Në Superiore veçoj Luftëtarin, Dinamo sot, skuadër modeste

531
Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”Igli Allmuça, ish-futbollisti e sot trajneri i Dinamos Igli Allmuça
Në fundjavën e shkuar, Dinamo ka fituar 3-1 një ndeshje të vështirë në transfertën e Fierit, e kishit menduar tri pikëshin ndaj Apolonisë?

Për të qenë i sinqertë me ju, edhe e kisha menduar, përpos faktit se e dinim që ishte një ndeshje e vështirë ndaj Apolonisë. Jo vetëm se ishte një ndeshje në transfertë, por edhe për vetë gjendjen aktuale që Apolonia ka në renditjen e grupit B. Ne treguam nivel loje më të mirë se kundërshtari, madje kemi gabuar shumë në finalizim, pasi mund të shënonim edhe gola të tjerë.

Veç gabimeve në finalizim, cili ishte çelësi i kësaj fitoreje nga Dinamo?
Skuadra po tregon vazhdueshmëri në lojën e saj, sidomos në krijimin e rasteve të golit para portës kundërshtare. Duke i shtuar këtu edhe mobilizimin total që skuadra tregoi gjatë gjithë ndeshjes, ne bëmë të mundur që të dilnim me tri pikë nga stadiumi i Fierit. Por, fitoren në Fier e mendoja edhe për arsyen tjetër, pasi ai është një stadium shumë i mirë që të lejon të luash mirë, si edhe për faktin se skuadra e Apolonisë të lejon të luash futboll normal në fushën e saj.

Nisur nga renditja që Dinamo ka në Grupin B të Kategorisë së Parë, cili është synimi juaj final në këtë kampionat?
Në këtë sezon ne synim të vetëm kemi që të renditemi në kushte komode, as mos të rrezikohemi për të rënë nga kategoria, por as edhe për tu renditur në vendet e kreut. Ne nuk pretendojmë që të hyjmë këtë sezon në Kategorinë Superiore, ndaj edhe synimet janë për komoditet.
Pse kështu kjo Dinamo, e cila në historinë e futbollit shqiptar është një emër shumë i madh?
Emri i Dinamos është i tillë, por realiteti ndryshon nga ajo histori e madhe e suksesshme. Ka histori të tilla si kjo e Dinamos, pasi ka pasur shumë faktorë që e zbritën në Kategorinë e Parë. Por mendoj se sot nuk është momenti të “qajmë”pse jemi këtu, por duhet të mendojmë se si do të rikthehemi aty, në kategorinë Superiore.

Si një dinamovit, duket se nuk ndjeheni mirë në këtë situatë të skuadrës?
Po natyrisht që nuk ndjehem mirë, sepse kur përmendim historinë dhe shikojmë realisht se ku jemi, kjo nuk është ndjesi e mirë. E kemi pranuar jo për të qenë në këtë gjendje, por unë i kam hyrë punës së trajnerit që me Dinamon të bëj më të mirën, pse jo, në synimet e afërta të jemi pretendentë për tu ngjitur në Kategorinë Superiore.

Dhe duke qenë i angazhuar me Dinamon në Kategorinë e Parë, si e keni ndjekur ritmikën e ndeshjeve të Kategorisë Superiore në këtë sezon?
Sot ka shumë mundësi që ta ndjekësh futbollin shqiptar, e për pasojë Kategoria Superiore duke u transmetuar në Super Sport, ta jep mundësinë që të jesh më pranë. Natyrisht që unë shkoj shpesh në stadium, pasi kam mbaruar detyrimin në fundjavë me Dinamon. Duke qenë se kemi gjashtë sezone që luajmë në Kategorinë e Parë, jo vetëm pasioni e profesioni na afron me Superiores, por edhe nostalgjia e viteve të bukura që kemi kaluar.

Dje u mbyllën të gjitha ndeshjet e javës së 21-të, si e shikoni renditjen aktuale?
Ka një garë treshe shumë të fortë në kreun e renditjes, ku Kukësi, Skënderbeu e Partizani besoj se do të jenë rivalë për Titullin Kampion deri në fundin e Kampionatit. Me rezultatet që u fiksuan këtë javë, veçoj ngjitjen e Luftëtarit në vendin e katërt, vend që e afron me zonën e Evropës, por edhe kalimin e Skënderbeut në vendin e dytë. Në pozicionet e tjera, thuajse nuk kishte ndryshime evidente.

Çfarë veçoni nga pesë ndeshjet e kësaj jave të Kategorisë Superiore?
Në fakt, të pesta ndeshjet e kësaj jave patën të veçantat e tyre. Kështu, me barazimin në Durrës, Partizani ka bërë një hap falso sa i përket rivalitetit në vendet e kreut të renditjes, ndërsa Luftëtari pas fitores me Korabin, duket se po orientohet pozitivisht nga kreu i renditjes.

Cilën veçoni si ndeshjen më të mirë të javës, dhe pse?
Unë e ndoqa ndeshjen Vllaznia-Flamurtari dhe mund të them se ka qenë një ndeshje e bukur dhe me emocione ku vërtet u prodhua futboll. Ndeshje të tilla, veç kënaqësisë dhe emocioneve që të krijohen, i japin shumë vlera kampionatit tonë ,

Sikundër po luajnë skuadrat, mendoni se kreu do të ketë edhe rivalitete të tjera?
Nuk e besoj për ndonjë skuadër të katërt në këtë luftë, sepse duket si e pamundur. Diferenca e Luftëtarit të vendit të katërt me Partizanin e vendit të tretë është 11 pikë, por çudira edhe mund të ndodhin, të cilat nuk mendoj se do të ndodhin. Treshja aktuale; Kukësi-Skënderbeu-Partizani do të jenë të tilla deri në fund, rivalë.

Po për skuadrat e mbijetesës, si e shikoni luftën për skuadrën e dytë që do të shoqërojë Korabin në Kategorinë e Parë?
Këtu do të jetë shumë e vështirë, sepse sikundër janë pozicionuar skuadrat, do të luhet një kampionat më vete për një vend. Janë edhe 15 javë për tu luajtur me 45 pikë në lojë, kështu që edhe Korabi mund të ketë ndryshim dhe ta hapë garën e mbijetesës. Gjithsesi, së bashku me Korabin, në këtë luftë mendoj Laçin, Teutën e më pak Vllazninë.

Gjatë muajit janar 2017 ka pasur disa akte jo normale nga tifozët e Tiranës, çfarë tregon kjo mendësi e tyre për stadiumin?
Këto janë raste specifike,të cilat duhet të komentohen e të zgjidhen nga ata drejtues skuadrash që i kanë krijuar (nëse i quajmë raste të tillë). Sikundër mësuam nëpërmjet medias, pati një tentativë për prishjen e fushës së stadiumit “Selman Stërmasi”, e cila nëse do të ndodhte, do të dëmtonte më shumë futbollin se sa kundërshtarin (Partizanin). Besoj se në këtë situatë të dyja tifozeritë janë ndërgjegjësuar për kufijtë e tyre, e në të ardhmen shpresoj të kemi po ata tifozë që gjatë ndeshjeve në stadiume të sjellin emocione të mëdha.

Në mesjavë do të luhen ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, cilat skuadra mendoni se do të kualifikohen në gjysmëfinale?
Së pari, për këto ndeshje do të thosha se janë shumë të vështira, përjashtuar atë në Kukës, ku Tirana duket si e fituar, pas humbjes në kampionat ditën e shtunë. Në takimin Vllaznia-Teuta e Besëlidhja-Flamurtari mendoj se do të ketë më shumë luftë sportive e rivalitet për kalimin në gjysmëfinale, por si katërshe mendoj Tiranën, Skënderbeun, Vllazninë e Besëlidhjen.

Kur do ta shohim Dinamon mes skuadrave më të mira në Kategorinë Superiore?
Momentalisht e kam të vështirë për një përcaktim, sepse Dinamo sot stërvitet në orare të papërshtatshme në Kompleksin “Dinamo”, ndërsa ndeshjet i luan në Pezë Helmës, ku vështirësitë e lojës i kemi pasur të mëdha, pasi nuk përshtatemi sikundër në stadiumet e tjera në Tiranë. Shpresoj që e ardhmja të jetë e afërt.

Nëse Igli Allmuça merr një ofertë nga skuadra të Kategorisë Superiore, është gati ta “braktisë” Dinamon?
Trajnerët janë pjesë e tregut, që do të thotë se çdo ofertë që mund të vijë, vlerësohet e më pas merret vendimi. Por, Dinamon e kam të vështirë që ta braktis, këtu kam shumë kujtime, aq më tepër se në bankinë më kanë ofruar me respekt.
Ka një garë treshe shumë të fortë në kreun e renditjes, ku Kukësi, Skënderbeu e Partizani besoj se do të jenë rivalë për Titullin Kampion deri në fundin e Kampionatit. Me rezultatet që u fiksuan këtë javë, veçoj ngjitjen e Luftëtarit në vendin e katërt, vend që e afron me zonën e Evropës, por edhe kalimin e Skënderbeut në vendin e dytë
11 gola
Kaq është numri i golave të shënuar në javën e 21-të të Kategorisë Superiore, me një mesatare 2.2 gola për ndeshje

1 trajner
Referuar deklaratës mediatike të dorëheqjes së Armando Cungut nga bankina e Vllaznisë, ky është i pari për vitin 2017
Igli Allmuça
Datëlindja: 25 tetor 1980
Vendlindja: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Pozicioni në fushë: Mesfushor
Numri në fanellë: 14
Karriera si futbollist: Në periudhën 1999-2006 me Partizanin, në sezonin 2006-2007 me Tiranën, në periudhën 2007-2011 me Dinamon, në sezonin 2011-2012 me Skënderbeun, në periudhën 2012-2015 me Kukësin, në vitin 2015 me Dinamon
Tituj e trofe të fituara: Me Partizanin në sezonin 2003-2004, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën; me Tiranën në sezonin 2006-2007 Titullin Kampion dhe Superkupën; me Dinamon, Titullin Kampion në sezonet 2007-2008 dhe 2009-2010 dhe Superkupën në sezonin 2007-2008; me Skënderbeun Kampion në sezonin 2011-2012
Me Kombëtaren: Luajtur me të gjitha Kombëtaret e moshave deri në U 21, me Kombëtaren luajtur në 1 ndeshje
Karriera si trajner: Nga viti 2015 e në vazhdim, me Dinamon në Kategorinë e Parë
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet/ java e 21-të
Të premten, 10 shkurt 2017
Teuta-Partizani 0-0
Të shtunën, 11 shkurt 2017 
Skënderbeu-Laçi 1-0
Vllaznia-Flamurtari 3-2
Tirana-Kukësi 1-2
Të dielën, 12 shkurt 2017 
Luftëtari-Korabi 2-0
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1. Kukësi 21 45
2. Skënderbeu 21 41
3. Partizani 21 39
4. Luftëtari 21 28
5. Tirana 21 27
6. Vllaznia 21 24
7. Flamurtari 21 20
8. Teuta 21 20
9. Laçi 21 20
10. Korabi 21 11
DUKURIA E JAVËS / Kukësi e Tirana “trukojnë” trofetë e sezonit!
Gjatë javës së kaluar, në intervistat që kemi zhvilluar me disa nga figurat e futbollit shqiptar ndër vite, është prekur edhe një deklaratë e trajnerit të Kukësit Ernest Gjoka, i cili në një deklarim mediatik e la të hapur mundësinë e fitores së Kukësit në ndeshjen e Kampionatit, njëherësh e la të nënkuptohej edhe për kualifikimin e Tiranës në Turin Çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Dhe gjysma e parashikimit ka dalë, sepse të shtunën Kukësi fitoi në Tiranë 2-1, duke e thelluar distancën me skuadrat rivale në kreun e renditjes. Por, edhe pse kemi të mërkurën ndeshjen e Kupës së Shqipërisë Kukësi-Tirana, tashmë është e kuptueshme që bardheblutë do të fitojë këtë ndeshje të dytë çerekfinale, duke e quajtur këtë (nëse ndodh, po) një trukim të pastër të trofeve të këtij sezoni futbollistik. Nuk mund të mendohet ndryshe, kur sheh të ndodhin ato që mediatikisht janë deklaruar. Njëherësh, nuk mund të mendohet ndryshe në këtë aferë të pastër, kur thuhet në media se në ndeshjen e ditës së mërkurë në Kukës, skuadra verilindore do të ketë mungesa në formacionin bazë, pasi lojtarët janë të lodhur me ndeshjet e kampionatit. Çudi shqiptare nuk është, sepse Kukësi ka para edhe festën e Shën Valentinit (të dashuruarve), ku futbollistët e tij edhe mund të lodhen nga festimet. Ndërsa nuk është çudi të ndodhë që Tirana të kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës, këtu kemi realitet shqiptar, i cili vit pas viti ka qenë pjesë e ndeshjeve të trupuara në futboll. E mërkura në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit do ta zbardhë realisht këtë “truk” mjaft aktoresk me dy akte: Në të parin fitoi Kukësi, ndërsa në të dytin fiton Tirana. Por Kukësi e kupton se, Tirana këtë sezon nuk ka shumë këllqe që ta frenojë atë në stadiumin e tij, e mund të ndodhë që kryeqytetasit të dalin pa gjë këtë sezon. Të presim të mërkurën.
Sigal