Moisi Dalipi: Portieri Anesti Arapi, vlonjati që i ka thënë golit jo

158
Sigal

Ish- atleti dhe trajneri vlonjat Meleq Arapi e ka pasur dëshirë të herëshme që djali tij Anesti të merrej me sportin e atletikës. Kjo ishte arsyeja që në vitet e fëmijrisë ta merrte të birin me vete kur stërvitej, duke vrapuar me orë të tëra në pistën e stadiumit ose në bregdet. Kjo ishte një nga mënyrat që vrapuesi i 3000 metra me pengesa në ato vite, rekordmeni Meleq Arapi kërkonte t’i ushqente dashurinë për vrapime të birit. Edhe sot Anesti i kujton ato vite kur shpesh herë ndiqte të jatin duke vrapuar në bregdet:-” Unë që fëmijë kam pasur një trup të formuar e të mbushur mirë dhe këmbë të gjata. Babai dëshironte të bëhesha si ai atlet dhe pse jo rekodmen në vrapime. Shumë herë e kisha provuar veten duke vrapuar në pistën e stadiumit dhe ndihesha i kënaqur që isha më mirë se shokët. Por kur shkoja në shtëpi bëja detyrat shpejt e shpejt dhe frymën e mbaja tek fusha e lagjes me shokët duke luajtur futboll. Më pëlqente shumë të luaja mbrojtës ose portier. Ditët kalonin dhe dëshira e pasioni për futbollin më shtohej më shumë.

Sa mbaroja shkollën do gjëndesha nga të parët tek fusha e shkollës industriale “Pamvarësia”. Luanin futboll aq shumë sa shpesh herë prindërit ankoheshin për ne”.Me hapjen e klasave sportive tek shkolla 8 vjeçare “Ismail Qemali”, djaloshi shtatlartë do të regjistrohej tek kjo shkollë. Aty tek ajo shkollë do gjente dhe Roland lljadhin dhe shumë shokë të tjerë, që më vonë do vazhdonin rrugën e bukur të futbollit. Fakti që klasat sportive ishin hapur vetëm për futboll ishte një arsye më shumë për të bindur babain se edhe futbolli ishte një sport që pëlqente ta ushtronte.Mësuesit dhe trajnerët e kësaj shkolle si Skënder Ibrahimi e Fatmir Gjebrea kostatuan shpejt se ky djalë do bëhej një portier me të ardhme. Shpesh herë në orët e mësimit që më shumë ishin futboll Anesti do vendosej mes shtyllave të portës dhe Iljadhi e të tjerë do gjuanin pa ndaluar. Disa gjuajtje do t’i priste dhe disa jo portiere i klasës Arapi, që shumë herë reagonte mirë dhe në kohën e duhur me pritjet e tij. Pjesëmarrja në spartakiadat kombëtare të fëmijëve tregoi se Anesti Arapi premtonte shumë për të qënë siguria e portës të skuadrës. Kalimi tek ekipi i U-17 të Flamurtarit do bëhet shumë shpejt, pa mbushur 16 vjeç. Tek kjo skuadër Anesti Arapi fitoi mirë anën teknike të ruatjes të portës.

Trupi i gjatë dhe shkathtësia kombinoheshin mirë me reflekset që i duhen një portieri për të qenë zot i katërkëndorit të portës. Trajneri i njohur vlonjat Skënder Elmazi që shquhej për mbështetjen dhe punën që bënte në ato vite tek U-19 e Flamurtarit, portierin Arapi, mbrojtësin Iljadhi dhe dy sulmuesit potent Bubeqi dhe Kushta do t’ju jepte vendin e titullarit në skuadrën e tij. Pikërisht tek kjo skuadër fillon rritja e të gjithë elementëve tekniko-taktik që i duhen portierit për të fituar besimin tek skuadra e tij. “Edhe pse detyra e portierit është të mos jetë pjesë e aksioneve në shënimin e golit, roli i tij është diçka më shumë se kaq. Portieri me paraqitjen e tij ruan portën nga golat e kundështarit, por i jep dhe besimin e duhur shokëve të skuadrës gjatë ndeshjeve. Këtë gjë ma këshillonte shpesh herë babai im kur u bëra pjesë e ekipit të U-19 të Flamurtarit. Ai kishte dëgjuarr këto nga portieri italian Xhakomino Pozeli që në vitet e para pas çlirimit luajti për Flamurtarin dhe ekipin tonë kombëtar” -.kujton në rrëfimin e tij Anesti Arapi. Në sezonet e viteve 1982-1984 skuadra e Flamurtarit kishte në përbërjen e saj dy portierë cilësor Aleko Berberin dhe Luan Birçen. Në këto vite portieri Arapi do të aktivizohej tek ekipet e Flamurtarit të U-19 dhe U-21. Dhe pikërisht në fund të sezonit të vitit 1985 portieri Arapi do kalojë tek ekipi parë i Flamurtarit.

Ai së bashku me Luan Birçen do të ishin titullarët e portës vlonjate. “Në ato vite –kujton Birçe nuk kishte trajnerë të portierëve tek skudrat tona. Ne gjithëçka e bënim vet, nën vëzhgimin e trajnerit të dytë. Fati jonë i mirë ishte që kishim në këtë detyrë profesor Skënder Elmazin, që na lodhte shumë në stërvitje, por ishte një shërbesë e mirë në përgatitjen tonë. Të dy bashkë kemi punuar fort si dy koleg dhe miq të mirë”. Birçe –Arapi ashtu siç stërviteshin bashkë, po kështu kanë të ndarë aktivizimet e tyre për vendin e titullarit të portës. Për ndeshjen e parë kur është aktivizuar titullar në portën e Flamurtarit, portieri Arapi kujton:-  “Ishte një ndeshje e rradhës për kampionat në fushën tonë përball fqinjëve të Apollonisë. Kolegn Birçe e kishin bërë pjesë të shërbimit ushtarak. Trajnerët më thirrën dhe më thanë që tani është rradha juaj të keni besimin tonë për të qënë titullar në portë. Mes shumë emocioneve u vendosa midis shtyllave të portës, por në vetvete kisha bindjen se do bëja paraqitje të mirë. Ndihesha i sigurt në portë edhe për faktin, sepse përpara në mbrotjen tonë luanin Petro Ruci, Rrapo Taho, Kreshnik Cipi, Përparim Lushaj e Roland Iljadhi. Një ndeshje e bukur ku Flamurtari ka fituar me rezultatin 2-0. Në analizën e ndeshjes trajnerët më falenderuan për paraqitjen time të parë”. Ka mjaftuar kaq që portieri Arapi të përkushtohet fort në seancat e stërvitjes për të rritur formën e tij sportive. I vëmendshëm gjatë lojës, i guximshëm në daljet nga porta, i sigurtë në çdo kapjen e topit, Anesti Arapi ka konfirmuar më së miri se ishte një portier që i ka thënë jo shumë golave në portën e Flamurtarit. Në kornizën e viteve 1985-1997 (vetëm në sezonin 1991-1992 është aktivizuar një sezon me Iraklis), ky portier titullar ka arkivuar 254 ndeshje me fanellën e Flamurtarit. Po kështu me Flamurtarin ai ka fituar një Kupë të Shqipërisë në 1988, një titull kampion 1991 dhe dy herë Supekupën në 1990 dhe 1991. Në të gjitha ndeshjet është dashur të përballojë gjuatjet e forta e të kalibruara të sulmuesve cilësor shqiptar të atyre viteve si Minga, Kola, Shehu, Kacaci, Demollari, Abazaj, Fortuzi, Kovaci, Luci, Vukatana, Majaci e Seiti. Dhe kjo paraqitje e mirë si një “çelës sigurie” në portën e Flamurtarit do i jepte të drejtën Anesti Arapit që në vitet 1989-1990 të jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar, duke u aktivizuar në dy ndeshje kundër Francës e Anglisë.

Një kapitull me vete plot dritë për karrirën e tij sportive do jenë dhe 11 ndeshjet ndërkombëtare që ai ka zhvilluar si portier i Flamurtarit për Kupat e Evropës në vitet 1987-1996. Të gjitha ndeshjet për portierin Anesti Arapi kanë qënë të rëndësishme, ku Flamurtari ka treguar vlerat e tij më të mira, por në vëmendjen e tij veçohen 6 ndeshjet e zhvilluara në vjeshtën e 1987 kundër Partizan Beogradit, Vismut –Aue dhe Barcelonës. Në 6 ndeshje janë regjistruar 3 fitore për kuqezinjët e Flamurtarit, që kishin vlerën e kalimit deri në turin e tretë të Kupës UEFA. Një Flamurtar i bukur dhe tepër i motivuar përball çdo kundërshtari, pamvarësisht nga emëri dhe historia që kishin. Skuadrat e njohura në futbollin evropian si Partizani Beogadit, Vismut –Aue dhe Barcelona, jo vetëm kanë pranuar humbjen në përballjet me Flamurtarin në Vlorë, por kanë njohur mirë forcën e bukurinë e futbollit vlonjatë, që siç janë shprehur komentet e shtypit sportiv evropian të atyre viteve se:” Ky Flamurtar është skuadër e një vendi të vogël, por që në këtë sezon të Kupës UEFA ka shkruar një histori të madhe”. Natyrshëm që këtë sukses të futbollit vlonjatë në ato vite ka pjesën e tij dhe portieri Anesti Arapi. Në shumë raste gardiani i portës vlonjate ju ka thënë jo golave që kërkonin të shënonin në portën e Flamurtarit sulmuesit e njohur si Bajovic e Vokri, Jakob e Kraus, Lineker, Shuster e Urbano, Panchelski, Mavromatis e Anastopulos. Këto vlera, cilësi, paraqitje dhe trofe të fituara me të drejtë i japin portierit Anesti Arapi dhe Flamurarit të atyre viteve një vend nderi në historinë një shekullore të futbollit vlonjat.

Skeda e Anesti Arapit

Lindur:  Në Vlorë më 09.06.1963.

Karriera si futbollist: Flamurtari në sezonet 1985 -1990 ,1992-1997 dhe Iraklis –Selanik 1991-1992.

Roli në skuadër: Portier.

Ndeshje të zhvilluara: Flamurtari 254 ndeshje, Iraklis 14 ndeshje dhe ekipi kombetar 2 ndeshje.

Trofe të fituara:  Me Flamurtarin një Kupë të Shqipërisë në 1988, një titull kampion 1991 dhe dy herë Supekupën në 1990 dhe 1991.

Vlerësimet: Titulli “Mjeshër Sporti”.