Mbyllje prej kampionësh, Inter mposht me goleadë Udinesen

160
Sigal

E nisur që më 2 maj, kur fituan matematikisht trofeun kampion, festa e Interit kulmoi pasditen e sotme në “San Siro”, në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Udineses, në përfundim të së cilës u bë edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut.

Me lejen e autoriteteve, një mijë tifozë zikaltër patën fatin të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, ndërsa mijëra të tjerë u grumbulluan në ambientet e jashtme, ku pritën me entuziazëm autobusin e skuadrës dhe më pas morën pjesë në festën e titullit në përfundim të takimit.

Ndonëse ditë feste, zikaltrit në fushë nuk u shpërqendruan aspak dhe bënë detyrën ndaj Udineses, duke zhvilluar një 90-minutësh në kufijtë e perfektes dhe duke marrë një fitore me rezultatin e thellë 6-1.

Serinë e golave e hapi anglezi Ashley Young në minutën e 8’, pasi shfrytëzoi një asist të Lautaro Martinez, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë ishte danezi Eriksen që ekzekutoi në mënyrë të saktë një goditje dënimi, duke dyfishuar shifrat.

Në fillim të pjesës së dytë zikaltrit fituan një 11-metërsh të cilin e shndërroi në gol Lautaro, ndërsa më pas ishte Perisic që shënoi një gol mjaft të bukur me një goditje në pozicion të prirët dhe Lukaku çoi shifrat në 5-0 në një devijim me fat, pas topit të kthyer nga shtylla.

Udinese gjeti golin e nderit në minutën e 79’, kur pas një penalltie të akorduar me ndërhyrjen e VAR-it, ishte Roberto Pereira që dërgoi topin në rrjetën e Daniele Padellit, ndërsa vërshëllima finale e arbitrit Volpi la në fuqi suksesin 5-1 të Interit dhe i hapi udhë nisjes së ceremonisë festive të dorëzimit të trofeut.