Notarja vlonjate, Elida Xhindi, vitrinë suksesi me 52 rekorde dhe 86 gara të fituara

82
Sigal

PROFIL/ Notarja vlonjate, kampione dhe fituese e 5 Medaljeve të Arta, sot rikthen nostalgjinë si një Mjeshtër i Madh. Flasin trajnerët Sadik Mema, Ilirjan Kreshpa e Pavllo Kisi

 

Nga Agron KAJA

Agron Kaja

Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Vlorë, si respektoheshin kampionet e rekordmenet në ambientin qytetar?

Unë ndjehesha shumë mirë dhe e ndjeja që kisha vëmëndje të veçantë në ambientin qytetar. Në Vlorë më njihnin, madje edhe sot kur u them emrin, më rikujtojnë. Kam marrë vëmëndje dhe jam respektuar edhe nga institucionet shtetërore.

Kjo ka qënë arsyeja që ushtruat notin dhe jo me ndonjë sport tjetër, apo ju tërhoqi diçka tjetër?

Ishte thjesht dëshira e babait tim, sepse më tregonte se unë që në moshën fëminore kisha energji. Madje ai ishte nisiatori që nisa sportin e notit, pasi njohja që kishte me trajnerin Thoma Papa, bëri që të më pranonin menjëherë dhe kështu që u ndjeva në një trajtim të veçantë.

Pasi ju lindi dëshira për tu ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?

E nisa sportin e Notit në moshën 12 vjeçare, ku konkurrova edhe me të Rejat. Unë stërvitesha në Stilin e Lirë, dhe trajneri Ali Kadëna më la të lirë në këtë stil. Zgjodha shpinën, ku ai më vlerësonte se isha e lindur për stilin shpinë. Në atë kohë, edhe djemtë e notit dëshironin të bënin gara shpine me mua.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvilluar ajo?

Po, e kujtoj në pishinën e Lushnjës në moshën 12 vjeçare (1974), ku u rendita në vëndin e dytë me të rejat e Flamurtarit. Ndërsa më pas, në moshën 13 vjeçare unë thyeva disa rekorde kombëtare të të gjitha moshave: fëmijë, Të Reja, të Rritura.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj sot?

Me nostalgji! Thoma Papa ishte ai që më afroi te Flamurtari dhe më pas me disa trajnerë të tjerë. Ndërsa me Studentin, Sul Poda i fundit, me të cilin në vitin 1988 ishim vetëm tre notare të Studentit dhe në Kupën e Republikës në Shkodër unë bëra disa gara dhe fituam Kupën për Femra. Ndërsa unë morra titullin Mjeshtre Sportit.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Më i preferuar dhe më rezultativ, në karrierën time ishte stili Shpinë, por kam garuar edhe në disa stile të tjera dhe në katërnotim. Por, në të gjitha stilet unë kam qënë fituese në çdo garë, madje edhe rekordmene.

Ju kujtohen rivalet tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Nuk kujtoj të kisha rivale, sepse isha absolute. Madje trajneri Pavllo Kisi bëri disa llogari për garat, dhe ai më futi edhe në 200 e 400 m katërnotim dhe thyeva rekordet kombëtare, në 100 e 200 delfin dhe po këtu thyeva rekordet kombëtare.

Emri im në not ishte i lidhur me gjysmat e garave dhe rekordet.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?

Kujtoj se në 100 m shpinë në vitin 1975 në garat në pishinën e Lushnjës. Thyeva rekordin e Pranvera Rrapushit, një notare shumë e fuqishme. Madje edhe ajo nuk e besoi. Edhe në Durrës e Shkodër atë vit e thyeva përsëri rekordin, sepse pasioni më jepte shumë forcë në gara.

Në karrierën tuaj si notare kampione e rekordmene, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe moment jo të mira në karrierë?

Një moment i mirë them se në vitin 1976 përfaqësova ekipin kombëtar. Në garat me ekipin kinez, unë e munda notaren kineze dhe ajo u befasua. Të pranishmit në Durrës u ngritën në këmbë për këtë sukses, ndërsa unë u befasova dhe u krenova.

Po infrastruktura në sportin e notit në Vlorë e gjithë Shqipërinë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport? 

Në Vlorë ne përgatiteshim në det të hapur, dhe jo në të gjitha stinët. Trajnerët i jepnin rëndësi përgatitjes fizike gjithë vjetore, në palestër dhe në pista vrapimi. Përgatiteshim edhe te pishinat e fabrikës së Çimentos, ku e fillonim që në muajin prill, duke konkurruar edhe me shkodranët e durrsakët, apo sarandiotët që kishin më shumë kushte.

Pas largimit nga aktiviteti si notare, ju e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?

Po po, mua më caktuan mësues të edukimit fizik me klasat sportive në not. Unë nuk kisha klasë në kujdestari, dhe kujtoj në 7 marsin e parë vajzat më kanë sjellë dhurata. Pasioni ekziston ende, por tashmë edhe për sporte të tjerë relaksues.

Shpesh në bisedë ju përmendni babain tuaj, pjesë e dashurisë apo diçka më shumë?

Për prindrit besoj se gjithkush ka dashuri, e tani që nuk jetojnë nostalgjia është e madhe. Por babai ishte tifozi im më i mirë në Vlorë e gjithë Shqipërinë. Ishte një prind që më bënte të ndjehesha e veçantë. Më trajtonte si djalë mes të gjitha motarve të mia.

Në gjithë karrierën tuaj si notare (apo edhe trajnere), si e përshkruani evolimin në sportin e notit në Shqipëri?

Unë i ndoqa fillimisht me interes ndryshimet në infrastrukturën e Notit, por ende sikur nuk i jepet shumë rëndësi. Kam mësuar se në vitet e fundit, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, ka bërë shumë. Por, tashmë janë disa pishina që ne nuk I kemi patur.

Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notare, po si trajnere, cili ka qënë vlerësimi për trajningun në sportin e notit?

Po, unë kam marrë të gjitha vlerësimet e mundshme sportive këtu në Shqipëri, ndërsa në Amerikë isha shumë e vlerësuar. Mësonim teknikën, pastaj teknikat dhe kilometrazhin. Kjo më ka dhënë shumë respekt kur drejtoja klasa noti në Amerikë. Kujtoj në ILKF kisha shumë interes

Në Cupertino ku uën punoj njihet si shtëpia e Aple dhe në ato ambiente stërvitore mësova se kërcimi, vrapimi, ecja dhe noti janë shprehje natyrale. Edhe një fëmijë që harxhon kohë në ujë e mëson notin natyrshëm, është një notar I mirë.

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni ta vazhdoni pasionin me trajningun në sportin e notit?

Notoj jo sa dua, sepse jam e kushtëzuar pasi bëj ecje në natyrë. Pasioni im është Joga në dhomë të nxehtë, që më ka mrrekulluar. Ecja është shumë e mirë për shëndetin në shumë aspekte, ndaj sot atë e praktikoj më shumë, por edhe notimin.

Me dy Yjet e notit shqiptar, Elida Xhindi dhe Petrit Guma..

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Nuk kam qënë për gara e takime që ka bërë kjo shoqatë, sepse ata mblidhen në muajin gusht, periudhë që unë e kam të pamundur të jem në Shqipëri. Por jam pranë tyre në çdo kohë, dhe kur morra titullin Mjeshtre Madhe në vitin 2021, jam takuar me shumë nostalgji me disa vetarënë të notit shqiptar.

Biseda jonë e meriton të mbyllet edhe me një urim për sportin e notit në Shqipëri. Cili është nga ju?

Unë mendoj se sportit i notit është i bukur dhe hyn për gjithë moshat. Të ndihmon edhe në jetë, të ndihmon për shëndetin dhe do doja që në Shqipëri të investohet më shumë për Notin. Uroj që të ketë sa më shumë pishina dhe përfaqësime në nivele europiane e botërore të notarëve shqiptarë.

Ndjehem e respektuar dhe e vlerësuar për karrierën time sportive si notare. jerëzit më respektuan 5 Medalje Ari dhe jetëgjatësia ime në not, janë dy treguesit e karrierës sime në sportin e notit. Për 14 vjet unë garova dhe thyeva 52 rekordet kombëtare, madje edhe kur isha 27 vjeç. Rekordi im u thye pas 40 vjetësh

52 Rekorde

Në karrierën e saj 14 vjeçare si notare, Elida thyeu 52 Rekorde Kombëtare të me të Rriturat, pa llogaritur të Rinjtë dhe moshat, si dhe pa përmëndur edhe rekordet me stafetat. Njëherësh, ajo ishte edhe 86 herë fituese e garave (me asnjë garë të humbur në karrierë), 46 herë kampione kombëtare dhe fituese e 5 Medaljeve Ari në Spartakiadën Kombëtare. Kjo është Elida Xhindi, një histori suksesi në sportin e notit në Shqipëri.

40 vite

Rekordi im u thye pas 40 vjetësh, dhe për këtë fakt, sa isha krenare, aq edhe isha e prekur pse kjo zgjatje. Kjo tregonte edhe nivelin e cilësinë e garimeve gjatë këtyre viteve. Kujtoj kur studioja në ILKF, pedagogia e filozofisë, Yllka Lalazi më thoshte se ndjehej krenare që ishte nga Vlora, si me Elida Xhindin ashtu edhe me me Kreshnik Çipin. Ju shprehej studentëve të tjerë se ne të dy e bënim krenare.

Kisha shumë interes.

TRAJNERI ILIRJAN KRESHPA

Ajo (Elida) i thyente rekordet sa herë që dëshironte

Në sport ka një thënie, se “Mjeshtri nxjerr mejshtra”. Kështu ka ndodhur edhe me Ilirjan Kreshpën, një ish-notar kampion dhe trajner për shumë vite në sportin e notit. Kur Kreshpa pyetet, midis shumë emrave që ka trajnuar dhe për Elida Xhnidin në veçanti, vlerësimet e tij janë të larta. “Në karrierën time si trajner i Flamurtarit, Elida Xhindi ishte një nga notaret që e ngjiti nivelin e garimit, duke e përmirësuar historinë në këtë sport. Në atë periudhë, Lida klasifikohej në 5 sportitstët më të mirë të Shqipërisë, madje e ka fituar disa herë edhe anketën “10 Sportistët më të mirë të Shqipërisë”. E veçantë ishte, se në çdo garë, Elida Xhindi i thyente rekordet kombëtare sa herë që dëshironte. Por ajo i thyente ato me kohë të lartë, ndërsa kryesimin apo vëndin e parë nuk e ka diskutuar. Pra, them se ishte absolute dhe një nga më të mirat e Shqipërisë në këtë sport”, ky është vlerësimi i Ilirjan Kreshpës për Mjeshtren e notit shqiptar Elida Xhindi.

CV sportive ELIDA XHINDI

Datëlindja: 5 mars 1962 Vendlindja: Vlorë  Vendbanimi: Vlorë-USA  Arsimi: Të Lartën, ILKF “Vojo Kushi” (Akademia e Sporteve)  Profesioni: Arsimtare e edukimit Fizik  Sporti që ka ushtruar: Notin  Karriera si sportiste: Në vitin 1972 me Fëmijët, në vitin 1975 me të Rejat dhe me të Rriturat Gara e parë në karrierë: Në vitin 1975 në Lushnje në garat e Shpinës  Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1975 në gara 100 m Shpinë në pishinën e Lushnjës   Sukseset si notare: Spartakiada Kombëtare 4 në vitin 1989, thyeu 5 rekorde kombëtare dhe fiton 5 medalje Ari   Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1976, në grumbullim me Kombëtaren në Durrës, mund edhe notaren kineze në 100 m Shpinë Tituj e trofe në karrierë: Në vitin në  , gara    Në vitin   në  , gara

Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1989 në Durrës, gara 100-200 m Shpinë        Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1989 në Shkodër, garat 50 me dhe 100 m Stil i Lirë   Tituj personalë në sport: Mjeshtre e Sportit, Mjeshtre e Merituar e Sportit, Mjeshtër i Madh  Karriera si trajnere: Në vitin 189-1991 me klasat sportive te Shkolla 1 Maji. Në USA Kryetrajnere e ekipeve të moshave North East   Kualifikime e formime: Gjyqtare Noti në Amerikë, përfaqësoi klubin SantaClara ku ka notuar i madh Mark Spitz. Kordinatore e departamentit të Notit  Detyra në institucione sportive: Drejtoreshë e klasave të Aerobisë sportive në North East  Aktualisht:  në USA, Drejtoreshë në zyrë programimi

 

KONSIDERATA E VLERËSIME

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Elida Xhindi mbetet një nga Ikonat e notit shqiptar

Mjeshtri i Madh Sadik Mema, udhërrëfyesi i përgatitjes së Profileve për notarët elitarë në historinë e Notit shqiptar, edhe këtë herë nuk mongoi me konsideratat e tij për notaren vlonjate Elida Xhindi. Për Pupin, ajo mbetet një nga Ikonat e notit shqiptar. “Sa herë pyetem për notaren Elida Xhindi, e them me bindje dhe respekt se ajo ishte dhe mbetet një nga Ikonat e notit shqiptar, një nga anëtaret më të mira të historisë së notit në Shqipëri. Lida spikati si notare elitare që në moshën 14-15 vjeç, me thyerjen e rekordeve kombëtare në stilin shpinë, Më vonë, ajo u dallua si fituese absolute dhe rekordmene, edhe në stilin e lirë dhe në katërnotim. E them me bindje këtë vlerësim, sepse veç që thyente rekordet kombëtare të larta në garat që notonte, ajo kishte vazhdimësi me rezultatet e larta, për më shumë se 15 vite në çdo garë. Ndaj e them me nostalgji dhe respekt, se Lida Xhindi mbetet Ikonë e Notit shqiptar, e cila ka rezatuar gjithmonë mirësi, e thejshtë dhe një kampione në sport dhe në jetë. Unë ruaj kujtimet më të bukura për garat e saj”, kështu e vlerëson Sadik Mema notaren elitare Elida Xhindi.

PAVLLO KISI, ISH-TRAJNER I FLAMURTARIT

Elida është një kampione e madhe, absolute në garat që zhvilloi

Nëse i referohemi Notit shqiptar, natyrisht që Pavllo Kisi mbetet një nga emrat e mëdhenj. Një kampion dhe rekordmen edhe në trajning, Mjeshtri Kisi ka përgatitur me dhjetra notarë dhe notare, madje të gjithë kampionë dhe rekordmenë kombëtarë në garat që kanë zhvilluar. Edhe Elida Xhindi veçohet prej tij si e tillë, madje Pavllo shprehet se ajo ishte notarja më e mirë që unë ka trajnuar te Flamurtari. “Kur më kërkohet të flas për Elida Xhindin, me krenari e them se ajo ishte një nga notaret më të mëdha që unë kam trajnuar, por edhe i gjithë noti shqiptar në historinë e tij. Ajo ka qënë një kampione e madhe në garat që ka zhvilluar, ku edhe ka thyer me dhjetra rekorde kombëtare. Lida ka fituar edhe në Spartakiada Kombëtare, dhe në njërën nga këto pjesëmarrje morri 5 Medalje Ari. Në garat e Shpinës, në Krol apo në Katërnotim, Elida në të gjitha garat ishte absolute, duke e shënuar emrin e saj në elitën e notit shqiptar. Një notare që ky sport e veçon edhe jo vetëm si absolute në garat që ka zhvilluar, por edhe një garuese ekselente”, është ky vlerësimi i Pavllo Kisit për notaren kampione, Elida Xhindi.

5 Medalje Ari

Në memorrien e historisë së Notit shqiptar është edhe një tregues domethënës për Elida Xhindin si notare elitare. Në Spartakiadën e 5-të Kombëtare, ekipi i Flamurtarit në not do të fitonte 10 medalje Ari duke, zënë vendin e parë në Spartakiadë. Ndërsa 5 prej këtyre medaljeve i fitoi notarja Elida Xhindi, e cila është e vetmja notare shqiptare që ka fituar 5 medalje ari në një veprimtari.

Kur shkruan për MJESHTREN E MADHEN Elida Xhindin!

Pasi kam biseduar me Elida Xhindin për këtë intervistë, kam folur me disa personalitete të Notit shqiptar ndër vite, me Mjeshtra Sporti e Mjeshtra të mëdhenj, të cilët më futën në shinat e duhura për të nxjerrë më shumë nga arkiva e biografisë sportive të kësaj Mjeshtre të Madhe. Dhe pasi lexova disa material rreth karrierës së Elidës në sportin e notit, solla në kujtesën time sa e sa shkrime në karrierë, biseda, intervista, profile, poezi e tregime sportive, por edhe pse jo me emrë, më dukej sikur Elida ishte mes tyre në rradhët më kryesore. Ky ishte impakti që më la kaq shumë mbresë, dhe në këto radhë e nxorra një titull: Kur shkruan për MJESHTREN E MADHE Elida Xhindi! Dhe këtë foto me IKONA të Notit shqiptar ndër vite, unë e mendoj si një vijë të drejtë për trashëgiminë sportive brez pas brezi. Kështu do uroja edhe për Ju, Mjeshtre e Madhe Elida Xhindi.