Ne mbrëmjen e ditës hënë, kur dy televizionet kombëtare vazhdonin të lakonin në të gjitha gjinitë dhe rasat, atë që kishin nisur një natë më parë tërë homologët e tyre kombëtarë për ndeshjen “derbi” të kryeqytetit Tirana-Partizani. Dhe papritmas nga Doha e largët e Katarit vjen një lajm sensacional për sportin shqiptar. Atletja jonë nga më të mirat e këtyre dekadave të fundit, Luiza Gega në garën finale të Kampionatit Botëror në 3000 metra me pengesa rreshtohej e 9 –ta, midis 15 më të mirave në botë. Por jo vetëm kaq. Sportistja magjike Luiza Gega në këtë garë, që në tërë kuptimin e fjalës ishte historike, sepse për herë të parë një atlet shqiptar garon në nivele kaq të larta, kishte thyer dhe rekordin kombëtar të kësaj gare, të vendosur po vetë duke sjellë një kohë të re nga 9 minuta dhe 22 sekonda në 9 minuta,19 sekonda e 93 të qindtat. Pra, një sukses, që pak kush e kishte besuar se do te ndodhte kështu, kur flitet se në këtë garë bënin pjesë 15 atletet më të mira të botës nga Kenia, Etiopia, SH.B.A, Gjermania, Danimarka dhe Australia. Dhe ky sukses i 30-vjeçares Luiza Gega ka ardhur në një moment kur sporti shqiptar në atletikë u prezantua me të vetmen personazh të saj që këto vite njeh vetëm suksese në çdo garë dhe miting, kërkon dhe arrin të prezantohet si “ambasadore” i Shqipërisë në arenën botërore. Por nga ana tjetër duhet pranuar se nuk është hera e parë që kjo vajzë dibrane 30-vjeçare ka bërë krenar të gjithë shqiptaret me sukseset e saj në sportin e atletikës. Më parë kanë qenë pistat e Londrës, Stambollit e Tarragonës –Spanjë tek të cilat është konfirmuar suksesi i kurorëzuar dhe me medalje ari. Por më shumë se askush këtë sukses të fundit të kësaj sportisteje model e kanë përjetuar rreth 1000 pjesëtarët e komunitetit të shqiptarëve në Katar që ishin në stadium dhe mbështetën fortë këtë ikonë të vendit tyre, e kanë përjetuar trajneri i saj Taulant Stërmasi dhe presidenti Gjergj Ruli, që pas kësaj gare kanë fluturuar nga gëzimi, e ka përjetuar ambasadori i Shqipërisë në Katar, Kujtim Xhani që një ditë më parë do e priste në një takim zyrtar delegacionin kuqezi në këtë event botëror. Dhe paraqitjen fantastike në këtë garë që i ka siguruar në mënyrë absolute Luiza Gegës kualifikimin për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, e kishte paralajmëruar tre ditë më parë në garat kualifikuese të këtyre finaleve, ku midis 42 pjesëmarrëseve “Luiza Jonë” do rreshtohej e dhjeta, me kohën 9 minuta, 28 sekonda e 33 te qindtat, duke prekur plot krenari garën finale. E thënë më qartë dhe kuptuar më mirë, përtej rezultatit dhe rekordit të ri kombëtar të regjistruar, vetëm pjesëmarrja në finale është historike dhe madhështore për sportin shqiptar dhe në veçanti për atletikën tonë. Mund të vazhdojmë edhe më tej, jo vetëm me këtë garë dhe këtë sukses të kësaj sportisteje, por po të lëvizësh pak kujtesën nga vendi në këto vitet e fundit në garat e 800, 1500 dhe 3000 metrave të zhvilluara në salla të mbyllura apo të hapura gjen për atletikën shqiptare vetëm emrin e Luiza Gegës. Por duke iu rikthyer asaj që përshkruam në fillim të këtij shkrimi konstaton qartë, se në asnjë nga këto emisione apo rubrika të vetëquajtura “sportive” askush nuk e ndali pak ligjërimin e tij dhe të jepte këtë lajm të suksesshëm sportiv.
Por mund të ndodhte dhe ndryshe, siç bëjnë shumë televizione të tjerë jo shumë larg, por ata të vendeve fqinjë që për një lajm të tillë sensacional dhe të rëndësishëm kryejnë lidhje direkt, ku me zë dhe figurë sjellin pranë spektatorit atë që preku suksesin dhe shkroi diçka të re në historinë sportive. Dhe shembullin më të mirë na e kanë dhënë mediat televizive të Kosovës që në çdo sukses që ka arritur sportistja xhudiste ose, e thënë më qartë kampionia absolute në sportin e Xhudos Majlinda Kelmendi sigurojnë në kohë rekord lidhjen direkt me gazetarin që e shoqëron këtë sportiste të nivelit botëror. Në rastin e kampiones sonë Luiza Gega, jo vetëm që gazetar nuk kishte për të ndjekur këto gara botërore, por dhe ato rrjete sociale dhe portale që bënin të ditur lajmin e parë nuk ishin shumë te saktë në përshkrimin e tij. Megjithatë pak rëndësi kanë për momentin këto detaje, kryesore është që Luiza Gega po ecën drejt sukseseve dhe lavdisë e rrethuar nga admirimi i opinionit sportiv i cili e ndjek nga pas. Dhe nuk është rasti i parë që ndodh kështu. Urime Luiza!