Miroslav Kloze, lamtumira e një legjende

511
Sigal

Shkodran Mustafi: “Një lojtar i madh tërhiqet nga Kombëtarja. Ishte kënaqësi të luaja me ty!”

Njëqind e tridhjetë e shtatë ndeshje ndërkombëtare; 71 gola me Kombëtaren dhe 16 gola në Kupën e Botës. Këto janë rekorde e Miroslav Klozes. Sulmuesi gjerman i Lacios ka vendosur përfundimisht t’i thotë lamtumirë kombëtares së vendit tij, Gjermanisë. Golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Botës, i cili me 16 realizime gjithsej kaloi edhe fenomenin Ronaldo, vendimin e tërheqjes ia ka komunikoi zyrtarisht Federatës Gjermane. Kloze shënoi një gol në fitoren 4-0 të Gjermanisë ndaj Portugalisë dhe një gol në fitoren 7-1 ndaj Brazilit. “Me Botërorin e fituar në Brazil u realizua një ëndërr që e kisha që fëmijë. Jam i lumtur dhe krenar që arrita të japë ndihmën time për këtë sukses të madh të futbollit gjerman. Kam përjetuar momente unike dhe të paharrueshme me kombëtaren. Jam menduar shumë gjatë javëve të fundit dhe e kuptova se nuk mund të kishte moment më të mirë për t’u tërhequr”, janë fjalët e sulmuesit 36-vjeçar që përcillen nga faqja zyrtare e Federatës Gjermane. Mbrojtësi shqiptar i Kombëtares së Gjermanisë, Shkodrani Mustafi, shkroi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”: “Një lojtar i madh tërhiqet nga Kombëtarja. Ishte kënaqësi të luaja me ty!”. Mesfushori i Bajernit të Munihut dhe i Kombëtares gjermane, Mario Gëce, autori i golit që shpalli Kampion Bote Gjermaninë në finalen me Argjentinën, shkroi në “Facebook”: “Faleminderit Miro! Statistikat flasin për ty, por ti je akoma edhe më i shquar si person! Faleminderit…!”. Nuk mund të mungonte dhe një mesazh nga klubi i Lacios, atje edhe ku luan sulmuesi gjerman, e ku është shok skuadre me kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana. “Ke hyrë në historinë e Kombëtares tënde. Vetëm duartrokitje për ty, Kampion i Botës dhe legjendë e futbollit”. I martuar me Silvian me origjinë shqiptare, eksperiencën me “pancerat, si për koincidencë Klose e ka nisur duke debutuar e duke shënuar kundër Shqipërisë më 24 Mars 2001 në Leverkusen. Ish- lojtari i Bajernit, në karrierën e tij të pasur, numëron 137 ndeshje dhe 71 gola me fanellën e Gjermanisë, si dhe 4 pjesëmarrje në Botëror dhe 4 në Europian. Një muaj më parë, Kloze pohoi se përfundimisht nga futbolli do të tërhiqet vitin e ardhshëm dhe sipas të gjitha gjasave lamtumirën fushës së gjelbër do t’ia japë si lojtar i Lacios.

Rekordi i golave

Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslab Kloze, kishte dy objektiva të mëdha gjatë Botërorit e Brazilit: të shndërrohej në golashënuesin me të mirë në historinë e Kampionateve Botërore dhe të bëhej Kampion i Botës. 36-vjeçari i realizoi këto dy dëshira. Ai shënoi dy gola, duke kaluar kështu braziliani Ronaldo, me këtë të fundit që kishte rekordin e vjetër me 15 gola. Për momentin renditja e tre më të mirëve në Botërorë është kjo: Miroslav Kloze (16 gola/24 ndeshje/0.67 gola për ndeshje), Ronaldo (15 gola/19 ndeshje/0.79 gola për ndeshje) dhe Gerd Myler (14/13 ndeshje, 1.08 gola për ndeshje). Me tërheqjen e Miros nga Kombëtarja gjermane, asnjë prej tyre nuk është më në aktivitet. Kloze i ka realizuar 16 golat e tij po në 24 ndeshje: 2002 (5), 2006 (5) dhe 2010 (4) dhe 2014 (2). Ronaldo i ka shënuar 15 golat e tij në 19 ndeshje në botërorët e viteve 1998 (4), 2002 (8) dhe 2006 (3). Gerd Myleri i ka realizuar 14 golat e tij në 13 ndeshje: 10 në Meksikë 1970 dhe 4 në Gjermani 1974, përfshirë edhe golin në finalen e fituar 2-1 ndaj Holandës në Munih. Gjithsesi, është francezi Zhyst Fonten ai që mban një rekord unik: 13 gola në një kampionat të vetëm, atë “Suedi 1958” dhe në vetëm 6 ndeshje të luajtura (540 minuta)! Pele, tri herë Kampion i Botës dhe pjesëmarrës në katër Kupa Bote: 1958, 1962, 1966 dhe 1970 ka shënuar 12 gola. Më pas vinë me nga 11 gola: Jurgen Klinsman (Gjermani), Helmut Rahn (Gjermani) dhe Sandor Kocsis (Hungari), por ky i fundit i ka shënuar vetëm gjatë një botërori (1954).

GOLASHËNUESI MË TË MIRË

M.Kloze Gjermani 16

Ronaldo Brazil 15

G.Myler Gjermani 14

Zh.Fonten Francë 13

Pele Brazil 12

J.Klinsman Gjermani 11

H.Rahn Gjermani 11

S.Koçsish Hungari 11

G.Lato Poloni 10

G.Lineker Angli 10

T.Kubijas Peru 10

G.Batistuta Argjentinë 10

T.Myler Gjermani 10

Kloze, golin e parë kundër Shqipërisë

 Mund të duket si e habitshme, por Miroslav Kloze golin e parë të tij me fanellën e Gjermanisë e ka shënuar pikërisht kundër Shqipërisë. Pikërisht në fitoren 2-1 ndaj Kuqezinjve, më 24 mars 2001, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2002 (Kore/Japoni). Takimi u luajt në “BayArena” të Leverkuzenit. Pas shënimit të golit nga Sebastian Drasler në minutën e 50-të, barazoi për Shqipërinë Bledar Kola në minutën e 65-të. Trajneri Rudi Fëler hodhi në fushë në minutën e 72-të Klozen në vend të Nojvilit dhe 13 minuta më pas, gjermani i lindur në Poloni shënoi golin e fitores 2-1 në të 85’, që mposhti edhe skuadrën tonë të drejtuar nga i ndjeri Medin Zhega.

Asnjë ekip shqiptar nuk ka fituar pesë kampionate rresht. Dinamo e Skënderbeu janë ndalur në 4

 Skënderbeu synon rekordin, titullin e pestë radhazi

 Skënderbeu synon të vendos një rekord unik në kampionatin shqiptar, për të fituar titullin e pestë radhazi, duke u bërë skuadra e vetme me këtë arritje. Korçarët kanë fituar katër tituj rresht midis viteve 2011-2014, ashtu si Dinamo e viteve 1951-1953. Gjithsesi, ndryshe nga katër kampionatet e fundit, duket se  këtë sezon skuadrat shqiptare janë përforcuar dhe pritet të ketë një rivalitet të madh midis Skënderbeut, Partizanit, Flamurtarit, Tiranës, Kukësit. Në fakt, Skënderbeu duket se ka humbur në një armë të tyre me të cilën kanë dominuar vitet e fundit, ruajtja e grupit, duke i shtuar elementë cilësorë në përfundim të çdo sezoni. “Eksodi” te kampionët ka qenë i madh këtë verë, pasi deri më tani janë larguar pesë titullarë të edicionit të kaluar, Gvozdenoviç, Muzaka, Pejic, Bicaj dhe Orelesi, të cilëve i shtohet dhe Sabien Lilaj që kërkon të provojë aventurën polake. Pa harruar edhe emrat e tjerë të cilët dhanë ndihmesën e tyre për të fituar titullin si Zeljko Tomic. Presidenca është munduar që boshllëkun e lënë nga largimet ta mbulojë me afrimet cilësore si mbrojtësit Osmani dhe Vangjeli, apo Progni dhe Berisha në mesfushë, apo sulmuesi lushnjar Sefa. Megjithatë, mungojnë goditjet e mëdha të verës, ashtu siç ishte ajo e Muzakës sezonin e kaluar, apo e Lilaj përpara dy viteve. Tashmë në formacionin e Skënderbeut janë të paktë futbollistët kampionë, me Shehin, Arapin, Radas dhe kapitenin Shkëmbi që kanë provuar të jenë “mbretërit e Superiores në vitet e fundit. Eksperiencës dhe cilësisë së këtyre futbollistëve i është shtuar dhe dëshira për sukses e të ardhurve të cilët për nga cilësia nuk mbeten prapa me pjesën tjetër të ekipit.

 Kukësi shpërthen në akuza ndaj Shkëlqim Muçës

 “Dashuria” mes Presidentit të Kukësit, Safet Gjici dhe trajnerit Shkëlqim Muça ka zgjatur shumë pak. Tani pas largimit të teknikut, kanë shpërthyer edhe akuzat publike ndaj tij. Kështu, klubi verior lëshon një lum akuzash ndaj ish drejtuesit të saj. Me një deklaratë për shtyp të shpërndarë në media, është presidenti Safet Gjici ai që lëshon fjalë të rënda në adresë të ish drejtorit sportiv, duke e akuzuar për shpërdorim detyre si dhe duke e ngarkuar me përgjegjësi për eliminimin nga Liga e Europës bashku me ish-trajnerin Agim Canaj (Kukësi u eliminua qysh në turin e parë nga Kairat i Kazakistanit). Ndër akuzat e shumta që presidenti Gjici ka bërë ndaj ikonës së futbollit shqiptar është edhe fakti se ka kërkuar të bëjë rolin e menaxherit, ndërkohë që për këtë detyrë tek nënkampionët e vendit është ngarkuar Adnand Ocelli. Sipas numrit një të Kukësit, Muça ka diskriminuar lojtarët me peshë të ekipit për preferencat e tij personale, duke aluduar edhe për pazare në dëm të klubit. Këto akuza të presidentit Gjici në drejtim të ish- drejtorit Sportiv Muça vijnë në një moment kur skuadra është në përgatitje e sipër për sezonin e ri, nga trajneri i sapoemëruar Artim Shaqiri. Shkëlqim Muça ka preferuar të mos reagojë, duke theksuar se arsyet e largimit të tij nga klubi i Kukësit i ka bërë publike për mediat.