Mbyllet merkato, 98 transferime në Kategorinë Superiore / Ja të gjitha lëvizjet e dimrit në elitën shqiptare

24
Sigal

Merkatoja e janarit për klubet e Kategorisë Superiore u mbyll zyrtarisht në orën 24:00 të datës 31 janar. Tashmë në atë që cilësohet si FIFA TMS (sistemi i regjistrimit të lojtarëve), vetëm skuadrat që kanë lënë vende bosh në listën me 25 të federuar, mund të marrin ndonjë futbollist të lirë, që prej muajsh nuk është nën kontratë. Me kampionatin që është futur në një fazë interesante, mund të bëhet edhe bilanci për 10 klubet e Superiores sa u përket transferimeve.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, ku shpenzimet kanë qenë më të mëdha në këtë sesion merkatoje, këtë herë janari rezultoi vërtet i ftohtë për shumicën e skuadrave. Pjesa më e madhe u kujdes të bëjë korrigjimet e nevojshme në ato pozicione ku ka pasur probleme, por natyrisht nuk munguan as klubet që u prekën nga revolucioni, qoftë me lëvizjet në hyrje, ashtu edhe ato në dalje.

Në një vëzhgim të “Panorama Sport”, rezulton se ekipet e elitës kanë bërë në total 45 afrime, ndërsa ka pasur 53 largime. Klubet “rekordmene” për afrimet në merkaton e dimrit janë Kukësi me 10 lojtarë dhe Erzeni me 9. Shijakasit janë gjithashtu skuadra që ka larguar më tepër futbollistë, plot 10.

Në këtë janar pati edhe raste si Tirana dhe Skënderbeu, që për shkak të borxheve nga gjyqet e humbura, u është bllokuar merkatoja (nga FIFA dhe FSHF-ja). Të dyja nuk arritën ta zhbllokonin, me korçarët që nuk bënë asnjë afrim, ndërsa bardheblutë rikthyen nga huazimi sulmuesin Dijar Nikqi. Ky i fundit ishte te Teuta, por duke qenë në kontratë me Tiranën, FIFA lejon regjistrimin, duke qenë se bardheblutë janë klubi mëmë.

“GODITJET” – Partizani riktheu sulmuesin Xhuljan Skuka, i cili erdhi në formë huazimi nga Metz për pjesën e mbetur të sezonit.

Nga ana tjetër, Egnatia bleu kartonin e sulmuesit të Kombëtares së Kosta Rikës, Jurguens Montenegro, duke shpenzuar 150 mijë euro. Ky i fundit ka shënuar dy gola në tri ndeshjet e para, edhe pse duke luajtur si zëvendësues.

Për t’u “zbuluar” janë sulmuesi maroken i Erzenit, Junes Bnou Marzuk, si dhe fantazisti kosovar i Vllaznisë, Alfred Ajdareviç.

Teuta dhe Kukësi “peshkuan” lojtarë që kanë kaluar në Kombëtaret e moshave kuqezi, si mbrojtësi Elmando Gjini dhe mesfushori Kleandro Lleshi, të cilët mund t’i japin një dorë në pjesën më të rëndësishme të sezonit, aty ku skuadrat luajnë fatet e tyre në objektivat që kanë.

SHITJET – Tirana dhe Egnatia ia panë hajrin shitjeve të lojtarëve në këtë sesion merkatoje. Florent Hasani kaloi nga bardheblutë te Rapidi i Bukureshtit në Rumani për 300 mijë euro, ndërsa Albi Doka te Ujpeshit në Hungari për 100 mijë euro. Gjithashtu sulmuesi brazilian, Kaina Nunjesh, u shit për 80 mijë euro në Korenë e Jugut te klubi Çungnam Asan.

Ndërsa rrogozhinasit bënë “bingo” me sulmuesit Vusal Isgandarli dhe Gutis Paulauskas. I pari u transferua te Boluspori në Turqi për 150 mijë euro, ndërsa i dyti në Ukrainë te Kolos Kovalivka për 300 mijë euro.

MERKATOJA E JANARIT

PARTIZANI

AFRIME: Redon Ismaili, Xhuliano Skuka, Bozho Mikuliç;

LARGIME: Eros Grezda, Viktor da Silva, Sabit Bilali, Mateo Koçijan;

TIRANA

AFRIME: Dijar Nikqi (rikthimnga huazimi);

LARGIME: Florent Hasani, Ardit Hila, Kaina Nunjesh, Klevi Qefalija, Albi Doka, Leo Ballhysa;

DINAMO

AFRIME: Jorgo Meksi, Mori Bamba, Stivian Janku, Kilian Çuni, Ardit Tahiri, Klevi Qefalija, Leo Ballhysa;

LARGIME: Amarildo Gjoni, Ali Samake, Indrit Prodani, Silvio Vokrri, Blend Krasniqi, Juan Kamilo Mesa;

EGNATIA

AFRIME: Jurguens Montenegro, Mario Gjata, Fransua Dylis, Melih Ibrahimoglu, Rezart Rama, Juozas Lubas;

LARGIME: Emiljano Musta, Vusal Isgandarli, Bledar Lila, Gytis Paulauskas, Stivian Janku, Loti Celina, Donald Mëllugja;

VLLAZNIA

AFRIME: Andrei Jago Almeida, Alfred Ajdareviç;

LARGIME: Darko Dodev, Redon Dragoshi, Konstantin Çeshmedjiev, Xhelil Asani;

SKËNDERBEU

AFRIME: S’ka;

LARGIME: Zhurdën Fleçer, Erlis Frashëri;

TEUTA

AFRIME: Elmando Gjini, Rodrigo Faust, Arbër Çyrbja, Matias Lloci;

LARGIME: Mario Gjata, Aldi Gjumsi, Ardit Iljazi, Alban Çejku, Reild Kurti, Dijar Nikqi;

KUKËSI

AFRIME: Kleandro Lleshi, Geri Selita, Aleksandre Talento, Melos Zenunaj, Stefan Abara, Ryan Felipe, Kristian Rroku, Redon Dragoshi, Theodhoros Mingos, Nikolai Solodovnikov;

LARGIME: Arbër Basha, Blerim Sahitaj, Fluturim Domi, Sebastian La Torre, Marvin Brozi, Redi Veriu, Eogen Sula, Erduan Smajli;

ERZENI

AFRIME: Silvio Zogaj, Auron Ademi, Arlind Dakaj, Florijan Kadriu, Junes Bnou Marzuk, Donald Mëllugja, Festim Alidema, Emanullah Blazeviç, Xhelil Asani;

LARGIME: Sokol Kiqina, Rejnaldo Troplini, Kristi Kote, Flavio Meçja, Elian Çelaj, Amer Duka, Edi Isteri, Elvis Gjoni, Klodian Pjetri, Agustin Rojas;

LAÇI

AFRIME: Indrit Prodani, Toni Salihu, Eldis Kraja;

LARGIME: S’ka;