Mehdi Bushati: “Është koha që, kompleksi t’i kthehet Dinamos”

598
Sigal

Flet për “Telegraf” një nga ikonat e Dinamos dhe Kombëtares: “Të mbrojmë klubet elitare”

Mehdi Bushati, legjenda e Dinamos dhe e Kombëtares shqiptare, një nga ideatorët e zhvillimit masiv sportiv, apo implementimit të klasave sportive para viteve 1990, të cilat reflektuan një bum cilësor të përfaqësimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, është i mendimit se ka ardhur koha që, Kompleksi Sportiv “Dinamo”, sot i shndërruar në Agjenci Shtetërore të Sportit, t’i rikthehet “pronarit” të ligjshëm, Dinamos, klubit që ka fituar 18 tituj kampionë, 13 Kupa të Shqipërisë, 2 Superkupa dhe numëron dhjetëra ndeshje ndërkombëtare. Ish-Kryetari i Komitetit Shtetëror të Sportit (1979-1989), njëherësh edhe Kryetar i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, ka qenë shefi i klubit të Dinamos në periudhën 1989-1992. Ai është një nga njohësit më të mirë sesi nisi ndërtimi i kompleksit modern të Dinamos (sipas një projekti francez, të ngjashëm me atë të PSG-së), por dhe fillesat e shkatërrimit të një prej institucioneve më të respektuara futbollistike në vendin tonë. Mehdi Bushati ka qenë kampion me Dinamon, si dhe e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë me klubin blu. Ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i kërkon atij institucioni të ngrejë zërin e saj, që këto lloj pronësish dhe ambientesh sportive t’u takojnë këtyre klubeve.

 – Zoti Bushati, ju jeni një nga ikonat e Dinamos dhe Kombëtares shqiptare. A ka ardhur koha që, Kompleksi i Dinamos, që sot është nën administrimin e Agjencisë Shtetërore të Sporteve, t’i rikthehet sërish të zotit?

–  Mendoj se, nuk duhet folur për kthimin jo vetëm të Kompleksit Sportiv “Dinamo”, por dhe të stadiumit “Dinamo”, sot “Selman Stërmasi”. I konsideroj, si çështje të pavarura nga njëra-tjetra, pasi që të dyja kanë pronë e klubit të Dinamos, administroheshin prej tij. Mendoj se, nga pikëpamja ligjore tjetërsimi i aseteve nuk qëndron. Le të kthehemi më shumë se dy dekada më pas dhe ta shohim çështjen në origjinë. Stadiumi “Dinamo”, para viteve 1990 ishte në inventarin e Ministrisë së Brendshme, nga ku varej edhe Dinamo. Për ta ilustruar me një fakt: unë, si futbollist i Dinamos, gjithë jetën time sportive e kam kaluar pikërisht në atë stadium, në të cilin trajnoheshim në aspektin sportiv, akomodoheshim dhe ushqeheshim po në restorantin e ngritur, po aty.

– Si ndodhi që, ish-stadiumi “Dinamo” të kalonte në pronësinë klubit tjetër kryeqytetas, Tiranës, e cila edhe administron atë?

– Pas ndryshimeve që ndodhën në vendin tonë, në fillim të viteve 1990, me një vendim apriori dhe aspak të konsultuar nga ana ligjore, por vetëm me një firmë të nënkryetarit të atëhershëm të Bashkisë së kryeqytetit iu dha klubit të Tiranës. Në fakt, vendimi nuk do të provokonte pakënaqësi, por fakti që, kaloi në administrimin nga një klub tek tjetri nuk la një shije të mirë. Për më tepër që, stadiumi nuk ishte në pronësinë apo inventarin e Bashkisë.

– Dinamo gjendet në një situatë aspak të mirë, madje po gjendja e saj po degradon çdo ditë e më shumë…

– Degradimi i Dinamos duhet parë qysh në vitin 1992, kur nisi të projektohej edhe një nismë tërësisht me karakter politik, duke i ndërruar edhe emrin klubit, dhe e quajtur atë KS “Olimpik” (në  edicionet 1995-1996 dhe 1996-1997). U desh ndërhyrja e organeve shumë të specializuara pranë UEFA-s, të cilët rekomanduan dhe insistuan që t’i kthehej sërish emri Dinamo, pasi ishte historia e një klubi të evidentuar për një numër të madh trofesh (aktualisht 18 kampionate, 13 Kupa dhe 2 Superkupa) dhe një numër ta madh paraqitjes ndërkombëtare.

– Në ish-kompleksin Dinamo ka shumë kontrata me subjekte private që, administrojnë  ambiente sportive, madje disa federata duhet edhe të paguajnë për të zhvilluar aktivitet e tyre në to. A është koha, që ato t’i kthehen kompleksit Dinamo?

– Si hap të parë, unë do të kërkoja që ambientet, për të cilat Dinamo stërvitet dhe është e detyruar padrejtësisht të paguajë qira apo të futet përmes jo portave zyrtare, të ktheheshin dhe më pas të niste dhe kthimi i ambienteve të tjera që dikur i përkisnin kompleksit. Zërin për rikthimin e kompleksit “Dinamo” duhet ta ngrejë fuqishëm edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila është organizatorja e aktiviteteve futbollistike dhe veprimtarive të klubeve, të cilat ajo përfaqëson. E njëjta gjendje është edhe te Partizani. Goditja dhe rënia e klubeve elitare është një dobësi edhe për përfaqësimin në ekipet kombëtare. Dinamo, Partizani, Tirana, apo dhe ekipet e tjera, si Skënderbeu, apo dhe Kukësi duhen ruajtur dhe duhen me prioritet t’u jepen mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

– Duket tepër absurd fakti që, Dinamo duhet të paguajë për t’u stërvitur në një kompleks të sajin. Cili është mendimi juaj?

– Sot, klubi i Dinamos duhet të marrë lejë në një Agjenci e Shërbimit të Sporteve, që s’ka asgjë të lidhur me futbollin dhe e aneksuar në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Klubit të Dinamos, që i takon ajo lloj pronësie dhe fushe, duhet të marrë leje apo të hyjë nga porta të dyta apo edhe të rastit, për të kryer stërvitje në ambientet e veta. Ka politika shtetërore dhe jo të drejta, por një organizëm tërësisht i bazuar me futbollin, si Federata Shqiptare e Futbollit, duhet të bëjë thirrje nëpër media dhe të ngrejë zërin e saj, që këto lloj pronësish dhe ambientesh sportive t’u takojnë këtyre klubeve. Të njëjtën gjë, duhet ta bëjnë edhe drejtuesit e tjerë të klubeve që kanë probleme të ngjashme.

– Tre klubet e kryeqytetit, Partizani, Dinamo, por tani dhe Tiranë, po përjetojnë një situatë aspak të mirë sportive…

–  Dua t’i referohem një fakti. Aktualisht, në një klasifikim specifik të FIFA-s në lidhje me 300 ekipet më të mira në Europës, në të cilin Shqipëria renditet me Tiranën, Dinamon, Partizanin dhe ekipet e tjera nga vendi ynë. Bota e ruan dhe e mbron historinë e suksesshme të një klubi, ndërsa në vendin tonë përpiqen ta shkallmojnë atë. Është shumë e lehtë, për të përmbysur diçka, por tepër e vështirë për ta ndërtuar atë. Lufta ndaj Dinamos vazhdoi edhe më tej, derisa ajo ra dhe nga Kategoria Superiore. Unë jam dëshmitar i asaj kohe, sesi ra Dinamo në një kategori më të ulët, në një nga ndeshjet e fundit, kur u caktua një arbitër i cili i mohoi pikët sa për të rënë skuadra.

– A kishit menduar ndonjëherë Dinamon se do të rrëzohej një kategori më poshtë?

– Unë nuk e ngre në këtë këndvështrim problemin e Dinamos, pasi nga kategoria ra edhe Partizani. Mungesa dhe rrëzimi i ekipeve elitare e dëmtojnë politikën sportive në vend. Dhe këto skuadra elitare, të cilat përbëjnë edhe brumin e dhe bazën e ekipeve kombëtare, ne i kemi shumë dobët. Sot lëngon Tirana, si asnjëherë tjetër, pikërisht skuadra më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave dhe e përfshirë në mes të renditjes botërore. Partizani tani po ringrihet, vazhdon të vuajë Dinamo, por dhe Flamurtari s’po kalon një moment të mirë, apo dhe qytete me shumë tradita në futboll që po vuajnë. Në këtë këndvështrim, Dinamo është një humbje për futbollin tonë.

 Bushati, fantazisti i parë modern kuqezi

 Mehdi Bushati ishte një nga fantazistët e parë modern të Kombëtares Shqiptare. “Sa mbarova gjimnazin në Shkodër, – tregon Bushati, – më doli e drejta universitare. Specialisët e futbollit të asaj kohë më konsideruan si talent dhe më ofruan mundësinë të bashkohesha me Dinamon dhe të isha titullar më atë skuadër. Të ishte titullar në atë kohë te Partizani, Dinamo, Tirana apo Vllazia, do të thoshte se ishte shumë pranë ekipit Kombëtar. Jam aktivizuar me ekipin Kombëtar në fillim të viteve 1960, në ndeshjet eliminatore të Europianit 1964 (në Spanjë) dhe Botërorit 1966 (në Angli)”. Bushati shton: “Ka qenë një gjeneratë shumë e përkushtuar dhe që ka bërë sakrifica të mëdha. Mendoj se, duhen kujtuar gjithmonë e më shumë për atë që kanë dhënë në ato vite për futbollin shqiptar”. Sulmuesi shtatshkurtër Mehdi Bushati ka zhvilluar 6 ndeshje ndërkombëtare, por ka qenë në formacionet e para historike të kompeticionevë të mëdha. Shkodrani Bushati ka luajtur kundër Bullgarisë (0-1, 02.06.1963) në kualifikueset e Lojërave Olimpike. Mehdi Bushati ka qenë pjesë e formacionit shqiptar në ndeshjen e parë ndërkombëtare të Kombëtares sonë për kualifikueset e Kampionatit Europian 1964, ajo kundër Danimarkës të humbur 4-0, më 29.06.1963, si dhe ishte në formacionin e hedhur nga legjenda Loro Boriçi në fitoren e parë të Shqipërisë në Europë, në atë 1-0 të bujshëm kundër danezëve falë golit të Panajot Panos (30.06.1963). Bushati është gjithashtu ka mbetur në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar në eliminatoret e Kampionatit Botëror, atë kundër Holandës (të humbur 2-0), më 24.05.1964 në Roterdam, ashtu si dhe në atë të humbur në Tiranë, po 0-2 (25.10.1964). Ai ka qenë pjesë e një plejade të shquar lojtarësh si Panajot Pano, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Mexhit Haxhiu, Medin Zhega, Robert Jashari, etj. Sulmuesi i fshehur numëron gjashtë ndeshje me Kombëtaren: dy me Danimarkën, dy Holandën, si dhe nga një me Zvicrën dhe Algjerinë (kjo miqësore).