Mikel Canka: Me dy golat ndaj Vorës, shikojmë më afër vendin e gjashtë

30

KATEGORIA E PARË/ Kapiteni Mikel Canka ka shënuar tri herë për Lushnjen në ditën e tij të lindjes

Sigal

Agron Kaja

Agron Kaja

 

“Jemi ende në synimin tonë të startit, për të qënë mes gjashtë skuadrave më të mira të këtij sezoni. Nisur nga skema, për ne do të ishte si “qershia mbi tortë” që të synojmë edhe më tej.”

Më 18 shkurt u luajtën dy ndeshjet e fundit të javës së 21-të të Kategorisë së Parë: Lushnja-Vora 2-1 dhe Flamurtari-Korabi 2-0. Në të dyja këto sfida, dy futbollistë shënuan nga dy gola (“dopietë”), Mikel Camka i Lushnjës dhe De Oliveira i Flamurtarit. Por veçohet ajo e kapitenit të Lushnjës, Mikel Canka, i cili me dy golat e shënuar e festoi edhe ditëlindjen e 37-të të tij në fushën e lojës. Festimi për Camkën ka qënë i veçantë, ku edhe pse qëndroi për 30 minuta në fushën e lojës, ai shënoi dy gola në harkun e pesë minutave (23’ dhe 28’), të cilët i dhanë tri pikët e fitores Lushnjes. Për gazetën “Telegraf”, kapiteni lushnjar u shpreh se kjo ishte hera e tretë që ai shënonte gol në ditën e tij të lindjes. “Po, më ka ndodhur edhe dy herë të tjera. Fillimisht dhjetë vite më parë kur mbusha 27 vjeç dhe i shënova një gol Sopotit. Hera e dytë ishte në sezonin e kaluar ku i shënova Besëlidhjes dhe dy golat kundër Vorës të dielën ishin për herë të tretë që shënoja në ditën time të lindjes. Por kjo me Vorën na dha shumë qëndrueshmëri e siguri, njëherësh na forcon pozitat në mesin e renditjes”, kështu u shpreh dje për gazetën “Telegraf” kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka, i cili me dygolëshin e tij i dha fitoren Lushnjës në përballjen me Vorën. Por edhe pse në këtë pozicion në renditje, kapiteni lushnjar shprehet se të gjitha ndeshjet do të jenë me të tilla synime për skuadrën e tij, për të qënë mes gjashtë skuadrave më të mira të këtij sezoni. “Fitoret e Lushnjes kanë ardhur në një ritmikë, nga e cila skuadra ka treguar se ka mundësi e potencial për të synuar më shumë. Konkretisht, duke qënë se jemi ngjitur në renditje, tashmë rikujtojmë synimin tonë të startit, për të qënë mes gjashtë skuadrave më të mira të këtij sezoni. Nisur nga skema, do jenë katër skuadra që luajnë në Play-Off, e këtu mendoj se për ne do të ishte si “qershia mbi tortë” që të syojmë më tej”. Në javën e 22-të, e cila mbyll edhe fazën e dytë të këtij kampionati, Lushnja luan një ndeshje të vështirë me Korabin në Peshkopi, skuadër rivale edhe kjo, e cila nga ana e saj ka disa javë që renditet në vendin e gjashtë në tabelë, por pas javës së 21-të është me pikë të barabarta me Lushnjën, nga 26. “Ne synojmë të renditemi mes gjashtë skuadrave më të mira, dhe në ndeshjen e fundit në Peshkopi (me Korabin) do shkojmë për maksimumin e pikëve, pse jo edhe fitoren. Asgjë nuk kemi për të humbur”, kështu e analizon situatën e skuadrës së tij, kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka. Në javën e 22-të, Lushnja luan në transfertë me Korabin në Peshkopi.

KUPA E SHQIPËRISË

Çerekfinalet e Kupës, si kompesim për kampionatin

KUPA E SHQIPËRISË

 

FAZA ÇEREKFINALE

Të martën, 20 shkurt 2024

Kukësi-Partizani                      13:30

Teuta-Tirana                17:00

Të mërkurën, 21 shkurt 2024

Laçi-Egnatia                13:30

Erzeni-Vllaznia                       13:30

 

Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen sot dhe nesër. Në këtë tur janë kualifikuar tetë skuadra të Abissnet Superiore, të cilat kanë qënë periodikisht pjesëmarrëse në turet e këtij trofeu, por mes tyre mungon Dinamo City 13 herë fituese e kësaj kupe. Ndërsa Tirana e ka fituar 16 herë, Partizani 15, Vllaznia 8, Flamurtari e Teuta nga 4 herë, Besa, Kukësi, Elbasani dhe Laçi janë nga 2 herë fitues dhe Skënderbeu, Apolonia me Egnatian nga 1 herë. Të gjitha skuadrat e kanë fituar Kupën e Shqipërisë, veç Erzenit, por në këtë situatë, këto çerekfinale duken edhe si një kompesim që skuadrat e mendojnë për kampionatin. Këtë synim e kanë edhe ato katër skuadra që do luajnë në “Final 4”, por edhe ato skuadra që janë për mbijetesë

Faza e dytë

Me ndeshjet e javës së 22-të mbyllet faza e dytë e Kategorisë së Parë.

Faza e tretë do të luhet sipas skemës së FSHF-së

 

KATEGORIA E PARË

Ndeshje e prapambetur

E mërkurë, 21 shkurt 2024

Kastrioti-Bylis                         13:30

 

NDESHJET, JAVA 22

Të shtunën, 24 shkurt 2024

Vora-Apolonia                        13:30

Të dielën, 25 shkurt 2024

Korabi-Lushnja                       13:30

Kastrioti-Besa                         13:30

Luzi 2008-Burreli                    13:30

Tomori-Flamurtari                   13:30

Të hënën, 26 shkurt 2024

Bylis-AF Elbasani                   13:30

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Bylis                         20        51

2.AF Elbasani              21        49

3.Vora                         21        39

4.Flamurtari                 21        39

5.Apolonia                  21        31

6.Korabi                      21        26

7.Lushnja                    21        26

9.Burreli                      21        22

8.Besa                         21        19

10.Kastrioti                 20        17

11.Tomori                    21        14

12.Luzi 2008               21        12