Moisi Dalipi: Todi Driza, “Mjeshtëri Madh”  me shumë vlera

710
Sigal

Në Vlorë, por jo vetëm, kur bie fjala për volejbollin e meshkujve, të gjithë midis emrave të shquar që veçojnë do përmendin pa asnjë mëdyshje dhe vlonjatin Todi Driza. Ai ka qenë pjesë e asaj plejade të volejbollit tonë ku së bashku me Asllan Rusin, Kreshnik Tartarin, Ylli Shehu, Harun Dojaka, Ali Bushatin, Anastas Panteqin, Fatmir Sharofin, Ali Llulloin do shkruanin  mirë dhe bukur historinë e volejbollit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Por e veçanta e këtij njeriu të lindur t’i shërbejë sportit në çdo kohë dhe në çdo moshë,  qëndron dhe në atë se edhe pse ka mbushur plotë 76 vjeç,  nuk i ndahet aspak sportit të tij të dashur, volejbollit.

Dhe jashtë këtij detaji  që i është bërë pjesë e jetës, është dhe  ai largim i tij në fund të bisedës tone, ku u largua  duke thënë plot mirësjellje: -“Më falni mua tani të largohem, se më duhet të shkoj me vajzat e volejbollit të “Flamurtarit” për një ndeshje përgatitore në Fier”. E pra  kështu, 62 -vitet që ka  ky njeri në sport si lojtar, trajner dhe drejtues klubi,  ka bërë që portreti tij fizik, t’i bëjë sfidë moshës që mban. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe, kur sportin e dashuron fort që në moshën e fëmijërisë, siç ka bërë Todi Driza. Ndoshta këtu ka ndikuar edhe fakti që shtëpia e tij e atyre viteve pas çlirimit të vendit, ka qenë shumë pranë këndit sportiv të lojrave me dorë “Spatak”. Pak kush kishte menduar që ai djalë i vogël dhe flokë dendur  që rrinte në një qoshe të fushës  dhe që bënte kapjen dhe rikthimin  e topave që dilnin jashtë, një ditë të bëhej pjesë e tyre, por dhe të luante kundër tyre në volejboll. Këto kujtime të atyre viteve kur volejbolli ynë ishte në konturim e sipër, do thonë në kujtimet e tyre Petrit Murzaku, Masar Aga, Harun Dojaka dhe shumë të tjerë. Dhe  rruga e bukur e sportit nisi herët, kur Todi  ishte veçse 14- vjeç dhe kishte marrë pjesë në dy spartakiada për pionierë në Durrës. Vetë memorja e tij fikson vitin 1958  në aktivitetin për të rinj të zhvilluar në Kuçovë, trajneri Skënder Ibrahimi  do e bënte pjesë të ekipit të të rinjve të “Flamurtarit”, me detyrën  e pasuesit në skuadër. Edhe pse i shkurtër, Todi kishte një intuitë të veçantë në pasimin e topit dhe nxjerrjen e shokëve në pozicion gjuatje. Aty  ka njohur për herë të parë mikun e tij të hershëm të sportit Kreshnik Tartarin. Pa kaluar veçse tre muaj të atij viti të 1958, trajneri Napolon Sadiku,  do bëjë pjesë të ekipit parë të “Flamurtarit” Dhe ndeshja e tij e parë  ka qenë ajo “Flamurtari”-“Lokomotiva”, ku  tek “Flamurtari” bënin pjesë Foto Milo, Astrit Arapi, Alfons Koci, Todi Gjini, Shpëtim Idrizi dhe Todi Koci. Pak më vonë në drejtim të skuadrës vjen në tjetër trajner, Ymer Dogani, që sjell në Vlorë volejbollin bashkëkohor të luajtur për shumë vite tek “Partizani” dhe ekipi  kombëtar. Në ato vite “Flamurtari” po hidhte hapat e tij të para për t’u konturuar si ekip i së ardhmes, ku padyshim Todi Driza, kishte vendin e tij si titullar.

Në vitin 1962, ku  ai ishte 18 -vjeç  dhe përjetonte rritjen cilësore sportive, shkon për të studiuar në ish Teknikumin  e Fiskulturës “Vojo Kushi”-Tiranë.  Klubet e kryeqytetit nisin garën për ta marrë talentin vlonjat. Disa muaj pa stërvitje që e mundojnë shumë këtë njeri të lindur për sport, por që e gjen mënyrën  në atë  fushë pranë Teknikumit të merret  me topin e volejbollit, por duke luajtur dhe për “Flamurtarin”. Në vitin e dytë të studimeve, ekipi “Partizanit” mendon “prapaskenën” duke e dërguar për tre muaj ushtar në Tropojë dhe pastaj në  1964, drejt dhe në skuadër nën udhërat e trajnerit Petrit Mirëzaku. Aty do të gjejë  volejbollistë të  kalibrit, si Pëllumb Pelivani, Ali Bushati, Lluka Prifti, Jorgji Kona, Ali Llullolli, Xhavit Laci, Sandër Paloka, Uran Alite, e të tjerë që për tre sezone do ta shpallin “Partizanin”  nënkampion të vendit. Plotë  pesë sezone tek “Partizani” ku provon dhe detyrën e kapitenit të skuadrës. Rritje cilësore dhe forma shumë e mirë sportive e bëjnë Todi Drizën të preferuar   të “Dinamos”  të trajnerit Vangjel Koja,  që  përfaqëson  volejbollin shqiptar në Kupat e Evropës. E veçantë, shumë  të  veçanta ato dy ndeshjet e vitit 1966 për Kupën e Kampioneve “Dinamo”- “Virtus” e Bolonjës  ku rezulatatet  3-0 dhe 0-3  kanë brenda tyre lojën virtuale të  gjithë skuadrës, ku në veçanti Todi Driza, është  një  cilësi  me vlera  më shumë.

Dhe janë tre edicione  në vitet 1966,1967  dhe 1968, që kampionia jonë “Dinamo” që është klasifikuar si  një nga tetë skuadrat më të mira të Evropës, do ta kishte “labin e urtë” pjesë të saj si përforcim të shumëdëshiruar nga trajneri Vangjel Koja. Po kështu në sezonin 1971-1972,  bëhet pjesë e “Vllaznisë”  kundër kampiones të Rumanisë, si dhe me “17 Nëndorin” dhe “Butrintin” e Sarandës  në  eventet evropiane të atyre viteve. Pasuesi shkathët Todi Driza, ndër të tjera do të aplikonte me sukses dhe “ngecjet e topit “ në fushën kundështare, ashtu siç  bënin pas tij Fatmir Sharofi dhe Njazi Kosovrasti. Dhe  meqënse jemi tek  biografia e ndeshjeve ndërkombëtare “arkiva” e tij numëron plot 63 të tilla me ekipin  kombëtar të rinj dhe të  rritur në ndeshje miqësore ndërkombëtare, si dhe  në turne të ndryshëm  për  Kupat e Evropës. “Virtus” –Bolonja, “Bloket” –Hollandë, “CSKA”-Sofje, “Partizan” –Beograd, si përfaqësueset e Turqisë, Rumanisë, Kinës, Maqedonisë, Suedisë, Greqisë, Izraelit, Gjermanisë,  e tjera, e të tjera, janë  disa nga këto skuadra ku ka shkëlqyer loja e tij. Dhe në të gjitha këto ndeshje,  e veçanta e Todi Drizës ka qenë  vetëm një  cilësi  e lartë sportive. Kjo është dhe arsyeja që në moshën 20 – vjeçare  i jepet titulli “Mjeshtër Sporti”. Kështu në harkun  10 -vjeçar të viteve 1964 -1974,  voljebollisti shquar Todi Driza, do ballafaqohet denjësisht me eventet ndërkombëtare  me të gjitha afritë tij bashkohore  të një pasuesi që e  ka kthyer lojën e volejbollit në një art më vete.  Në gusht 1968  rikthehet në qytetin e tij të Vlorës për të vazhduar deri në 1976 që të jetë pjesë e skuadrës të “Flamurtarit”. Edhe pse në pjesën më madhe Todi Driza ishte dhe  në rolin e trajnerit në skuadër, ai nuk ndahej  fushës lojës së bashku me shokët e tij Foto Kola, Pëllumb Fakaj, Edip Cecin, Muhamet Çobo,  vëllezërit Thoma dhe Vasil Ruci, Ylli Lulushin, Rasim Rasimin e të tjerë. Një “Flamurtar” në ato vite që konkuron  fort dhe bukur në  kampionat dhe çdo garë sportive. Kur  ishte 32- vjeç, në  fund të sezonit të vitit 1976, Todi Driza  me plot 526 ndeshje në kampionate dhe kupa, dhe 63 ndeshje ndërkombëtare,  largohet nga fusha e lojës, por jo nga volejbolli. Për më shumë se 15 vjet  është  trajner ekipit parë të “Flamurtarit”, ku shumë  lojtarë  cilësorë  si Filip Naci, Agron Sako, Niko Pando e të tjerë u bënë pjesë e ekipeve tona kombëtare. Pas 1991 pak  vite si mësues i edukimit fizik, ku zgjedh jo pak elementë cilësorë dhe  në 1995,  ngre  nga e para ekipin e të rinjve të  “Flamurtarit” në volejboll. E gjithë kjo veprimtari dhe aftësi sportive i jep Todi Drizës në vitet 2000-2010 detyrën e përgjegjësit të klubit shumësportësh “Flamurtari”. Dhe më pas për shumë vite, ky njeri i lindur dhe dashuruar fort pas sportit ka ringritur sportin e volejbollit të femrave të Vlorës, të braktisur për më shumë se 30 vjet. Me punë, përkushtim dhe aftësi, Todi Driza  çdo ditë  shkruan dhe pasuron ashtu siç duhet biografinë sportive të familjes Driza. Por si ky njeri me vlera të çmuara për volejbollin sporti shqiptar ka  njohur dhe të vëllain, çiklistin Piro Driza,  dhe të birin, futbollistin dhe specialistin e futbollit Johan Driza.  Por jashtë këtij kuadrati nuk mund të  mbeten bashkëshortja, mësuesja e mirë Lenica Driza që ka sakrifikuar aq shumë në shërbim të kësaj familje sportive. Dhe të  gjithë së bashku  i japin një  titull dhe vlerësim  të veçantë  sot  shkrimit  tonë  të titulluar: “Todi Driza,  “Mjeshtri Madh” me shumë vlera”

Skeda e Todi Drizës

Lindur:  në Vlorë  10.02 .1944

Karriera :Volejboll, “Flamurtari”, “Partizani” në vitet 1958 -1976

Ndeshje  të zhvilluara:   526 ndeshje në kampionet kombëtare dhe  63 ndeshje ndërkombëtare

Karriera si trajner: 1972 -1989,  të rritur “Flamurtari”, 1995 -1998,  ekipi të rinjve “Flamurtari”, dhe 2012 e në vazhdim trajner  me ekipin e  paratëreja, të reja dhe të  rritura femrave të “Flamurtarit” dhe  trajner  ekipit kombëtar të rinjve në vitin 1977.

Karriera  si drejtues klubi: Përgjegjësi klubit shumësportësh “Flamurtari” në vitet  2000-2010.

Vlerësimet: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti” , “Mjeshtër i Madh”,”Personaliet i Shquar i Sportit” , “Medalje Meritës”, “Fitues  i Referendumit Mbarëkombëtar   për  Volejbollisti  më të Mirë të Shekullit”, “Qytetar Nderi Vlorës”.