Moisi Dalipi: Tre tetat e  “thyera “ të Vlonjatit Alfred Ziajit

331
Sigal

Në historinë e klubit të futbollit, Flamurtari, Alfred Ziaj  ka mbetur si një  vlonjat  i dashuruar   fort me sportin e topkëmbës. Të tillë e kujton vazhdimisht opinion ynë sportiv, ish-futbollistin  vlonjat, ish-Presidentin e Shoqatës  të Minifutbollit Shqiptar,  ish-anëtarin e Komitetit  Ekzekutiv të F.SH.F-ës, të paharruarin Alfred Ziaj. Këto ditë mbushen tetë vjet që ai është ndarë nga jeta, por për të gjithë dhe në veçanti vlonjatëve ju duket se e kanë atë përsëri pranë, diku duke luajtur futboll, diku duke organizuar një aktivitet të futsallës, ose duke diskutuar për rritjen e cilësisë sportive. Dhe nuk janë pak, por më shumë se 25 vjet  që Alfrend Ziaj ju përkushtua fort futbollit vlonjat dhe minifutbollit shqiptar, ndaj të gjithë e kanë  të vështirë të besojnë se ai nuk është më në rradhët e tyre. Gjithsesi për njerëz të tillë me vlera  dhe me përkushtim gjithmonë memorja sportive do të flas me gjuhën e mirënjohjes dhe respektit të vlerave të tij.


                                              Tre tetat e veçanta të jetës
Ndodh shpesh që jeta i përqas ngjarjet në atë mënyrë që pak kush mund të besoj se ka ndodhur vërtetë kështu. Por është fakt se biografinë e kronologjisë së ngjarjeve në jetën e Afred Ziajit  data 8 shkurt mbart në vetevete, tre kulme me tre ngjarje që nuk i ngjajnë shumë njëra-tjetrës, por që duhet besuar se të tilla janë. Kështu më 8 shkurt 1961 është ditëlindja e tij. Më 8 shkurt  1985 ai ka fituar me Flamurtarin e tij të dashur dhe të gjithë shokët e skuadrës, kuqezi Kupën e Republikës, që është dhe trofeu i parë i fituar në historin e kësaj skuadre. Por dhe në mëngjesin e 8 shkurtit 2013 ai është ndarë nga jeta në moshën 52 vjecare. Të treja këto ditë mbledhura bashkë tek data e 8 Shkurtit, qëndrojnë plotë kredo me veçoritë e tyre në jetën e tij. Gjithsesi secila prej këtyre tre ditëve të njëjtës datë, por në vite të ndryshme ka rëndësinë dhe specifikat e saj që ndryshe duhet pranuar se i qëndrojnë jetës dhe veprimtarisë së tij, si tre numra të “thyer”, që kujtohen vazhdimisht nga familja, shokët dhe miqtë e shumtë. Kështu në orët e para të mëngjesit më 8 Shkurt 1961  ai u lind si fëmija i dytë i familjes të Kujtim dhe Bajame Ziaj. Familjarët tregojnë se ditët që është pagëzuar me emrin Alfred, dy xhaxhallarët e tij Astriti dhe  Novruzi i vendosën pranë një top llastiku, me dëshirë për tu bërë futbollist. Dhe në fakt dëshira e tyre u bë realitet. Por në 8 shkurt 1985  atë ditë kur  Alfredi  mbushte 24 vjeç së bashku me skuadrën e tij Flamurtarin fitonin në Elbasan, në finalen e Kupës së Shqipërisë  kundër Partizanit me rezultatin 2-1 duke sjellë në Vlorë për herë të parë në historinë e klubit  vlonjat një trofe me kaq shumë rëndësi. Por 8 shkurti 2013 është shumë ndryshe nga dy rastet e mëparshme dhe aspak i dëshiruar për të gjithë. Në mëgjesin e asaj dite të ftohtë dimri, kur Fredi  kishte  mbushur vetëm 52 vjeç pas një sëmundje të gjatë shuhet jeta e tij në një nga klinikat e Tiranës. Dhe atë ditë jo vetëm Vlora, por e gjithë bota e sportit në vendin tonë dhe me gjerë u përlot dhe përcolli me shumë nderime këtë njeri të sportit dhe qyetar të nderuar të Vlorës. Kësaj dhimbje të parakohëshme ju bashkua  me telegramin ngushëllues dërguar familjes Ziaj dhe ish-Presidenti FIFA-s, Sep Blater.

               Mesfushori i Flamurtarit të vitet të  arta

Futbollin e mësoi së bashku me shoket e fëmijërisë atje në rrugicat e lagjes së tij, Varosh në qytetin e Vlorës. Në një prej ditëve kur ishte vetëm 15 vjeç, afrohet tek ekipet e moshave të Flamurtarit. Më vonë vjen kalimi tek ekipi i të rinjve. Vetëm një vit qëndroi tek ekipi i të rinjve të Flamurtarit, sepse në moshën 18 vjecare ish-tajneri Agron Sulo, do ta bënte pjesë të skuadrës tij, së bashku me Çipin, Lushajn, Tahon , P.Ruçin, Birçen, Xhahon , V.Ruçin, Ferkon, Bubqin, Kushtën e të tjerë. Dhe vendi në formacion ishte në mesfushë edhe pse  në shpinë, mbante fanellën numër  9, të dorëzuar  në atë ceremoni të vitit 1979, nga ish-sulmuesi i njohur vlonjat, Shemsi Zilja. I fortë, plot energji, gjithmonë në mbështetje të skuadrës, Alfred Ziaj ishte një mesfushor i kudondodhur në fushën e lojës. Plotë 12 vjet ka kontribuar  tek skuadra e Flamurtarit, duke ndarë me shokët e skuadrës së tij, gëzimet e sukseseve, por dhe emocionet e zhgënjimeve. Flamurtari në vitet 1980 -1991 bëri emër jo vetëm në kampionatin shqiptar si një rival i fortë i Partizanit, Dinamos,17 Nëntorit, Vllaznisë e Besës, ku në vitet 1985 dhe 1988 ka fituar dy herë, Kupën e Shqipërisë  dhe në 1991 titullin Kampion Kombëtar, por dhe si një skuadër që ka prezantuar më së miri vlerat e futbollit shqiptar në Kupat e Europës. Të gjithëve ju kujtohen ndeshjet e atyre viteve kundër HJK Helsinki në 1985, kundër Barcelonës më 1986 dhe 1987, kundër Partizanit të Beogradit në 1987, Vismut Aue 1987, Leh Poznanit më 1988 dhe Goteborgut më 1991. Pjesë e atij, Flamurtari ka qënë Alfred Ziaj ku çdo sukses brenda dhe jashtë vendit e ndante vetëm me tifozët e zjarrtë vlonjat. Në kornizën e viteve 1979 deri më 1991 Alfred Ziaj ka zhvilluar 304 ndeshje me fanellën e Flamurtarit ku ka shënuar 21 gola. Në arkivën  e tij janë dhe 17 ndeshje ndërkombëtare miqësore për Kupat e Europës dhe tre ndeshje me ekipin kombëtar. Në kronikën e secilës prej këtyre ndeshjeve Alfred Ziaj ka paraqitjen, vlerat dhe pjesën e punës dhe energjive të tij në shërbim të skuadrës. Mesfushorët dhe sulmuesit shqiptar apo të huaj që kanë qenë kundërshtar të tij në fushën e lojës, kanë parë nga afër forcën  dhe teknikën e tij në marrjen  dhe përpunimin e topit dhe organizimin e manovrës sulmuese. Të gjithë  e kujtojnë, se në fushën e lojës Alfred Ziaj nuk i trembej asnjë kundërshtari, pavarësisht nga emri që ai kishte dhe se kujt skuadre i përkiste. Se ishte një futbollist me vlera dhe cilësi të tilla  në fushën e lojës, ndaj dhe tifozeria vlonjate e kishte etiketuar me nofkën “luftëtari i mesfushës”.

                   Përkushtimi për ngritjen dhe zhvillimin e  futsallës
Në fillim të viteve 2000  me iniciativën e Alfred Ziajit filluan të ngrihen ekipet e para shqiptare të minifutbollit. Në fillin në fusha të vogla të kalçetove private  dhe pak më vonë në palate e palestra sporti në shumë qyete si Tiranë, Shkodër, Durrës. Elbasan, Vlorë, Shijak, Fier, Lezhë, Pogradec, Lushnje, Patos, Gjirokastër etj., nisën të lindin ekipet e para. Në vitin 2002 zhvillohet  dhe kampionati i parë i futsallës i cili për shumë vite të tij dhuroi garë të fortë dhe cilësi. Po kështu dhe ndeshjet finale për Kupën e Shqipërisë. Në këtë rritje të këtij sporti filluan dhe prezantimet e ekipeve shqiptare në Kupat e Europës si ekipi kombëtar dhe ai i U-21 të futsallës që marrin pjesë në shumë ndeshje brenda dhe jashtë vendit për eleminatoret e Kampionatit  botëror, europian dhe atij mesdhetar. Edhe ne këtë drejtim Shqipëria e futsallës  ka treguar vlerat e saj gjithnjë në rritje. Pa asnjë  diskutim kontributi i Alfred Ziajit si President i Shoqatës të Minifutbollit në vitet 2002-2010 ka qenë shumë i madhë, si kontribues dhe drejtues në zhvillimin e garës dhe rritjen e cilësisë sportive të saj. Kjo është një arsye më shumë që i jep   jetës sportive të këtij njeriu dimesionin e respektit, vlerave dhe kujtimeve të paharruara edhe pse vitet ecin në ritualin e tyre kalendarik . Tre tetat e “thyera”, të  Alfred Ziajit janë një memorje sportive plotë vlera dhe kontribute sportive. Dhe të tilla do të kujtohen ato, gjithmonë, së bashku me emrin e tij .

Skenda  e Alfrend Ziaj

Lindur: Në Vlorë më, 08.02. 1961
Ndarë nga jeta:
Më, 08.02.2013
Karriera në sport:
1979 -1991  futbollist i Flamurtartit,  2002- 2010  President i Shoqatës të Minifutbollit.  2010 -2013 anëtar  i Komitetit Ekzektutiv të FSHF-s.
Trofe të fituara me Flamurtarin:
Kupën e Shqipërisë 1985 dhe 1988, Titullin Kampion Kombëtar më 1991. 
Vlerësime
: “Mjeshtër i Madh”, Presidenti i Republikës, korrik 2017 , “Qyetar Nderi Vlores”  Mars 2013, “Nderi i Qarkut të Vlorës”, prill 2013, “Mjeshtër i Sportit” ,  janar  1988. “Nderi i Sportit Shqiptar”, shtator 2010.  “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, dhjetor 2012.