E bujshme, Igli Tare drejt Interit!

457
Sigal

Miliarderi indonezian Thohir e kërkon drejtorin sportiv shqiptar, për të rithemeluar klubin

 Igli Tare mund të jetë drejtori i ri sportiv i Interit, një prej tre skuadrave më me shumë tituj në Itali, përfshirë edhe Juventusin e Milanin. Është vetë pronari i ri i zikatërve, miliarderi indonezian, Thohir, ai që e kërkon me çdo çmim drejtorin aktual të Lacios.  Lajmi i bujshëm ka bërë xhiron në mediat italiane. Tare pritet të largohet nga Lacio në fund të sezonit, e ndoshta tek Interi i ri i Erik Thohirit mund të shohim edhe Lorik Canën apo Etrit Berishën. Pas nëntë sezoneve në “Formelo” (kompleksi stërvitor i Lacios) – tre si futbollist dhe gjashtë (përfshirë dhe këtë aktual) si drejtor sportiv – ish-sulmuesi shqiptar është duke vlerësuar mundësinë për një eksperiencë të re profesionale. Për momëentin, krahu i djathtë i presidentit Klaudio Lotito nuk ka marrë asnjë ofertë, por një hipotezë e javëve të fundit flet për interesimin ndaj Tares: në Interin e ri të indonezianit Thohir mund të ketë një vend drejtuesi për drejtorin sportiv bardhekaltër. Situata është kjo: grupi i Thohirit ia ka besuar kompanisë “Inner Circle Sports” kryerje e një analizë në merkaton futbollistike italiane, për të vlerësuar aftësitë organizative. Rezultatet më të mira janë marrë nga drejtori sportiv i Romës, Sabatini, por dhe nga puna e mirë e kryer nga Tare te Lacio. Igli Tare është shumë i vlerësuar edhe nga braziliani Leonardo, i cili ka qenë trajneri i Interit në sezonin 2010-2011 dhe është i gatshëm të rikthehet në drejtues, sapo të kontaktohet. Për momentin, skenarët janë të shumtë e të ndërlikuar. Drejtori aktual sportiv, Branka duhet ta lërë detyrën në muajin janar dhe për momentin është kontaktuar Paratiçi, krahu i djathtë i Marotës te Juventusi. Për të parë të plotë organikën zikaltër duhet të presim. Tare, i cili për momentin nuk ëndërron të marrë bankinën e Shqipërisë – De Biazi sapo ka rinovuar deri në vitin 2016, po e shikon me shumë interes pistën “Inter”. Tare vlerësohet si një nga drejtorët sportivë më të mirë në Itali si dhe një njohës i shkëlqyer i funksionimi të një klubi, duke filluar nga sektori i moshave. Interi është një pjatë e pasur për Taren, çka do ta shndërronte atë edhe në njeriun më të suksesshëm shqiptar në botën e sportit, nisur edhe nga fakti se Interi është fitues i trefishtë i Ligës së Kampioneve dhe me Erik Thohirin në krye mund të jetë ndoshta klubi më i pasur në Itali. Aftësitë e Tares në merkato kanë qenë të spikatura, boll të kujtojmë faktin se ai ka sjellë te Lacio emra të tillë si Kloze, Felipe Anderson, Luliç, Viniçius, Perea, apo dhe tre shqiptarët: Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thoma Strakosha.

  Më i suksesshmi

 Interi është një pjatë e pasur për Taren, çka do ta shndërronte atë edhe në njeriun më të suksesshëm shqiptar në botën e sportit, nisur edhe nga fakti se Interi është fitues i trefishtë i Ligës së Kampioneve dhe me Erik Thohirin në krye mund të jetë ndoshta klubi më i pasur në Itali.

 Sadiku, pesë vjet me Zyrihun dhe një kontratë luksi

 Armando Sadiku është zyrtarisht lojtar i Zyrihut në Superligën zvicerane. I rikthyer në Zvicër pas impenjmit me përfaqësuesen e Shqipërisë në miqësoren me Bjellorusinë (në Antalia të Turqisë), sulmuesi 22-vjecar firmosi kontratën me skuadrën e re, që do të ketë kohëzgjatje 4 vjet e gjysmë. Kontrata me Zyrihun nis më 1 janar të 2014 dhe përfundon më 30 qershor të 2018. Presidenti klubit zviceran, Ansilo Kapena, u shpreh i lumtur për nënshkrimin me futbollistin shqiptar, të cilin klubi i tij e kishte ndjekur me vëmendje që kur ishte bërë pjesë e Lokarnos në janar të 2011. Gjatë 2 viteve në Challenge League me Lokarnon dhe Luganon Armando Sadiku është aktivizuar në 80 ndeshje ku ka shënuar 53 gola. Te Zyrihu, Armando Sadiku do të ketë shok skuadre Burim Kukelin, mesfushorin e kombëtares shqiptare që para se të pësonte një dëmtim të rëndë në këmbë është aktivizuar në 4 ndeshje me fanellën kuqezi. 22-vjecari elbasanas është pjesë e formacionit të De Biazit që nga janari i 2012, teksa në 9 takime ka mundur të realizoi 1 gol, pikërisht në eliminatoren e parë të botërorit Brazil 2014, përballë Qipros në “Qemal Stafa”.

 Objektivi i boksierit të talentuar është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Rinore “Pekin 2014”

 Jurgen Uldedaj, boksieri i parë që sjell medalje në Shqipëri

 Jurgen Uldedaj i dhuron Shqipërisë medaljen e bronzit në Kampionati Europian të Boksit, i cili u zhvillua në Rusi në datat 10 deri më 16 nëntor. Në peshën e rëndë (80 kg), talenti lezhjan i boksit që mbron ngjyrat e Tiranës ngjitet në podium midis tre më të mirëve në Europë, duke valëvitur ngjyrat e flamurit kuq e zi. Pas fitores së pastër 3 me 0 me estonezin Gorbatçov, gjysmëfinalja e vendosi përballë anglezit Rilej. Ndonëse, Uldedaj u fut në ring i dëmtuar, ai bëri një paraqitje të një niveli të lartë duke humbur me rezultatin e ngushtë 2 me 1,  pra një fitore tepër e vështirë për britanikun. Në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, 16- vjeçarit Jurgen Uldedaj iu rezervua një pritje e veçantë nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve,  Vladimir Gjonaj, drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Boksit Mirgen Peraj, si dhe tifozë të shumtë dhe boksierë të ekipit të Tiranës, ku ai aktivizohet me shumë sukses. Medalja në Kampionatin Europian është një arritje e madhe jo vetëm për të riun Uldedaj, por për të gjithë boksin shqiptar. Për trajnerin Seat Bushati, medalja ishte mëse e merituar, ndonëse janë ndodhur shumë pranë medaljes së argjendit, Bushati thote së është hera e parë që në Shqipëri një boksier arrin të marrë medalje në Kampionatin Europian. Përgatitja e gjate dhe speciale, por për boksierin e ri Jurgen Uldedaj merita shkon për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe përkrahur gjatë kësaj periudhe. Medalja ishte synim i arritur, ndërsa kualifikimi për Lojërat Olimpike Rinore “Pekin 2014” mbetet objektivi i radhës. Sipas drejtorit të Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Vladimir Gjonaj, do të ofrohen të gjitha mundësitë që boksieri Uldedaj të zhvillohet më tej. Për drejtorin teknik të Federatës Shqiptare të Boksit, Mirgen Peraj, arritja që po bëjnë sportet individuale duhet të gjejë më tepër mbështetje. Pasi ka arritur thuajse gjithçka në Shqiperi, Jurgen Uldedaj, mbetet një nga sportistet premtues të së ardhmes. Këtë e tregojnë dhe paraqitjet e tij në nivel të lartë në ballafaqimet ndërkombëtare, dhe për më tepër medalja e bronztë, si një ndër tre boksierët më të mirë në Europë.

 Golat e Gjasulës e Vajushit çojnë Liteksin në çerekfinale

 Tre gola të realizuar nga dyshja shqiptare e Liteksit të Loveçit në Bullgari, Jurgen Gjasula (2) dhe Armando Vajushi, e çuan skuadrën në çerekfinalet e Kupës së Bullgarisë. Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare ishin sërish protagonistët kryesorë të fitores së thellë 6-0 ndaj Sozopolit. Dy mesfushorët me tipare sulmuese po tregojnë  lojëra të shkëlqyera në ndeshjet me Liteksin duke shënuar dhe asistuar në shumë prej ndeshjeve. Ndryshe s’kishte si të ndodhte as sot, kur përballë kishin skuadrën e Sozopolit. Golin e parë në ndeshje e shënoi mesfushori shkodran, Armando Vajushi qysh në minutën e 10-të të takimit. Në minutën e 29-të për epërsinë prej 2-0 përkujdeset mesfushori tjetër shqiptar, Gjasula, i cili me një goditje të precize nga lart shënoi një gol të bukur. Para përfundimit të pjesës së parë Liteksi shënoi përmes Gil, për rezultatin 3:0. Ne pjesën e dyte, serish Liteksi shënoi ne minutat 53’ dhe 60’, me anë të Malonov, përkatësisht Da Silva. Për rezultatin përfundimtar sërish skena është e rezervuar për tiranasin Gjasula, i cili shënon për rezultatin përfundimtar të takimit 6:0, që e kualifikon Liteksin në çerekfinale të Kupës bullgare.