

 

Asllani Shehu

 

Ramadani

Broja                                       Bajrami (Hoxha)

 

Manaj  (Daku)

NDESHJET ME SERBINË

Datë 14 tetor 2014

Serbi-Shqipëri             0-3

(Rezultat në tavolinë)

Datë 8 tetor 2015

Shqipëri-Serbi             0-2

Datë 7 qershor 2025

Shqipëri-Serbi             0-0

BILANCI

Nd 3, F 1, B 1, H 1, G 3-2

 

Kualifikueset-Botërori 2026

Shqipëria në Grupin K

Ndeshjet e luajtura

Angli-Shqipëri                                     2-0

Shqipëri-Andorra                    3-0

Shqipëri-Serbi                         0-0

Letoni-Shqipëri                       1-1

Shqipëri-Letoni                       1-0

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Anglia                      5          15

2.Shqipëria                  5          8

3.Serbia                       4          7

4.Letonia                     5          4

5.Andorra                    5          0

Ndeshjet që do të luhen

Datë 11 tetor 2025

Serbi-Shqipëri                         20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorra-Shqipëri                    20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                                     18:00

DEKLARATA KUQEZI

Trajneri Silvinjo: Në fushë vetëm për fitore.

Trajneri Silvinjo u tregua shumë profesionist dhe i përqëndruar tek pyetjet, kryesisht të gazetarëve serbë. Gjithsesi, ai e quan këtë ndeshje të rëndësishme dhe emblematike për Shqipërinë. “Të gjithë ndeshjet janë të rëndësishme, kjo me Serbinë absolutisht. Nëse fitojmë, do jetë me Andorrën në vazhdim më e rëndësishmja. Është një ndeshje emblematike dhe e bukur, dhe e besoj se do jetë e bukur. Futbolli është i paparashikueshëm dhe për këtë arsye nuk mund të vendosim baste. Unë jam një trajner, nuk kam parë kurrë një ndeshje që fitohet pa e nisur. Kjo është skuadër e fortë me vlerë të rëndësishme individuale në kampionate të rëndësishme. Çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, e dimë ne dhe ata. Sipas meje nuk ka përqindje, por vetëm të dalësh me intensitet dhe të luash me zemër e shpirt. Unë kam besim të plotë te skuadra jonë, dhe në fushë do hyjmë vetëm për fitore. Nesër (sot) në mëngjes, skuadra është gati”.

Kapiteni Elseid Hysaj: Një finale për ne dhe ata

Në konferencën e djeshmë për shtyp, kapiteni i Kombëtares sonë Elseid Hysaj u shpreh mes të tjerave se skuadra do të dijë ta përballojë sulmin e Sebisë. “E dimë se Serbia ka lojtarë dhe sulmues të mirë, unë kam luajtur në Itali me disa nga këta sulmues. Ata janë të gjithë me kualitet, por edhe ne kemi. Dimë ta përballojmë sulmin e Serbisë, për mua emocionalisht gati e njëjta. Po e përjetoj shumë emocionalisht, është e vështirë dhe e bukur. Po pres të jemi në fushë nesër (sot). Në ndeshjen e kaluar fitorja ishte për ne, dhe këtu kemi ardhur me të njëjtën gjë. Një ndeshje është, ndeshje futbolli që do japim 100%, dhe pastaj të shohim si do të shkojë pas ndeshjes. Masat e sigurisë kanë qenë edhe herën e kaluar, besoj një gjë për sigurinë e tyre. Mund të na japin karikim, meqë jemi të mbrojtur. Kemi ardhur këtu për fitore, as për barazim dhe as humbje. Duhet të jemi të përqendruar 120%, se është ndeshje delikate dhe e fortë. Kjo mund të jetë finale për ne dhe për ata”.

SITUATA NË KAMPIN SERB

Tension te Serbia, Stojkoviç sulmon gazetarët

“Duan të na mposhtë Shqipëria”, këto janë fjalë që trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç i ka shprehur gjatë kësaj jave përgatitore, ndoshta për ndonjë shfajësim të parakohshëm të tij. “Nuk e ndjej presionin. Ju jeni ata që e ndjeni presionin, ju gazetarët, ekspertët dhe kritikët e përhershëm. Ndoshta një nga ju do të donte që Shqipëria të na mposhtë. Ka analistë që mbështesin Shqipërinë”, është shprehur Stojkoviç, i cili kështu ka deklaruar edhe dje para ndeshjes, duke thënë se: “Ka analistë që e mbështesin Shqipërinë! Ndoshta ju doni që të humbasim ndaj Shqipërisë”, këto janë fjalët e Stojkoviç që në Serbi i quajnë tronditëse.

Kapiteni serb Mitroviç premton golin

Kapiteni i Serbisë, Aleksandar Mitroviç, është i kënaqur që do luajë sot ndaj Shqipërisë, dhe dje në konferencën për shtyp ai ka premtuar të shënojë. “Unë ndihem mirë pas dëmtimit që më shqetësonte, dhe nëse do luaj ndaj Shqipërisë, dua të shënoj. E shpresoj se do të jem në fushë dhe mendoj se jo vetëm mua, por neve si ekip na pëlqen stadiumi, atmosfera dhe mbështetja, që nga momenti që dalim për nxehjen deri në fërshëllimën e fundit. Marrim duartrokitje, jemi të lumtur kur luajmë këtu. Shpresoj që të vazhdojmë një seri rezultatesh pozitive”.

Frika zyrtare e Serbisë në fjalët e Presidentit Xhajiç

Java që po mbyllim sot me ndeshjen Serbi-Shqipëri, ka qënë edhe e tensionuar në kaceleritë e federatës serbe të futbollit. Sepse ka qënë vetë Presidenti i Federatës së Serbisë, Dragan Xhajiç, i cili sikur i hedh benzinë zjarrit, duke paralajmëruar një katastrofë nëse do të përjashtoheshin nga futbolli. “Nuk ka nevojë të harxhojmë fjalë, askush nuk ka nevojë të flasë me askënd. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe e dimë se sa shumë do të thotë ajo ndeshje në këtë situatë. Serbia ka një test të vërtetë në Leskovac ku do presë Shqipërinë në një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se kjo është e qartë për të gjithë” paralajmëroi Dragan Xhajiç.