Suplementi Pena Shqiptare/ Klodeta Dibra: Legjenda e gushëkuqit

309

Njerëzit kishin kryqëzuar Krishtin, i cili pati mbjellë e përhapur shumë mirësi në tokë. I kishin tejshpuar me gozhdë duart që aq shumë të sëmurë patën shëruar e aq shumë të vdekur patën ringjallur. I kishin njomur me vrer buzët me të cilat shumë herë pati shqiptuar fjalë për jetën.
Një zogth ndjeu shumë mëshirë për të dhe u llahtaris nga njerëzit katilë.
Krishti ishte në agoni.
Iu avit shenjtit dhe u përpoq t’ hiqte ndonjë gjemb nga kurora që i mbështillte ballin.
U rrek e u rrek disa herë. Ia doli të shkulte një gjemb dhe pikla e gjakut që si curril doli nga plaga i përskuqi puplat e gushës e të gjoksit.
Krishti, duke iu drejtuar zogthit mëshirues, me zërin shumë të ëmbël i tha: “Qofsh i bekuar për mëshirën që po dëfton ndaj dhembjes sime!”.
Dhe zogthi gushëkuq edhe sot mban mbi gushë e gjoks shenjën e gjakut të Qengjit të shenjtë.