Dorëheqje e papritur e Mezanit, me sloganin “Para Laçi”!

585
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ Nuk kanë kaluar as 10 ditë nga përfundimi i sezonit 2017-2018, vjen dorëheqja e radhës nga bankinat

Gentian Mezani nuk është më trajner i Laçit, largimi i tij dje ka bërë të veçantën jo vetëm për befasinë, por edhe për sloganin që ka përdoruar në statusin e tij në Facebook: “Para Laçi!” Qoftë largu, si partizanët që dilnin mbi transhe, dhe sa shqiptonin “Para partizanë!”, i mbulonin plumbat e armikut. Gjithsesi, përpos këtij krahasimi, dje për gazetën “Telegraf”, Mezani e pranoi dorëheqjen e tij nga bankina e Laçit, duke deklaruar se ka mbyllur gjithçka me klubin kurbinas, dhe kjo, ndoshta nuk mund të quhet shumë çudi, sepse kishte diçka që nuk shkonte në vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve, përderisa Gentian Mezani nuk po konfirmohej nga presidenti Pashk Laska. Në bisedë me gazetën “Telegraf”, Mezani tregoi edhe arsyet personale të kësaj dorëheqjeje, dhe njëkohësisht, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e ndihmuan të punonte në Laç, duke nisur nga presidenti Laska. “Nga sot (dje), aventurës time te Laçi i erdhi fundi. Unë po largohem nga drejtimi i skuadrës, vetëm për arsye personale, edhe pse kjo skuadër më dha mundësinë dhe kënaqësinë e drejtimit në elitë. E ndjej si detyrim moral që ta falënderoj presidentin Pashk Laska, sepse më dha mundësinë të trajnoj Laçin, njëherësh edhe për korrektësinë e tij në çdo aspekt të bashkëpunimit mes nesh”, kështu theksoi fillimisht Gentian Mezani në deklaratën e tij për gazetën “Telegraf”, duke vazhduar më pas me “rubrikën” e tij të falënderimeve, të cilat fshehin diçka që ndoshta në ditët në vazhdim do të zbardhet. “Është normale që unë të falënderoj tifozerinë e mrekullueshme të Laçit, e cila na ka qëndruar gjithmonë pranë, ndërsa mua më ka respektuar në mënyrë të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe. Unë në këtë situatë, veçse duhet të falënderoj stafin me të cilin punova te skuadra e Laçit, por edhe lojtarët, të cilët bënë të mundur përjetimin e një eksperience të jashtëzakonshme për mua, jo vetëm nga pikëpamja teknike, por dhe ajo njerëzore. I uroj Laçit suksese në Evropa Ligë dhe në kampionatin e ardhshëm! Faleminderit dhe do t’ju jem gjithmonë mirënjohës! Para Laçi!”, ishte kjo deklarata e Gentian Mezanit, e cila më pas është postuar edhe në statusin e tij në Facebook. Mezani e mori drejtimin e Laçit katër javë pas nisjes së Kategorisë Superiore 2017-2018, dhe arriti të sigurojë vendin e 4-t, ndërkohë që ishte edhe finalist i Kupës së Shqipërisë, të cilën e humbi me Skënderbeun 0-1. Kësisoj, arsyet e dorëheqjes duken ende të paqarta, dhe tani i mbetet presidentit Pashka Laska që të vendosë për zëvendësuesin e Mezanit në bankinën e Laçit.

Ecuria e Laçit në Kategorinë Superiore 2017-2018

Nd 36, F 16, B 8, H 12, Golat 45:39, Pikë 56, Vendi 4