Memushaj bëhet “çështje”, Peskara, as “po” dhe as “jo”!

574
Nga Agron KAJA
LEGJIONARËT/ Java e “lamtumirës” nga “delfinët, te Sioni ka sprint final për mesfushorin e kombëtares sonë
Vala e merkatos së kësaj vere, më shumë se sa të tjerët, nga legjionarët e Kombëtares sonë ka prekur vlonjatin Ledian Memushaj. Aktualisht te skuadra e Peskarës, Memushaj është një nga mesfushorët më të rëndësishëm, merkato nuk e ka lënë të qetë, pasi po e transferon drejt Zvicrës. Edhe pse ka pasur interesime nga disa skuadra të Serisë A, mesfushori duket se joshet shumë nga ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares, Paolo Tramexani, aktualisht trajneri i Sionit në Superligën zvicerane. Dhe duke qenë se, në këtë periudhë merkatoje, “komandën” e kanë mediat me informacionet që sjellin apo stisin, ato pranë skuadrës së “delfinëve”, dje kanë informuar se, Peskara do të ketë një takim gjatë kësaj jave me drejtuesit e Sionit, për të vendosur përfundimisht, nëse do të mund të kryhet një transferim apo jo. Disa ditë më parë, vetë Ledian Memushaj u pyet nga një prej tifozëve të Peskarës në përfundim të një seance stërvitore, se çfarë do të vendoste gjatë merkatos. Tifozi u interesua te kapiteni, nëse do të qëndronte te Peskara edhe këtë sezon, apo do të largohej. Përgjigjja e Memushajt ishte se, do të qëndrojë te Peskara. Ka ditë që Memushaj është nën urdhrat e trajnerit Zeman, ku po merr pjesë në fazën përgatitore për sezonin e ri. Po kështu, në një deklaratë dhënë për mediat në fundjavën e shkuar, presidenti i Peskarës njoftoi se, shqiptari është shumë i rëndësishëm për ekipin dhe se nuk do të shitet lehtë, pavarësisht interesimeve. Ndërkohë, kujtojmë se në fillim të merkatos, kryesisht gjatë muajit korrik 2017, sipas mediave italiane, për Memushajn u bë një ofertë nga Bolonja, e cila zyrtarisht e pretendoi vetëm për 2 milion euro. Kësisoj, mbetet për t’u parë se çfarë do të jetë në gjendje që të ofrojë skuadra e Sionit e drejtuar nga Tramexani, i cili duket se po kërkon me çdo kusht shërbimet e Memushajt për repartin e mesit të fushës. Duke i vlerësuar të gjitha këto oferta, të cilat për një futbollist shqiptar janë edhe në vlera të majme, mesfushori i Peskarës Ledian Memushaj, është bërë “çështje” në merkaton e kësaj vere, por që më shumë po e orienton drejt kampionatit elitar në futbollin zviceran. Vlonjati tashmë 31 vjeçar, ka rreth 14 vite që luan në kampionatet e niveleve profesioniste në futbollin italian, ndërkohë që te Peskara luan që nga sezoni 2014-2015, më parë në Serinë B dhe në sezonin e kaluar në Serie A, me të cilën ka luajtur në mbi 100 ndeshje, me rreth 20 gola të shënuar.
Sigal