Shqipëria nën pushtetin e shiut dhe rrufeve

204
Sigal

Pas të dielës që ishte plot e përplot me diell, kjo e hënë nisi me reshje të dendura shiu dhe me rrufe. Një situatë e rëndë atmosferike që kërkon menjëherë ndërhyrje nga qeveria, pasi përmbytje të tjera priten të ndodhin, por pushteti qëndror dhe lokal duhet ti bëjë prijë. Në kryeqytet herë pas here ka pasur rrebeshe shiu, ku janë shoqëruar me breshër dhe me rrufe.

Si pasojë e reshjeve në qytetin e Kukësit u rëndua trafiku në rrugët kryesore, ndërsa në rrugët e brendshme këmbësorët kanë hasur vështirësi në lëvizje për shkak të mbulimit me ujë dhe punimeve që po bëhen në rikualifikim urban të tre lagjeve të qytetit.

Zona e nënShkodrës vazhdon prej një muaji nën ujë dhe ende pa u tërhequr uji nga tokat e përmbytura, rrezikohet të shtohet më tej sipërfaqja e përmbytur. Në zonën e Obotit të gjitha lëvizjet kryhen nëpërmjet motobarkave të ushtrisë, ndërsa thuajse të gjitha banesat janë të rrethuara nga uji.

Lundrimi në Vlorë për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese mbetet i pezulluar për shkak të motit të keq. Nga kapiteneria e portit Vlorë konfirmohet pezullimi i lundrimit deri ditën e martë. Ndërkohë përsa i përkes tragetit Vlorë- Brindisi pritet që itenerari të kryhet normalisht në orët e mbrëmjes. Trageti pritet të niset nga Vlora sipas orarit në mbremje, edhe për shkak se gjatë pasdites pritet një përmirësim i lehtë i kushteve meteorologjike.