Real Madridi ka fituar ndaj Barcelonës në El Clasicon, e cila u luajt në kuadër të javës së nëntë në La Liga, me rezultat 3-1.
Pas vetëm 12 minutash lojë, Los Blancos kaluan në avantazh me golin e Karim Benzemas, me një asistim të Vinicius Junior. Por, katalanasit filluan të merrnin vetën dhe shpërdoruan një rast të artë me Robert Lewandowskit, i cili nuk arriti të dërgojë sferën në rrjetë.
Madrilenët vazhduan me lojë agresive, dhe e ndëshkuan për herë të dytë skuadrën e drejtuar nga Xavi Hernandez. Ishte Ferland Mendy, ai që asistoi te Federico Valverde në minutën e 35’ nga jashtë zone, duke i çuar shifrat në 2-0. Benzema shënoi në minutën e 52-të, dhe u mendua se ishte goli i tretë për Real Madridin, por VAR-i e anuloi atë për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 78-të, Ansu Fati shpërdoroi një rast të mirë shënimi, duke çuar topin jashtë. Shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt, Ferran Torres i ngushtoi shifrat në 2-1, duke ngjallur spektalin në “Santiago Bernabeu”.
“Mbretërit” nuk u dorëzuan deri në fund, dhe fituan një penallti, të cilën konvertoi në gol Rodrygo Goes (90+1′) dhe vulosur përfundimisht takimin në 3-1.
Pas javës së nëntë, Real Madrid ngjitet në krye të klasifikimit me 25 pikë, tri më shumë se Barcelona, ndërsa në xhiron e dhjetë, madrilenët do të përballen me Elchen, ndërsa katalanasit me Villarealin.