Manchester United bën gati 13 mln paund për të dëbuar Sanchezin

434
Sigal

Alexis Sanchez u transferua me shumë bujë të Manchester United në një shkëmbim me Henrik Mkhitaryan në janar të 2018-ës, por ai është kthyer në një fantazmë të futbollistit që ishte te Arsenali dhe Barcelona. Forma e dobët e kilianit por edhe dëmtimet e shpeshta kanë bërë që drejtuesit e Manchester United të mendojnë largimin e tij, pasi paga që Alexis fiton në “Old Trafford” është vërtet e kripur, plot 26 milionë sterlina në sezon.

Sipas asaj që raporton prestigjozja britanike “Daily Mail”, Manchester United i ka ofruar sulmuesit amerikano-jugor zgjidhjen me konsensus të kontratës që i skadon pas 3 vitesh, duke i vendosur në pjatë 13 milionë paund vetëm e vetëm që Sanchez të gjejë një skuadër të re në merkato e verës. Pra për ta larguar nga Old Trafford drejtuesit e Djajve të Kuq jo vetëm që janë të gatshëm të lënë të lirë Alexis-in me parametra zero por edhe të derdhin një shifër të majme në llogari të tij.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e Sanchez i cili kërkohet nga shumë klube në Europë por asnjë klub nuk është i gatshëm t’i japë Sanchez-it, pagën e çmendur që merr te United, ndaj dhe ai do të mendohet gjatë para se të vendosë për të ardhmen.