Naxhi Sensoi: Laçi synon titullin kampion, kemi motivacionin ideal

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i kurbinasve Naxhi Sensoi, sfidon Skënderbeun në përballjen direkte

Agron KAJA

NOA

Të hënën luhet finalja e titullit kampion në Korçë, ku Skënderbeu vëndas pret në javën e fundit të kampionatit skuadrën e Laçit, e cila e ka ndjekur këmba-këmbës në luftë për kreun e renditjes. Të dyja skuadrat e kanë siguruar ngjitjen në Superiore, por Skënderbeu është vetëm 1 pikë para Laçit, dhe një fitore e laçianëve u jep atyre titullin kampion. Ndërkohë që korçarëve edhe barazimi iu bën punë për t’u shpallur kampionë, në këtë ndeshje do të jetë edhe një tjetër duel, ai për kryegolashënuesin e kampionatit. Për këtë situatë, trajneri i Laçit, 68 vjeçari Naxhi Sensoi, i cili e morri drejtimin e skuadrës kurbinase në javën e 10-të të kampionatit më 31 tetor 2025, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se, skuadra që ai drejton ka bërë progres me një punë të mirë që është siguruar objektivi kryesor, ngjitja në Superiore. “Ecuaria e skuadrës së Laçit kur unë e morra në javën e 10-të e deri tani, ka qënë e mirë. Në 9 ndeshjet e para Laçi ishte 5 pikë larg Skënderbeut, ndërsa sot në javën e 32-të është vetëm 1 pikë larg. Kjo tregon se kemi bërë punë të mirë dhe kemi siguruar objektivin primar, ngjitjen në Abissnet Superiore. Por futbolli ka motivacionin ideal, që në këtë rast për ne është edhe titulli kampion, përderi sa na mundësohet. Për këtë synim po e motivojmë skuadrën”, kështu e nisi dje bisedën trajneri i Laçit, i cili e pranon vështirësinë e sfidës, por ai beson te vlerat e skuadrës që drejton, duke veçuar edhe golashënuesin më të mirë të skuadrës, Olsi Myrta. “Ky grup që ka skuadra jonë me lojtarë të rinj në moshë, por të aftë të përballojnë sfida si me Skënderbeun, besoj se të hënën në Korçë do t’ia dalim. Madje unë do thoja se edhe kryegolashënuesi ynë Olsi Myrta, do të dijë të tregojë vlerat e tij me gol, për të qënë në ndihmë të arritjes së synimit tonë. Jemi optimistë të gjithë se do fitojmë si kampionë, dhe këtë Laçi e meriton. Unë si trajner e shpresoj shumë këtë synim, dhe dua ta mbyll këtë kampionat që e kam kontratën deri në fundin e muajit maj. Nëse do jetë e mundshme, me një organizim e buxhet shumë më ndryshe mund ta gjejmë dakortësinë pas ndeshjes në Korçë”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Laçit, Naxhi Sensoi. Të hënën në ora 17:00, në stadiumin e Korçës, luhet sfida e titullit kampion në Kategorinë e Parë, Skënderbeu-Laçi.

 

AKTUALITET

Largimi i Kërnajës nga Partizani, në sfond dalin emra të njohur

Ndeshjet e mbetura

Java 34

E shtunë, 2 maj 2026

Partizani-Flamurta       16:00

Java 35

E mërkurë, 6 maj 2026

Egnatia-Partizani         16:00

Java 36

E dielë, 10 maj 2026

Partizani-Dinamo        16:00

Të enjten pasdite, FK Partizani zyrtarizoi mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Oltijon Kërnaja. Largimi erdhi pas rezultateve zhgënjyese që ekipi ka rregjistruar së fundmi, çka sipas klubit, ka kompromentuar ndjeshëm objektivat e tij. Përgjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni ekipi do të drejtohet nga stafi teknik aktual, Realf Zhivanaj dhe drejtori sportiv Agim Ibraimi. Kujtojmë se Kërnaja u ul në stolin e Partizanit si trajner i parë në tetorin e vitit të kaluar dhe i ka drejtuar “Demat e Kuq” në 28 ndeshje, nisur nga “derbi” Partizani-Tirana 0-3. Ai ka fituar 13 ndeshje, ka barazuar 7 dhe ka humbur 8, dhe në tabelën e renditjes Partizani ndodhet në vëndin e 5-të me 45 pikë, po aq sa Dinamo e vendit të 4-t. Partizani e nisi fazën përgatitore të këtij sezoni me Skënder Gegën në stol, por me fillimin e kampionatit u ul në 6 javë serbi Mlladen Milinkoviç. Kërnaja ishte zëvendëstrajner dhe nga java e 7-të u “gradua” trajner i parë, për tu larguar tre sfida para mbylljes së kampionatit. Çfarë fsheh kjo situatë? Presim zhvillimet gjatë ditëve në vijim, ndërsa emrat e Shpëtim Duros, Edlir Tetovës, Ilir Dajës dhe kroatit Zoran Zekiç, kanë hyrë në thashethemin e merkatos për plotësimin e bankinës së Partizanit.

Pasojat e largimit, dje asnjë në konferencë shtypi

Largimi të enjten i trajnerit Kërnaja nga bankina e Partizanit, ka lënë pasojat e para te skuadrat. Deri tani për këtë sezon, nuk kishte ndodhur, pasi ka qënë klubi më korrekt sa i përket konferencave për shtyp para ndeshjes. Duke qenë se askush nuk është trajner, pjesa tjetër nuk ka dalë para kamerave. Diçka e veçantë për këtë sezon, e cila edhe mund të sjellë pasoja sot, në përballjen me Flamurtarin, ndeshje që luhet sot në ora 16:00 në stadiumin “Arena e Demave”.

Të hënën dy finale në Korçë, titulli dhe “Këpuca e Artë”

Ndeshja e fundit e Kategorisë së Parë, Skënderbeu-Laçi, do të luhet të hënën më 4 maj ora 17:00. Skënderbeu renditet në vëndin e 1-rë me 77 pikë, ndërsa Laçi në vëndin e 2-të me 76 pikë. Barazimi i vlen korçarëve, ndërsa laçianët duan vetëm fitoren. Këtu ka edhe duel goleadorësh, pasi Saleh Nasr i Skënderbeut kryeson me 18 gola, ndërsa Olsi Myrta i Laçit me 17 gola. Parashikimi mbetet një rebus!

Verdiktet e sezonit

Mbështetur në Rregulloren e garës për sezonin 2025-2026, dhe bazuar në renditjen e skuadrave pas javës së 32-të të Kategorisë së Parë, verdiktet e mundshme mund të jenë: Skënderbeu kampion, Laçi vëndi 2-të; Pogradeci, Iliria, Besa dhe Korabi në Play-off; Kukësi në Play-out, Apolonia e Lushnja zbresin nga kategoria.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026       

Ndeshjet-Java 33 / E fundit

E dielë, 3 maj 2026

Korabi-Iliria                            15:00

Kukësi-Besa                            15:00

Lushnja-Kastrioti                    15:00

Apolonia-Burreli                     15:00

AF Luftëtari-Pogradeci           15:00

E hënë, 4 maj 2026

Skënderbeu-Laçi                     17:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              32        77

2.Laçi                          32        76

———————————–

3.Pogradeci                 32        68

4.Iliria                          32        44

5.Besa                         32        39

6.Kastrioti                   32        36

———————————–

7.Burreli                      32        36

8.Korabi                      32        35

9.AF Luftëtari             32        31

———————————–

10.Kukësi                    32        28

———————————–

11.Apolonia                32        27

12.Lushnja                  32        26

 

RREGULLORE

#Skuadrat e renditura në dy vëndet e para ngjiten direkt në Abissnet Superiore.

#Skuadrat e renditura në vëndet 3-4-5-6, ndeshen mes tyre në Play-off dhe skuadra fituese ndeshet me skuadrën që renditet në vëndin e 8-të në Superiore.

#Skuadra e renditur në vëndin e 9-të në Kategorinë e Parë do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me ekipin fitues të play-off të Grupit A, Kategoria e Dytë.

#Skuadra e renditur në vëndin e 10-të në Kategorinë e Parë do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me ekipin fitues të play-off të Grupit B, Kategoria e Dytë.

#Skuadrat e renditura në vëndet 11 e 12 zbresin në Kategorinë e Dytë.