Messin s’mund ta ndalesh as duke e shkelmuar, thotë ylli i Liverpoolit Robertson

177

Robertson, i cili u takua dy herë me argjentinasin në Ligën e Kampionëve para 18 muajve, ishte ndër të paktën që nuk ishte i lumtur që Messi do të kalonte në Premierligë.

Messi po shpresonte të largohej nga Camp Nou dhe thuhej se do t’i bashkohej Manchester City, por në fund vendosi të qëndrojë në Barcelonë thjesht për ta shmangur betejën ligjore me klubin që e dashuron, pasi nuk u lejua të largohej i lirë.

Edhe pse kjo i ka zhgënjyer shumë tifozë të Premierligës, Robertson ndihet i çliruar dhe e pranon se detyra për ta ndalur Messin është pothuajse e pamundur.

“Nuk isha i ngazëllyer aspak. Messi do ta kishte ngritur Cityn në një nivel tjetër”, tha Robertson për The Times.

“City ka lojtarë të klasit botëror dhe t’ia shtosh Messin këtij ekipi… kur luan kundër Messit duhet ta parashikosh sepse nuk mund ta dish nëse ai do të shkojë në të majtë, apo në të djathtë. Mendërisht është lodhëse, e lëre më fizikisht”, shtoi ai.

“Nganjëherë njerëzit mendojnë se mënyra e vetme për ta ndalur Messin është ta shkelmosh. Por ai çohet në këmbë menjëherë dhe e do topin menjëherë”, nënvizoi ai.