Miho Gjini: Jeta e “Mjeshtrit të Madh”, si u “rrëmbye” nga Viktor Gjika për kryerolin e filmit “I teti në Bronx” dhe miqësia me më të mëdhenjtë e skenës dhe ekranit.

607
Sigal

Mevlan Shanaj student e “rrëmbeu” Viktor Gjika, për t’i dhënë direkt kryerolin e filmit “I teti në Bronx”

GËZUAR DITËLINDJEN MEVLAN SHANAJ!

Ai u miqësua aq bukur me të mëdhenjtë e skenës dhe të ekranit, me Kadri Roshin, Sandër Prosin e Pandi Raidhin, etj…

Nga Miho Gjini

Duke qenë larg vëndit tënd dhe në kushte “Lock Dawn”i nuk na ka mbetur gje veçse të fiksojme në “ekranin e mendjes” edhe ditëlindjet e studentëve tanë, tashmë të shdërruar sikur të ishin fëmijët e tu. Dhe do të më kujtohej se si sot, më 7 shkurt 1945, ai do të përshendeste botën duke qarë!

Pas 55 vjetësh

S’kisha pak ditë që isha ndarë me ish studentin tim Mevlan Shanaj e që nuk më ndahej në ato 8 ditët e Festivalit Teatror të Gjirokastrës, ku ishim të ftuar që të dy, ai në juri dhe unë në rolin e kritikut, por edhe në Manastirin e Pojanit, që të flisnim edhe ne të dy (çuditërisht në një Sesion Shkencor për Teatrin, jashtë Teatrit!), brenda këtyre mureve të një manastiri!. E unë do të gëzoja kështu edhe çastet e lumtura, që ndjen çdo mësues, kur takon pas 5 dekadash ish studentin e tij, tashmë edhe ai me do fije floku të bardha mbi krye, aktor-regjisorin e dëgjuar e simpatik, i cili do të referonte edhe në një Sesion Shkencor, krahas profesorit të tij, që të mund të rishihnim edhe atë mrekulli që shfaqet kur, djali ia kalon babait dhe nxënësi mësuesit! Dhe pikërisht aty do të mësoja se ai, ish studenti, tani një burrë i pjekur nga jeta, Artist i Merituar, gjatë mungesës e “arratisjes” sime të gjatë, kishte interpretuar në disa filma artistikë, kishte realizuar si regjisor për ekranin e kinemasë disa filma artistikë të tjerë, me metrazh të plotë, gjithashtu disa filma dokumentarë televizivë, – të gjitha këto, krahas atyre regjisorëve e operatorëve të filmit shqiptar që kishin studiuar në shkollat e huaja!

Rruga e kinemasë dhe “magjia e filmit”

E shikon njeriu filmin e Mevlanit për Vangjush Furxhiun dhe të ravijëzohet figura e tij, në të gjitha dimensionet artistike e njerëzore. Befas të ringjallet njeriu i dikurshëm! Syri i Artistit ka fiksuar çaste të rralla të interpretimit të tij mjeshtëror, krahas veteranëve të skenës sonë, me një siguri e vlerë emocionale të sintezës së aktrimit, që, le ta themi me zë të lartë, është një eksepsion dhe do të jetë, jo pak herë edhe superior, brilant në krijimin e figurës artistike me mjete shprehëse që zbulojnë natyrshëm një “magji”: vullkanizimin e shpirtit njerëzor, duke na e sjellë atë m’u përpara.Por, ndërsa në këtë film dokumentar, jepet me digresione bisedash prej të gjithë kolegëve potenciali përreth tij, – në filmin tjetër, “Rrugët”, syri i Mevlanit, sjell në ekran të dy epokat njëherësh, me një vizion rrëqethës, herë me varfërinë e tejskajshme të mizerabilitetit, me jetën “grubo”, e herë me ca shtigje të ndritshme poezie, me forcën e natyrshmërinë që ka arti i shtatë, me ca filmime që i ka bërë edhe vetë me kamera në dorë, edhe atëherë, kur ndodhi përmbysja e u zvarrit shtatorja e Enverit deri tek konviktet e studentëve, por edhe në 97-ën e tmerrshme, kur vërshëllenin plumbat e vërtetë e s’dihej prej nga të vinin edhe plumbat qorrë, si edhe, aty ku punonte Mevlani e ku nuk guxonte më të rrinte polici akoma, tek dera e godinës se Televizionit të Shtetit! Se, s’kishte më Shtet! Por, ky Mevlani, paskësh bërë edhe një film tjetër, që unë nuk e dija se e kishte realizuar ai, filmin për bashkëfshatarin tim, për guximtarin kokëkrisur Vasil Laçi, që e bëri vetë atë akt të shkëlqyer të heroizmit më të thjeshtë njerëzor, me atë kobure fshehur midis tufës së luleve, me të cilën “gostiti” Perandorin e Italisë, tek e përcillnin në Rrugët e Tiranës (për fat të keq, me lule!), në ato kohë të mbrapshta. E mua do të më kujtohej ajo mbrëmje kur filmin e Mevlanët e sollen të shfaqej në Piqeras dhe nëna ime kishte thënë e përlotur se “na erdhi djali në derë!”!. Ja sesi forca e artit të vërtetë, i bën njerëzit që të besojnë si në mrekullitë e natyrës!

Nëpër rrugë dhe sheshet e xhirimit të filmave

Mbaj mend se si studentin tonë Mevlan Shanaj, na e “rrëmbeu” kineasti Viktor Gjika, akoma pa e mbaruar vitin e katërt, për t’i dhënë direkt kryerolin e filmit të tij “I teti në Bronx”(1970), Ibrahim Kovaçin! E, së toku edhe me partneren e tij të talentuar, nxënëse të Liceut Artistik, Yllka Mujon, do të interpretonin e do të miqësoheshin aq bukur me të mëdhenjtë e skenës dhe të ekranit, me Kadri Roshin, Sandër Prosin e Pandi Raidhin, por edhe me më të rinjtë, moshatarët e tij. Mbarimi i studimeve në Institutin e Arteve do ta gjente Mevlanin si regjisor në Televizionin Shqiptar Eksperimental, ku do të niste të regjistronte në celuloid spektaklet e teatrit, me pasionin e një të eturi, në një këndvështrim edhe më të freskët e ridimensional. Një artist i paqetë ky Mevlani, që aktivizohet aty edhe si folës, tok me Vera Zhein. Por, do të imponohet aty si regjisor profesionist, me gjetje e vizione filmike, aspak lineare, kur do të xhironte e do të rikërkonte e rikrijonte në ekran portretin e Tefta Tashko Koços e të Marie Krajës, të Lasgush Poradecit e të Pandi Raidhit, duke i evidentuar ata si personalitetet tona më të çmuara. Për të kaluar në ekranizime veprash të mëdha, si “Komani, një betejë e madhe” dhe “Zëra nga lashtësia”. E do të “ngecte” në filmin për Beratin, me një realizim të shkëlqyer, sipas një skenari interesant të Shpëtim Ginës, me kamerën e Mjeshtrit Pali Kuke, të cilën nuk e dhanë dot në publik, ngaqë censuruesit partiakë “gjetën ca gabime ideologjike!”.

Jeta e aktorit

Por, Ai do të vazhdonte paralelisht edhe jetën e aktorit në filmat “Guximtarët”, “Malet me blerim mbuluar”, “Ballë për Ballë”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Rrethimi i vogël”, “Unë e dua Evën” dhe tek “Lule të kuqe, lule të zeza”, ku është edhe regjisor i filmit. Në interpretimet aktoreske, portreti artistik i Mevlanit përmes ekranit, do të bëhet, jo vetëm më i njohur, por edhe më i dashur për spektatorët tanë. Thuajse në të gjitha këto filma, do të ruante mrekullisht vetëpërmbajtjen, qetësinë e brendshme e të jashtme, për të patur një fjalëveprim të saktë, logjik, ku temperamenti është vlerë e brendshme, që do të shfaqet pa shpërthime, me sugjestionin e njeriut të përvojës jetësore, dhe me një portret të hijshëm.

Ndoshta më interesanti për të, por edhe për ne që e kemi parë në ekran, është roli i Nebi Surelit, si protagonist, me një karakter njerëzor, fare të thjeshtë e të përmbajtur, tek i cili është vështrimi i mprehtë më tepër që vepron e ndikon, se sa fjala, reagimi fizik. Një figurë ekspresive. Imazhi i portretit të tij, tek ecte me një tufë gazetash nëpër duar, nëpër rrugët e pushtuara të qytetit të tij, të mbetet në mendje për shumë kohë. Por edhe tek filmi “Malet me blerim mbuluar”, me një interpretim edhe më të vërtetë, me plot thjeshtësi njerëzore, tek i cili duket një nur i brendshëm, reflektuar po kaq natyrshëm edhe në fytyrë. E kurdoherë, në shumicën e këtyre filmave, është në pozicionin e njeriut të mirë, të gatshëm të ndikojë, të penetrojë tek partneri me mirësinë e tij, Dhe, në qoftë se në filmin “Ballë për Ballë” i kushton rëndësi edhe paraqitjes së jashtme, prezencës imponuese të një gazetari, Besnikut, në filmin tjetër “Rrethimi i vogël” është qëndrimi dashamirës e i ngrohtë prej shoku, ndërkohë që tek filmi i tij “Lule të kuqe, Lule të zeza”, biseda e tij dialoguese merr karakter filozofik, ku serioziteti, logjika, bëhen superiore, me një vetëpërmbajtje gjithashtu, ku dominon ekuilibri e qetësia e jashtme. Mirëpo, kur e sheh këtë film të trondit zbrazëtia e një fshati të vetmuar, kontrasti i një jete kalimtare të rënduar nga disa personazhe që i zë era aty pari, ku ka pllakosur mjerimi e kolera e një realiteti shterpë, pa dashuri njerëzore, e mbushur me kotësi, perversitete, rrënime shpirtërore e nga një vdekje e ngadalshme, jo më tani të një fshati, po të krejt vendit. Dhe do të më kujtohen fjalët e mikut tim Përparim Kabo, tek më thoshte pak muaj më parë: “Shikoje atë filmin e Mevlanit, “Lule të kuqe, lule të zeza”. Ai afirmohet aty edhe si aktor, edhe si regjisor. Është nga filmat më të mirë shqiptarë, pas viteve 1990!”. Ndërkohë, Bruce Williams, Profesor filmi në New York shprehet se: “Ky film, sipas meje, është më i miri gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Është një poezi.

Rikthim

Me përmbysjen e sistemit të vjetër shoqëror shohim tek ky artist një evoluim në brendësi të vetvetes. Si çlirim i plotë i energjive krijuese. E përsëri kemi një rikthim edhe në Televizion, ku do të realizojë filmin e parë artistik televiziv, së bashku edhe me Pali Kuken, sipas një skenari të Anastas Kondos. Ndërrimi i sistemit shoqëror do t’i jepte Artistit Shanaj një hov shpirtëror e artistik. Në bashkëpunim me bashkëshorten Natasha Lako, poete e skenariste, në vitin 1990, del me filmin “Fletë të Bardha”, që nënkuptonte metaforikisht nismat e reja në një kohë të re të krijimtarisë dhe të realitetit shoqëror.t. Dukeshin qartazi prirjet novatore të tij në paraqitjen e një realiteti Bardhë e Zi, me kontrastet e forta të shpërbërjes, të depersonalizimit të njeriut tonë, kur rënia shpirtërore i shtyn shqiptarët të braktisin vendin e tyre e ku njësohen tashmë skeletet e pemëve të thara me skeletet e njerëzve! Kurse filmat dokumentarë për Ndrekë Lucën dhe Xhenfise Kekon, në një periudhë të mëvonshme, do të marrin një këndvështrim poetik, në kuadrin e përsosjes mjeshtërore dhe estetike, sidomos po të bënim fjalë veçmas për filmin përkushtuar “Pelikulës” së filmave fëminorë Xhenfise Keko, me një reputacion ndërkombëtar! Por, ky Mevlan Shanaj-Regjisor dhe Natasha Lako-Poete e Skenariste, do të na jepnin në 2008-ën, një poemë filmike të përbashkët për “Shkronjat e Pavarësisë”, një ndalesë e mrekullueshme, midis fjalës së folur dhe fjalës së shkruar, që sintetizonin artistikisht 700 vjetët e përpjekjeve mbinjerëzore për gjuhën në 40 minuta, me një vizion e poezi të rrallë, për ato shkronja që na sollën dritën e diturisë dhe vlerën e shqiptarizmës. Dhe vetëm në portretet e fiksuara të fëmijëve që shqiptojnë me ngazëllim germat e Gjuhës Shqipe, ka këtu më shumë art e dritësim, sa të gjithë yjet e qiellit shqiptar të mbledhura bashkë! Artisti Mevlan Shanaj po nënvizonte tashmë në ekranin shqiptar kredon e vet, kundër shablloneve të mëparshme e uniformitetit, kundër trajtës lineare, të drejtpërdrejta, statike e të ngurtësuara të shprehjes kinematografike, shpesh edhe me një digresion e retrospektivë të brendshme, për ta bërë zhvillimin e filmit kompleks, dinamik, me botë shpirtërore, gjithmonë nën ritmikën e natyrësisë. Gjithmonë e më tepër kërkon “syrin njerëzor” në portret, në kuadër, në peizazhin që fikson dhe në imazhet e mëpërtejme të sykapjes. Shpesh kujton se e mbaron finalen e filmit, me një kulminacion shprehës, por, do të të befasojë, jo pak herë me gjetjen e dytë kulmore, ca më të bukur akoma, e cila ngrihet si mbivlerë estetike e përfundimtare. Dhe njeriu Mevlan Shanaj do të mbetej në tërë jetën e vet po kaq i thjeshtë, po kaq i mirë, ekspresiv e tërheqës, sa edhe ai studenti që na erdhi dikur nga mjekësia, me ngulmimin që të bëhej artist, sepse e ndjente në brendësinë e vet se ishte artist! Një Hero i skenës dhe i ekranit tashmë, pa “bronzin e Heroit”! I përqafoi menjëherë ndryshimet e politikës, rënien e sistemit, dhe befas u pa midis studentëve të dhjetorit. E, pas disa vitesh qetësie e akumulimi shpirtëror, ne do të shihnim atë kryevepër kinematografike të tij që e quajti “Rrugët” e ku u shpreh artistikisht bukur ky ndryshim i madh i Jetës Shqiptare. Paskëtaj do të ishte një krijues i lirë, do të bëhej vetvetja e do ta shihte anën e tij krijuese, si producent tashmë, ndërkohë që po ngrihej edhe pinjolli, Joni Shanaj. Por jeta do të “ecte revan” dhe në auditorët e shkollës nuk do të ishte më student i dikurshëm, erotevmeni (i dashuruari), por Pedagogu i Regjisë në Universitetin e Arteve, tashmë edhe me disa Urdhëra e tituj të lartë të Shtetit, si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Mallakastrës”

.

Dhe një Apologji

E kur vjen koha e pensionit, kur thua se “e mbylla rrugën time, nuk do të bëj më filma e nuk do të luaj më në skenë apo në ekran”, atëherë artistin e pushton edhe me tepër nostalgjia e krijimit, por edhe e fjalës, e mendimit, për veten e për të tjerët. Për artistin asnjëherë nuk duket e nuk ka pension pleqërie! Ai mund të punojë e të krijojë derisa t’i bjerë sipari i vdekjes! Dhe unë që u flisja dikur për këtë rrugëtim të gjatë që do të bënim, tani i dëgjoja ata, studentët e mi të dikurshëm, që të flasin edhe vetë për punën e tyre krijuese. Gjithçka kishte ecur shumë më përpara! Dhe në një drejtim tjetër, tepër të veçantë të rrugës së tij krijuese, me dëshirën e përhershme të bashkëpunimit me shokët e tij të klasës, tashmë aktorë të formuar të skenës e të ekranit, për t’i patur ata në filmat e tij, e thërret dy herë Birçe Haskon për të interpretuar role, Niko Kanxherin e Petrika Rizën në dy filma, si edhe Minella Borovën në një film tjetër. Ndërsa me Timo Fllokon do të mbante një miqësi edhe më të afërt kolegësh, ku dashuria për artin e aktrimit merr trajtat më sublime. Jo rastësor do të ishte Mevlani edhe si koordinatori i zgjedhur prej meje për komunikimin e shpeshtë midis tyre në proçesin dhe daljen e këtij libri, me “xhepin e grisur” të emigrantit, duke më qëndruar në gadishmëri e në afërsi, në menaxhimin e arritjen e gjithëpërfshirrjes sa më të plotë të vlerave të shokëve të tij të klasës.

“E gjithë jeta ime, – thotë ai, – ishte devijimi i një kalimi të çuditshëm e të pamenduar më parë, nga mjekësia në artet e bukura(!), aq sa nëna ime, fillimisht u tmerrua, për t’u bindur shumë vite më pas, kur do më shihte në ekran, se kisha vepruar drejt e mirë. Por aktrimi tek unë ka qenë spontan. Se isha larguar 14 vjeç djalë nga qyteti i vogël, i izoluar do të thosha, që në vitin1959, dhe erdha në një qytet të madh e të zhurmshëm, siç mu duk mua Tirana atëhere. Doja të bëhesha mjek, po ja ku u bëra aktor e regjisor bashkë. Në Shkollën e Aktorëve, më pranuan menjëherë, falë ekspresivitetit e freskisë së moshës, në vitin 1965. Aty u njoha me Timon e me Birçen, me Saimirin e Kristaqin, me Nikon, Llazin e Minellën dhe me radhë. Brenda grupit tonë ishim shokë e miq të mirë dhe nuk u bëmë kurrë xheloz për njëri-tjetrin. Me Yllkën do të njiheshim gjatë xhirimeve të filmit të parë, ku për fatin tim të mirë do të kisha si partner edhe një aktor të madh si Sandër Prosi. Mësova shumë nga kineastët tanë që kishin mbaruar jashtë shtetit dhe i dëgjoja me vëmendje, mësoja prej tyre. Se kineastët e rinj si Anagnosti, Gjika, Milkani etj., bënë një shartim të zhvillimeve kinematografike të huaja, me origjinalitetin e krijimtarisë së tyre këtu. Falë këtij “shartimi” shumë filma të tyre shihen edhe tani, pas 50 vjetëve, me kërshëri e ëndje të veçantë. Para këtyre artistëve rrija i qetë, dëgjoja me vëmendje dhe bëja të pamundurën për ta realizuar mendimin e tyre për personazhin. Po kaq shumë më imponohej edhe Kadri Roshi, prej të cilit kam ngrënë edhe një shpullë të mirë gjatë xhirimit të një filmi. Ne punonim e krijonim para personaliteteve tona të artit. Ata ishin ajri ynë. Nuk mund të jetosh pa ajër. Dihet, se regjisori di të bëjë gjithçka për t’i ndërtuar marrëdhëniet në një film. Me kurajo, pasion, dashuri e mendim të thellë. E, kur fillova të punoja edhe vetë, do ta kuptoja këtë mision të vështirë. Këtë e kuptova fare mirë kur vajtëm në Dardhë të Korçës për të realizuar Filmin e parë Televiziv Artistik “Korrierët”, bashkë me Pali Kuken, Niko Kanxherin e me të tjerët. Në kohë krejt të papërshtatshme. Në kulmin e dëborës. Duke xhiruar një episod me qentë, na sulmuan ujqërit! Aty xhiruam episode të vështira, por ama të vërteta!

* * *

Rasti i veçantë i këtij artisti, është shëmbëlltyra më e qartë e më e bukur e njeriut që ngrihet në lartësitë e artit të regjisurës pa kryer fakultet regjisure e bëhet pedagog i saj, me një tekst studimor të nivelit shkencor, jo vetëm për Historinë e Kinemasë e të Filmit në Botë, por edhe për proceset e fazat më të rëndësishme të krijimit kinematografik, mbështetur në eksperiencën botërore e atë shqiptare, – si një ndihmesë reale teorike për studentët e kësaj gjinie. Ky pra është MEVLAN SHANAJ, studenti, artisti dhe njeriu…