NOT/ Në pishinën “Te Stela” u mbyllën garat e Kupës “Pavarsia 2025” me 117 notarë nga 11 ekipe. Më të mirët: Ekipi Te Stela, Arla Dermishi për femra dhe Ediliano Huna për meshkuj
Agron KAJA

Në garat e Kupës “Pavarsia 2025” u thyenë 11 rekorde Kombëtare, këtë herë sa ju dolën parashikimet?
Së pari ju falenderoj, sepse edhe këtë herë po paraqisni këtë veprimtari të bukur të sportit të Notit në Shqipëri. Parashikimet e mia janë profesionale dhe ato bazohen në njohjen që kam, por edhe me besim në punën bashkëpunuese trajner-notar.
Jo vetëm si President i FSHN, por edhe në këndvështrimin tuaj teknik, si i përshkruani garat e Kupës “Pavarsia 2025”?
U zhvilluan gara të bukura dhe me shumë rivalitet, dhe thyerja e 11 rekordeve kombëtare tregoi seriozitetin e notarëve në gara. Këndvështrimi im teknik nuk shkon më shumë se te vlerësimi që i kanë bërë kësaj Kupe, trajnerët dhe notarët.
Kishit menduar pritshmëri më të mira në këtë veprimtari, apo jeni brënda tyre?
Unë si President i FSHN-së kisha pritshmëri për rezultate më të larta dhe më shumë rekorde. Por gjithçka që u arrit në këto gara, besoj se janë të mjaftueshme, ndoshta edhe një test pozitiv për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian në Poloni.
Mendoni se gjatë zhvillimit të garave ndikoi garimi në pishinën 25 m, pas asaj 50 m?
Patjetër që po, sepse nga kushtet përgatitore dhe të garimit në stinën verore, me kushtet përgatitore dhe të garimit në stinën e dimrit, ka shumë ndryshim. Përshtatja e notarëve nuk mund të vijë e menjëherëshme, por ishte normale.
Sipas jush, cila skuadër, apo notar bënë diferencën në garat e Kupës “Pavarsia 2025”?
Në pishinën e mbyllur 25 m, por edhe në atë verore 50 m, Akademia e Notit “Te Stela” po e bën traditë fitimin e të gjitha veprimtarive në notin shqiptar. Por ndjehem mirë se edhe nga Vllaznia, Partizani, Teuta e Skampis nxorrën kampionë.
Rekordet apo cilësinë e nivelit të garave, cilët nga këta tregues u evidentuan dukshëm në këtë kupë?
Nëse garat nuk do të ishin cilësore, edhe rekordet do të mungonin. Por harmonia e këtyre dy treguesve gjatë garave, bënë që të thyheshin 11 rekorde kombëtare, çka do të thotë se edhe cilësia e garimit ka qënë e mirë.
Duke pritur veprimtarinë e fundit vjetore, Kupën “Klavio Meça 2025”, prisni përmirësim në këtë mbyllje?
Tashmë trajnerët dhe notarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë deri në mbylljen e këtij sezoni, 2025. Përgatitjet duhet që ta mbajnë këtë formë sportive, duke përmirësuar detaje në funksion të ndryshimit më cilësor.
Në cilësinë e Presidentit të FSHN-së, pas garave të Kupës “Pavarsia 2025” çfarë do t’u sygjeronit trajnerëve e notarëve?
Para sygjerimit, kam një falenderim për të gjithë ekipet, trajnerët dhe notarët. Të gjithë i kanë dhënë bukurinë me shpirtin e lartë garës. Këtë ritëm ta përsosin në vazhdimësi, sepse çdo punë e mirë në stërvitje shpërblehet e tillë në rezultate.
Rrugëtimi vjetror kalendarik po i vjen fundi, si e përshkruani Notin shqiptar nga janari në nëntor 2025?
Mendoj se ka qënë një rrugëtim shumë i bukur për të gjitha ato ekipe, notarë e trajnerë. Të thyesh rekorde kombëtare garë pas gare dhe të përmirësosh cilësinë e garimit, kjo nxjerr në pah punën përgatitore serioze nga të gjithë aktorët e garave.
PJESËMARRJE ME 117 GARUES DHE 7 EKIPE
Në garat e Kupës “Pavarsia” morrën pjesë 117 notarë (76 Meshkuj+41 Femra), pjestarë të 7 ekipeve: Te Stela 24 F+38 M=62; Partizani 6F+14 M=20; Vllazani 7 F+5 M=12; Skampis 4 F+2 M=11; Teuta 1 F+5 M=6; Tirana 1 F+2 M=3; Vlora Not 3 M. Te Stela “thyeu rekord” edhe në pjesëmarrjen e lartë të notarëve.

Kupa “Pavarsia 2025”
EKIPET FITUES
Meshkuj
AN “Te Stela” 215 pikë
Femra
AN “Te Stela” 217 pikë
NOTARËT MË TË MIRË
Meshkuj
Ediliano Huna Teuta 1170 pikë
Femra
Arla Dermishi Te Stela 1186 pikë
REKORDMENËT
#Joel Golemi M-(Vllaznia)
400 m Stil i Lirë-5’18”04
#Klint Hoxha M-(Te Stela)
100 m Shpinë-58”79
#Pablo Peri (Te Stela)
100 m Flutur-1’08”09
#4X50 m St. Lirë (Reja-Rritura)
Te Stela- 1’57”.19
#4X50 m Mix (të Rinj)
Te Stela-1’51”18
#4X50 Mix F (të Reja)
Te Stela-2’10”63
#4X100 m St. Lirë (M-Fëmijë A)
Te Stela-4’02”.72
#4X100 m St. Lirë (M-Fëmijë B)
Te Stela-4’32”19
#50 m Stil Shpinë (Meshkuj)
Klint Hoxha Te Stela-27”01
#4X100 m Mix Fëmijë B
Te Stela-5’00”90
#4X100 m Mix M (Fëmijë A)
Te Stela-4’32”.97

Parashikimet e mia janë profesionale. Ato bazohen në njohjen që kam, por edhe me besim në punën bashkëpunuese trajner-notar. Pritshmëritë ishin për më shumë rekorde kombëtar, por 11 të tilla mendoj se janë mjaftueshëm
FLASIN REKODMENËT
Klint Hoxha, rekordmeni i dyfishtë i Kupës

Notari 16 vjeçar Klint Hoxha i AN Te Stela, në garat e Kupës “Pavarsia 2025” thyeu 2 rekorde kombëtare, duke qënë njëherësh pjesëtar edhe në fitoren disa gara të stafetave për meshkuj. Sipas tij, nuk kishte konkurrencë të madhe në gara. “Nëse do kishte më shumë konkurrencë në garat e mia, unë do arrija rezultate më të larta e do thyeja rekorde kombëtarë të tjerë. Nuk i prisja këto rekorde, por i arrita. Besoj se ky është test i mirë për pjesëmarrjen time në garat e Kampionatit Europian në Poloni, ku në 50 m Shpinë do ta thyej përsëri rekordin”.
EKIPI I EUROPIANIT
Në datat 2 e deri më 7 dhjetor 2925, nën drejtimin e trajnerit Eduart Cane, 7 notarë shqiptarë do të garojnë në Kampionatin Europian Open në pishinë 25 m, i cili do të zhvillohet në Lublin të Polonisë. Femra (4): Arla Dermishi, Luna Djarmati, Stella Gjoka, Kejsi Hoti. Meshkuj (3): Gresi Koxhaku, Ediljano Huna, Klint Hoxha.
Pablo Peri thyeu rekordin e parë në karrierë

Nuk kishte shumë rivalë notari 12 vjeçar i AN Te Stela, Pablo Peri. Në garën e
100 m Flutur ai shënoi kohën 1’08”09, por u shpreh se gara ishte e fortë, por me pak konkurrencë. “Në garën e 100 m Flutur ku unë thyeva edhe rekordin kombëtar, nuk kisha shumë konkurrencë. Unë u mundova që ta sfidoja këtë mungesë që të jep shtytje në garë, duke notuar fort. Njëherësh ky ishte edhe rekordi i parë kombëtar që unë thyej në këtë karrierë që kam nisur. Sepse jam 12 vjeç dhe premtoj për rekorde të tjerë, ndoshta garë pas gare në pishinat 25 m e 50 m”.
Trajneri Eduart Cane: Tradita e fitores sonë, edhe test për Europianin

Agron KAJA
Ekipi i AN “Te Stela” u shpall fituesi i Kupës “Pavarsia 2025”, për meshkuj e femra, ku dy trajnerët, Sadik Mema e Eduart Cane u shprehën të kënaqur, sepse u ruajt tradita e fitores së ekipeve të tyre në këtë veprimtari. Njëherësh edhe për faktin se nga notarët e tyre (kryesisht në garat e stefatave) u thyenë 10 rekorde kombëtare, nga 11 të tillë. Kjo Kupë është bërë traditë e përvitshme, dhe këtë vit ajo u zhvillua në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”. “Kupa “Pavarsia”, që nga viti 2012 që AN Te Stela e krijoi ne për herë të parë dhe deri më sot në vitin 2025, tradicionalisht është fituar ekipet tona, meshkuj dhe femra. Në të gjithë treguesit, ekipi ynë ishte superior: Morrëm pjesë me 62 garues (24 F dhe 38 M), thyemë 10 rekorde kombëtare dhe fituam në 85% të garave. Në Akademinë tonë, së bashku me trajnerin Sadik Mema, Mjeshtër i Madh, kemi punuar me programe të detajuara, individualë e kolektivë, duke e përshtatur stërvitjen me notarët, nga pishina 50 m në pishinën 25 m”, kështu u shpreh dje trajneri i AN Te Stela, Eduart Cane, ndërkohë që suksesin e vlerëson si një fitore e gjithë akademisë. “Kemi qënë shumë të mobilizuar që mos ta humbnim traditën e fitoreve në Kupën “Pavarsia 2025”, njëherësh edhe me thyerjen e rekordeve kombëtare. Nga Akademia e Notit AN “Te Stela”, garuan notarë dhe notare që rezultatet i kanë si “pronë” të tyre, por edhe rekordet kombëtare. Në këtë ritmikë janë edhe ekipet të Rinj e të Rritur, si dhe baza e tyre te Fëmijët që drejtohen nga trajneri Mjeshtër i Madh, Sadik Mema”. Në ecurinë e përgatitjeve për pjesëmarrjen në Kupën “Pavarsia 2025”, trajneri Cane tregoi për gazetën “Telegraf” se ekipet që ai përgatit erdhën në këtë aktivitet pas rezultateve të mira që arritën në veprimtaritë kombëtare verore. “Përshtatja e notarëve tanë mendoj se nuk u bë e plotë gjatë garave, por kjo e do një kohë, që në këtë Kupë nuk u arrit. Gjithsesi, ishim ekip absolute fitues në çdo garë, dhe do veçoja rekordmenin e dyfishtë Klint Hoxha, fituesen e Kupës për Femra, notaren Arla Dermishi dhe Luna Djarmatin, të cilët njëherësh do jenë edhe garues në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Poloni, në datat 2-7 dhjetor 2025. Ky ishte edhe një test për formën e tyre sportive”, kështu e përshkroi Eduart Cane fitimin e Kupës “Pavarsia 2025” nga ekipi që ai drejton, AN Te Stela.
Tirana, mungesa e madhe në Kupën “Pavarsia 2025”!

Në 10-15 vitet e fundit, në të gjitha veprimtaritë Kombëtare që organizon FSHN-ja, ekipi i Tiranës i drejtuar nga trajneri pasionant Arjan Fetishaj nuk kishte bërë asnjë mungesë. Por kjo erdhi në Kupën “Pavarsia 2025”, dhe jo tërësisht. Sepse tre notarë e “thyenë” mungesën ekipore. Gjithsesi, Kupa “Pavarsia 2025” shënoi largimin e madh të ekipit më me traditë në historinë e Notit shqiptar, KS Tirana.
Vllaznia në Kupë me kampionë e rekordmenë


Ekipi i Vllaznisë garoi me 12 notarë në Kupën “Pavarsia 2025”, 7 Femra dhe 5 Meshkuj, dhe për trajnerin e tyre Kol Shiroka, ata u paraqitën mirë duke arritur rezultate të larta, njëherësh edhe rekord kombëtar. “Të gjithë notarët e Vllaznisë u paraqitën mirë në këtë Kupë. Veçoj Joel Golemin që thyeu rekordin kombëtar në 400 m Stil i Lirë, rekord që mbahej nga notari Greis Koxhaku i Tiranës. Por edhe Alesandro Hyso, Viki Tafrruku e Vitore Hyso treguan vlera në rezultatet e tyre. Jemi ekip jo modest, besoj e ardhmja do flasë me më shumë rezultate e rekorde, edhe nga të tjerë notarë shkodranë”, kështu u shpreh trajneri i notit të Vllaznisë, Kol Shiroka.
Skampis, jo vetëm si modestë në Kupën “Pavarsia 2025”
Në ditët e garave të Kupës “Pavarsia 2025”, trajneri i Skampis të Elbasanit, Andi Kongoli dukej sikur qëndronte i vetmuar. Por ai dukej i përqëndruar jo vetëm tek 11 notarët e tij kur garonin, por në të gjitha garat. “Në këtë Kupë, ne si Skampis erdhëm me 11 notarë, por edhe me kampionë. Do veçoja Jakobo Xhindolin që doli fitues në 200 m Delfin, por edhe të tjerët treguan paraqitje të mirë. Këta janë notarët e së ardhmes për Skampis”, kështu u shpreh pas garave trajneri i Skampis…



















