Vangjush Saro: Gazeta “Telegraf”, zëdhënëse korrekte e qytetarisë shqiptare

Jubileu i njëzetë i gazetës “Telegraf”, një nga zërat më bindës të Shtypit Shqiptar, më jep mundësinë jo thjesht për një urim, por për të shprehur opinionin tim si shkrimtar dhe gazetar e, njëherësh, si një qytetar që e vështron shtypin me nderim dhe duke shpresuar që ai të ndihmojë përparimin, progresin real të vendit. (“Detyra jonë është të gjejmë ato pak parime që do të qetësojnë ankthin e pafund të shpirtrave të lirë.” A. Kamy)

“Telegraf” u shfaq në treg si një risi. Temat madhore të jetës shqiptare ishin dhe mbeten në qendër të përmbajtjes së saj. Për këtë gazetë, nuk ka lajme për bujë e për ta mashtruar Publikun (doemos përkohësisht). Ajo ndjek me korrektësi ngjarjet me peshë, nga çdo fushë e jetës, nga çdo kamp politik, duke i dhënë gjithkujt vendin e vet, çka flet për një profesionalizëm që nuk se gjendet me shumicë sot.

NOA

Korrektësia  dhe serioziteti i “Telegraf” ka bërë që Publiku i gjerë të ketë respekt dhe ta vlerësojë gazetën si një nga yjet e pakta të mediumeve shqiptare. E qëndrueshme në treg, megjithë vështirësitë që dihen dhe në një klimë të papërshtatshme për shtypin-letër, pa teprime, pa fyerje, pa nënkuptime djallëzore, duke vlerësuar dhe kritikuar haptazi, gazeta “Telegraf” është kthyer në një model të shtypi të lirë dhe të pavarur.

Diapazoni i “Telegraf” është i gjerë dhe gjithëpërfshirës; gazeta është kthyer në një promovuese të Kulturës Shqiptare, të Sportit shqiptar gjithashtu. Me suplementin “Pena Shqiptare”, ajo i ka dhënë një mbështetje të gjerë krijuesve, pavarësisht fatit dhe talentit, përvojës dhe mundësive të gjithsecilit. Ndërkaq, gazeta “Telegraf” është ndër ato që e shikojnë të djeshmen dhe të sotmen me realizëm, me ndjeshmëri njerëzore dhe ndjenjë kombëtare. Ajo ka mbrojtur dhe mbron me vendosmëri arritjet shqiptare në kohëra, përfshi kontributin e popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore; por në të njëjtën kohë, ka qëndruar në mënyrë kritike në dukuri që kanë shkaktuar vuajtje dhe probleme për qytetarët e çdo kohe. (“Nostalgjia për gjërat e shkuara, nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë.” M. Prust)

Duhet të shtoj – dhe u bënë vite tashmë – që personalisht, kjo gazetë më ka lënë të lirë të shpreh opinionet e mia, për jetën, politikën, shoqërinë, historinë dhe letërsinë. Në marrëdhëniet me bashkëpunëtorët e jashtëm, gazeta, drejtuesit e saj, praktikojnë një ekuilibër e drejtpeshim, që vështirë se e gjen gjetkë. Por tani; për një gjë të jemi të qartë: Çdo medie ka profilin dhe programin e saj. Ne s’mund të diktojmë në orientimet që ajo i ka vënë vetes, veças në temën politike, aq delikate. (“I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës.” A. Stivenson)

Në këtë 20-vjetor të gazetës sonë të dashur “Telegraf”, uroj me zemër të gjithë ata që bëjnë të mundur jetën e saj të vlertë: Pronarët e nderuar, Drejtorin Ëngjëll Musai, stafin e kualifikuar, bashkëpunëtorët; duke besuar se ata gjithnjë do të jenë në atë lartësi që kërkon koha dhe qytetaria shqiptare.