Agron Kaja: Futbolli beratas-krenaria simbol i qytetit feston një shekull

35

HISTORI SPORTIVE/ Më 25 nëntor 2023, FK Tomori në 100 vjetorin e krijimit, Gazeta “Telegraf” e sjell rrugëtimin në respekt të saj dhe të tifozerisë

Sigal

Nga Agron Kaja

Në Berat, muaji nëntor ka vlera të mëdha edhe në aspektin sportiv, pasi FK Tomori feston krijimin e tij më 25 Nëntor 1923, ku 100 vite më parë është zyrtarizuar topkëmba beratase, edhe pse futbolli në këtë qytet kishte nisur të luhej që në vitin 1913. Pas disa aktiviteteve të zhvilluara me shoqëritë e qyteteve të tjera, Tomori siguroi pjesëmarrjen në të parin Kampionat Kombëtar në vitin 1930 duke e nisur nga Kategoria e Dytë, të cilën e mbylli si kampion. Ndërsa sezonin e parë në ish-Kategorinë e Parë (sot Abissnet Superiore) e zhvilloi në Kampionatin e Dytë Kombëtar, viti 1931. Dhe në 100 vite rrugëtim me ulje e ngjitje, por edhe me suksese, FK Tomori është kthyer në një krenari e simbol të qytetit të gurtë njësoj si Kalaja, lumi Osum, mali i Tomorit apo edhe pasuritë e tjera me histori të hershme dhe aktuale.

Në këtë hapësirë shekullore, Tomori ka marrë pjesë 44 herë në ish-Kategorinë e Parë (Sot Abissnet Superiore), 36 herë në ish-Kategorinë e Dytë (sot Kategoria e Parë) dhe 4 herë në ish-Kategorinë e Tretë (sot Kategoria e Dytë). Ka luajtur në 71 edicione të Kupës së Shqipërisë dhe ka dalë një herë në finale në vitin 1964 (Partizani-Tomori 3-0). Në këto pjesëmarrje Tomori ka fituar 4 herë kampionatin në ish-Kategoria e Parë (sot Kategoria e Dytë), ka fituar 1 herë kampionatin në ish-Kategoria e Dytë (sot Kategoria e Tretë) dhe arritjen më të madhe e ka shënuar në sezonin 1999-2000 në kampionatin e ish-Kategorisë së Parë (sot Abissnet Superiore), ku u shpall nënkampion (Tirana-Tomori 1-1, 5-4 me penallti). Duke marrë pjesë edhe në Kupën UEFA dhe në Kupën Ballkanike, skuadra beratase e ka kompletuar “dosjen” e saj historike, për të ardhur në këtë 99 vjetor të krijimit si skuadër pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë.

Në këto arritje, te Tomori veçohen edhe pesë “Këpuca e Artë” (golashënues më të mirë), me Përparim Kovaçin, Arben Arbrin, Kliton Bozgon, Altin Çukon dhe Klodian Arbrin. Ndërsa në këtë histori janë edhe nëntë futbollistë të Tomorit që e kanë veshur fanelën e Kombëtares, nisur nga Anton Zaho, Astrit Ziu, Kiço Mile, Arben Arbri, Dashnor Dume, Kliton Bozgo, Emiliano Veliaj, Myrto Uzuni dhe Eneo Bitri. Por arritja më e madhe mbetet ajo e sezonit 1999-2000 si nënkampion dhe pjesëmarrës në Kupën UEFA, ku në bankinë ishte Mjeshtri i Sportit, Kiço Mile. Nga viti 1923, janë disa beratas që kanë shënuar emrin në këtë histori si donatorë e Presidentë të klubit, ndërsa ky 100 vjetor i sjell qytetarisë dhe tifozërisë të veçantë beratase atmosferën e një rrugëtimi që duhet respektuar brez pas brezi.

SKEDA E FK TOMORI

Themelimi: 25 Nëntor 1923

Bashkëthemelues: Zyhdi Doko (Kryetar), Shyqyri Lakra (Sekretar); Lilo Xhimitiku (Anëtar-Fotograf), Andon Myzeqari (Finacier&Sponsor), Vangjel Haxhistasa (Anëtar), Alqiviadhi Shyti (Anëtar&Sponsor), Nizam Orizaj (Anëtar), Enis Ruli (Anëtar). Fusha në momentin e themelimit: “Milet Bahçe” (ish-Stadiumi i vjetër)

EMRAT NË 100 VITE

Pas krijimit të FK “Tomori” më 25 nëntor të vitit 1923, skuadra ka përdorur emrat  “Muzaka” dhe “Puna Berat”, ndërsa emri “Tomori” është më jetëgjati dhe më kuptimplotë. Ai nuk ka ndryshuar që nga viti 1957, kur një vendim i Këshillit të Ministrave të RSH-së e ndryshoi strukturën e shoqërive sportive në futbollin shqiptar, dhe mbi to ndërtoi klubet e futbollit. Sot, FK Tomori.

Sa tifozë beratas kujtohen në këto radhë?

Shumë, dhe historia i kujton që nga krijimi e deri në ditët e sotme, i kujton ata që fjalën “Tomori” e përdorën si kryefjalë në stadiume e fusha sportive. Historia i kujton ata tifozë, të cilët në fjalorin e tyre e kishin “dashuri” Tomorin, por që sot në këto radhë është e pamundur të shkruhen. Gjithsesi: Forca Tomori!

Në foto: Tomori Kampion i Kategorisë së Dytë, viti 1930

 

Titulli i mohuar

Në sezonin 1999-2000. Tomori ishte kryesues në renditje me pikë të barabarta me Tiranën, nga 52. Por FSHF-ja shpiku një ndeshje shtesë, Tirana fitoi 5-4 me penallti dhe u shpall Kampione!

Trajnerët më të suksesshëm të Tomorit në vite

#Sabri Behri, 1961-1974

Finalist i Kupës, viti 1964

#Guxim Mukli, 1977-1992

Kupa Ballkanike, 1991

#Kristaq Mile, 1993-2020

Nënkampion 1999-2000

Kupa UEFA, viti 2000

Në Foto: Tomori nënkampion, sezoni 1999-2000

 

PJESËMARRJET E TOMORIT

25 Nëntor 1923-25

Nëntor 2023

#44 herë në Abissnet Superiore

#36 herë në Kategorinë e Parë

#4 herë në Kategorinë e Dytë

#84 herë në Kupën e Shqipërisë

#12 ndeshje ndërkombëtare

#Në Kupat: Bashkimi, Puna,

Ylli, Sporti Popullor, Gazetarët

 

ARRITJET E TOMORIT

25 Nëntor 1923-25

Nëntor 2023

#Finalist, Kupa e Shqipërisë 1964

#Në Kupën Ballkanike, viti 1990

#Nënkampion. sezoni 1999-2000

#Në Kupën UEFA, viti 2000

#4 herë kampion Kategoria e Dytë

#1 herë kampion Kategoria e Tretë

#15 herë kupat mediatike kombëtare