Moisi Dalipi: Rrapo Taho – vlonjati me këmbë braziliane

170
Sigal


Moisi Dalipi
Mjeshtër i Madh

-Një buqetë me lule, një stadium i tërë “ harron” se ai sapo ka goditur për herë të fundit topin, dhe mbërthehet tunduese që ta shohë përsëri në fushën e lojës, përsëri me shiritin e kapitenit, përsëri me nofkën aq të gjetur “Komandanti” Rrapo…-

Data 27 nëntor 1996, në stadiumin “Flamurtari” ceremoni e thjeshtë, simbolike,por kuptimplote. Emri “legjendë” i futbollit vlonjat,mjeshtri i sportit Rrapo Taho bën “divorcin” përfundimtar me skuadrën e zemrës, Flamurtarin. Ka mbushur plot 37 vjet të jetës dhe afro 18 vite të saj i ka kaluar duke djersitur e luftuar për Flamurtarin e tij të zemrës. Një emër i respektuar, tepër popullor për të cilin qyteti i Vlorës zbret shpejt mendimet dhe urimin e ngrohtë “Rrapo Taho të faleminderit për kontributin dhe kënaqësinë që i ke dhënë skuadrës së Flamurtarit, Vlorës dhe tifozëve të saj të zjarrtë. Ky është respekt, vlerësim, por dhe nostalgji. Vetëm 7 vjeç ishte Rrapo Taho, ose Baçi si e thërisnim ne bashkëmoshatarët e tij kur tek ai filloi të mbizotëronte dashuria dhe pasioni i tij për topin e rrumbullakët, të magjishëm të futbollit. Binte në sy shtatlartësia e tij, por dhe këmbëngulja e vogëlushit Taho, i cili harrohej pas topit me orë të tëra. Fushat e vogla mes pallateve të lagjes “Partizani” do të konfirmonin dëshirën e futbollistit të së ardhmes. Nuk e harron aspak Rrapo lidhjen e pare me sportin, mësuesin e fizkulturës Nezat Kabashi, i cili e thirri me ekipin e volejbollit në shkollën “Teli Ndini” të qytetit të Vlorës. Por vetë mësuesi u bind se talenti Taho kishte lindur për t’u bërë futbollist. Siç kujton dhe vetë Nezat Kabashi –jo pak herë pas stërvitjes së volejbollit me ekipin e shkollës Taho luante futboll për orë të tëra me djemtë e lagjes. Ishte gabim thotë ai të ndërprisje pasionin dhe dëshirën për futbollin që ky djalosh kishte, ai tashmë e kishte nisur rrugën e tij drejt futbollit.Shumë shpejt, trajnerët e njohur vlonjat Feredun Bejkosala, Fatmir Gjebrea dhe Skënder Elmazi do ta merrnin në ekipet zinxhir të futbollit pranë Klubit Sportiv Flamurtari.

Me Flamurtarin e viteve 76-78 Taho do të gjente shokët e tij me të cilët do të bënte jo pak, por atë, Flamurtarin e madh, si: Vasil Ruci, Kreshnik Cipi, Petro Ruci, Alfred Ziaj, Përparim Lushaj e Alfred Ferko.”Të një prerje do të dukeshin këta futbollistë që do të lartësonin emrin e qytetit të tyre në arenën sportive përtej kufijve të Shqipërisë. Ka qenë 22 nëntori i vitit 1978 kur në Durrës në takimin Lokomotiva dhe Flamurtari, kur trajneri Agron Sulo do të thërriste në ekip Rrapo Tahon në rolin e mbrojtësit të djathtë. Edmond Licaj kujton:- Rrapo edhe pse kishte kundërshtarë të fuqishëm, u prezantua që në takimin e parë si një mbrojtës potent e me të ardhme. Emocionet e moshës, vetëm 18 vjeç do të bënin të tyren, por shumë shpejt emri i tij lakohej si mbrojtësi i fuqishëm shtatlartë e me të ardhme. Kolektivitetit dhe ndjenja e dashuris e bën të pandarë nga shokët dhe futbollistët më të mirë të kohës së tij, si Liçaj,Cipi, Xhaho, Zilja dhe vështrimit të imët të trajnerit Agron Sulo, i cili vetëm 27 vjeç dhe do të ulej në pankinën e Flamurtarit. Nuk do t’i shpëtonte talenti i Tahos, për ta vendosur në rolin e stoperit në skuadrën e Flamurtarit. Futbollistët Ilir Pernaska,Sefedin Braho, Petri Dibra, Fatmir Hima, Përparim Kovci, Kujtim Majaci e shumë sulmues të tjerë të shquar të futbollit shqiptar, do të ndjenin nga pranë frymëmarrjen e këtij markuesi të aftë e me të ardhme.

Dhe arkivi i Rrapo Tahos është i madh, si vetë emri i tij në futbollin vlonjat, sepse e tillë ishte dhe vetë dëshira e puna e tij për të bërë emër. Sentenca e tij për futbollin ka qenë: Që të bëhesh futbollist nuk mjafton vetëm pasioni për topin, por duhet të respektosh shoket, kolektivin dhe tifozerinë e qytetit tënd. Të gjitha këto të japin emrin futbollist dhe të bëjnë të kesh respekt për fanellën e skuadrës tënde. Cipi-Taho , një dyshe tepër e fuqishme dhe e admirueshme në vite, për të cilën dhe sot të pushton dëshira që të shohësh në fushën e blertë të futbollit. Me ndërhyrjet e pastra e futbollin korrekt ky çift do të ishte një barrikadë thuajse e pakapërcyeshme për çdo vijë të parë sulmuese kundërshtare. Vitet do t’i jepnin emër Tahos në skuadrën e flamurtarit, ku të paharruara janë në kujtesën e të gjithë sportashësve vlonjatë duelet e viteve 80, të Flamurtarit me 17 Nëntorin, me Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon. Flamurtari kërkonte afirmim në futbollin shqiptar dhe nuk janë pak, por 6 here fitues i Kupës së Republikës, 2 herë fitues i saj, 2 herë fitues i Superkupës, 1 herë kampion në sezonin e viteve 1990-1991. Një arkiv i pasur, e padyshim në këto trofe ka pjesën e vet dhe ish kapiteni futbollisti i Flamurtarit, Rrapo Taho,që 13 herë ka veshur fanellën e Kombëtares ku kundërshtarët e vet, si Butragenjo, Hagi etj., e kanë pasur të vështirë të mposhtin talentin e tij. Por emri i Tahos do të merrte me të vërtetë përmasat e legjendës, kur Flamurtari i ayre viteve i dha emër futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare për kupat europiane.

Barcelona, Partizani i Beogradit, Vismuth Auea, Olimpiakos e Greqisë, e shumë skuadra të tjera europiane do të njihnin mirë tiparet e futbollistit të talentuar vlonjat, dhe do të komplimentonin mbrojtësin shtatlartë Rrapo Taho. Tekniku i Gotenbergut Roger Gustavson do të deklaronte pas ndeshjes:” Kishit një skuadër të mirë, por mbi të gjitha do të dalloja mbrojtësin Taho, ai ka me të vërtetë, këmbë braziliane”. Më tej në ndeshjen e paharruar me Barcelonën, ku “komandantit” Taho do t’i takonte të mbulonte as më shumë e as më pak, por klasin e një lojtari si Geri Linekerin, dhe pas kësaj përballje, sportivja “El Mundo” do të shkruante “Një shqiptar frenon Linekerin”. Po kështu dhe ukrainasi i famshëm Oleg Bllohin, që erdhi në cilësinë e trajnerit të Olimpiakosit: “Futbollisti me Nr.5 (Rrapo Taho) është mbrojtës kalibri, të cilin pa hezitim do ta bëja pjesë të ekipit tim”. Pas largimit në vitin 1991 të ish kapitenit të skuadrës dhe mbrojtësit të shquar Kreshnik Cipi. Tahos shpejt i besohet roli i qendërmbrojtësit në rradhët e Flamurtarit dhe shiriti i kapitenit “Vetëm Rrapo Tahos” –mund t’i besohej thotë Cipi, shiriti i kapitenit, sepse ai në të vërtetë e meritonte. Në këto vite vlen të përmendet dhe një gjest madhor i Tahos, ashtu si mjaft shokë të tij të skuadrës për vetë kushtet e vështira që Shiqpëria po kalonte, emigron drejt vendit fqinj Greqisë për të provuar fatin e tij. Ndonëse nuk gjen veten në asnjë skuadër greke, ai fillon të punojë si emigrant derisa me një ditë dëgjon për vështirësitë që po kalonte Flamurtari i tij, në kampionatin e futbollit shqiptar. Zëri i brendshëm vlonjat, pasioni i tij për futbollin, era e fanellës dhe e fushës, e detyruan të braktisë vendin fqinj dhe të rikthete në Vlorën e tij dhe të Flamurtari i zemrës. Dhe menjëherë Taho bëhet frymëzues i skuadrës, duke mbetur i tillë deri në momentin e dorëzimit të fanellës. Portreti i Rrapo Tahos është vështirë të përshkruhet, sepse jeta ka episode, mbresa, kujtime të shumta për të cilat mund të ndalesh më gjatë. Është e vështirë, sepse futbollisti korrekt dhe njeriu i ndershëm Rrapo Taho është shumë më shumë. Kjo është një veti e futbollistëve me emër për të cilët fjala “futboll”ka dimensionin e jetës, ka bukurinë e saj.

Ka thënë për Rrapo Tahon.

Agron Sulo:-” Vështirë që Flamurtari të riprodhojë një mbrojtës të tillë”.

Edmond Liçaj:-” Futbollisti që me talentin e tij, lehtësoi punën e trajnerit”.

Leonidha Curri:-“Rrapo Taho është emër i lidhur me sukseset e Flamurtarit”.

Miço Papadhopulli:-“Ka qenë një mbrojtës i madh si dhe një patriot i madh i qytetit të tij, Vlorës”.

Arsen Hoxha:- “Do ta përmbledh shkurt. Taho ka qenë korrekt, i disiplinuar dhe pasionant”.

Vasil Ruçi:-“ Lineker, Hjuxh dhe Vokrri i njohën mirë aftësitë e Rrapo Tahos”.

Anesti Rrapi:-“Të kesh përpara mbrojtësin Rrapo Taho, çdo portieri i lehtësohet pesha e ndeshjes”.

Alfred Ziaji: “Rrapo Taho i ka merituar sukseset e Flamurtarit në vite”.

Kreshnik Cipi: -“Kam dëshirë që pamvarësisht nga mosha, të luajë prap futboll, por me një kusht që të jem dyshe me Rrapo Tahon”.

Sokol Kushta:-“ Shiritin e kapitenit e mora nga Rrapo Taho. Në lojë si kapiten dua të jem si ai”.

Johan Driza:-“Fanella e Rrapo Tahos që m’u dorëzua kërkon punë, pasion, korrektësi si vetë Mjeshtri i Madh, kapiteni Taho”.

Skeda e RrapoTahos

Lindur : Në Vlorë , më 17..08.1959

Karriera si futbollist: Flamurtari në vitet 1978-1996

Ndeshje të zhvilluara: 597 ndeshje, nga të cilat 11 me ekipin kombëtar dhe 20 me Flamurtarin Kupe Ballkanike dhe Kupat e Evropës.

Trofe të fituara me Flamurtarin:- 1 titull kampion në 1991, 2 Kupa Republike 1985, 1988, 2 Superkupa 1990,1991.

Karriera si trajner. Flamurtarin 1997 -2000, ekipin “Vlora “ 2004-2005 dhe trajner me ekipet e moshave të Flamurtarit 2006  – 2023.

Vlerësimet: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar Sporti, Legjenda e Futbollit shqiptar, Mjeshtër i Madh dhe ‘Urdhëri i Kalorësit me skuadrën e Flamurtarit.