Murinjo i rikthehet triumfit të Interit në 2010: E kishim fituar finalen e Champions pa dalë në fushë

427
Sigal

Sezoni 2009-2010 ka një kuptim të veçantë për Interin, i cili nuk është harruar as në ditët e sotme pas nëntë viteve. Zikaltërit u ngjitën në majën e Europës pas plot 45 viteve, ndërsa në atë vit fituan edhe kampionatin e Kupën e Italisë duke kompletuar tripletën e famshme të titujve. Trajneri i zikaltërve në atë kohë, Hoze Murinjo është rikthyer të flasë për finalen e fituar me rezultatin 2-0 ndaj Bajernit të Mynihut. Portugezi shprehet se Interi e kishte fituar atë ndeshje pa zbritur në fushë, teksa shton se ai e njihte shumë mirë Van Gal, trajnerin e bavarezëve në atë ndeshje.

“ E dinim që Bajerni kishte një trajner të cilin e njihja shumë mirë, e njihja egon e tij, vetëvlerësimin e tij. Kjo e bënte atë të luante gjithnjë sipas ideve të tij. Ky ishte një avantazh për mua. E dija në mënyrë perfekte se kur ata humbnin topin kishin dobësi. Ndërkohë, nga ana tjetër kishin sulmues klasi që duheshin ndaluar.

Dhe mendoj se avantazhi jonë në atë ndeshje ishte strategjia. Mendoj se lojën e kishim fituar para se të zbrisnim në fushë. Jo vetëm për anën emocionale, nivelin e konfidencës, apo ambientin vëllazëror te Interi. Por, ishte pikërisht strategjia, mënyra si përgatitëm ndeshjen”, shpreh Murinjo.