Migjen Skënderi: Skuadrat nuk kanë stabilitet, por ka shumë rivalitet

119
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Mjeshtri i Sportit, ish-kapiteni i Bylisit, Migjen Skënderi, skanon gjashtë javët e luajtura

 

Agron KAJA

Agron Kaja

 

“Duhet të kuptojmë se janë vetëm gjashtë ndeshje dhe jemi në mesin e fazës së parë, e realisht jo të gjitha skuadrat kanë treguar vlerat e tyre. Do veçoj si pretendente për të qenë lidere të kreut të renditjes: Bylisin, AF Elbasanin, Vorën e Flamurtarin”

 

Futbolli shqiptar do të luajë rregullisht këtë fundjavë ndeshjet e përcaktuara në kalendarë, sepse javën tjetër ndërpritet për shkak të zhvillimit të ndeshjeve të Kombëtares, me Çekinë për “Euro 2024” dhe miqësore me Hungarinë. Edhe Kategoria e Parë do të luajë javën e 7-të të saj, ku në gjashtë sfidat, veçohet më shumë si kryendeshje Vora-Bylis, me ballshiotët që kryesojnë renditjen dhe vorakët që në vendin e tretë janë 4 pikë më larg. Ndërkohë, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Bylisit, Mjeshtri i Sportit Migjen Skënderi, për gazetën “Telegraf” deklaroi dje se renditja në këto gjashtë javë është e merituar për të gjitha skuadrat. “Për aq ndeshje sa unë kam ndjekur këtë sezon në Kategorinë e Parë, them se renditja është e merituar për çdo skuadër. Ka shumë rivalitet mes skuadrave, pavarsisht nga renditja që ato kanë në tabelë, dhe këtë e veçoj njëherësh edhe si një tregues që do ti shërbejë për mirë gjithë garës së këtij sezoni në këtë kategori”, kështu mendon specialisti i futbollit, Migjen Skënderi, i cili veçon edhe skuadrat më të spikatura në gjashtë javët e para të këtij sezoni. “Duke ju referuar ndeshjeve, dhe më pak renditjes, unë veçoj këto katër skuadra si pretendente për të qenë lidere të kreut të renditjes: Bylisi, AF Elbasani, Vora dhe Flamurtari. Duhet të kuptojmë se janë vetëm gjashtë ndeshje dhe jemi në mesin e fazës së parë, ku realisht jo të gjitha skuadrat kanë treguar vlerat e tyre të vërteta. Ndaj nga java në javë unë pres që këto skuadra të krijojnë grupin e kreut në renditje, për ti dhënë garës edhe më shumë bukuri”. Vetëm për bankinat në Abissnet Superiore ka vërejtje Migjen Skënderi, sepse ato në Kategorinë e Parë i quan më të stabilizuara. “Në fakt, zhvillimi i ndeshjeve në këtë sezon ka nisur me ngarkesë, për shkak të ngjeshjes së datave. Por për këtë situatë  skuadrat kanë qenë të përgatitura dhe nuk duhet të justifikohen. Duke patur edhe bankinat të stabilizuara, jo të lëkundura siç po ndodh në Abissnet Superiore, këtu në të Parën Presidentët u japin më shumë kohë trajnerëve, ndaj edhe ato janë më të stabilizuara. Sepse këta (Presidentët) nuk janë të ndërgjeshëm që çdo trajner do kohë të përshtasë punën e tij në skuadër, pavarsisht rezultateve, të cilët në shumicën e rasteve janë edhe fat”, ishte kjo analiza e Migjen Skënderit, ish-lojtar dhe trajner i Bylis të Ballshit. Kategoria e Parë i luan në dy ditë ndeshjet e javës së 7-të, nisur edhe nga fakti se disa prej skuadrave nuk i kanë fushat e stadiumet të gatshme.

 

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 7 

Të shtunën, 7 tetor 2023

Vora-Bylis                     14:00

Lushnja-Luzi2008          14:00

Apolonia-Tomori            14:00

Besa-Flamurtari              14:00

(Luhet në fushën e Luzit)

Të dielën, 8 tetor 2023

Kastrioti-Korabi             14:00

(Luhet në Fushë Krujë)

AF Elbasani-Burreli        14:00

(Luhet në Rrogozhinë)

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  6        16

2.AF Elbasani       6        13

3.Vora                  6        12

4.Apolonia            6        11

5.Flamurtari          6        9

6.Tomori              6        9

7.Korabi               6        8

8.Kastrioti            6        6

9.Burreli               6        4

10.Besa                6        4

11.Lushnja            6        4

12.Luzi 2008        6        2

Skuadra pa stadium dhe tifozë që shtegëtojnë!

Edhe pse sezoni 2023-2024 ka nisur dhe janë luajtur gjashtë javë, në Kategorinë e Parë janë disa skuadra që nuk kanë fusha apo stadium ku duhet të luajnë ndeshjet si skuadër pritëse.. E për pasojë, në shtatë javë, 11 ndeshje janë luajtur në fusha asnjëanëse! Dhe kjo ndodh sepse në Kategorinë e Parë, kryesisht Kastrioti, Lushnja e Besa i kanë stadiumet e papërshtatshme, ndërsa AF Elbasani “internohet” sa herë që në stadiumin e qytetit të tij hyn në lojë FSHF-ja me skuadra kombëtare të të gjitha niveleve. Dhe, tifozët janë ata që e vuajnë më shumë shtegëtimin në fusha e stadiume asnjëanëse.