Trajneri bardheblu: “Nëse fitojmë, me 90% jemi të shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Parë”
Tirana-Vllaznia konsiderohet si kryendeshja e javës së 30-të të Kategorisë Superiore. Edhe pse me renditjen aktuale të dyja skuadrat janë shumë pranë shpëtimit nga rënia, kompromisi për të ndarë nga një pikë vlerësohet nga trajneri i Tiranës, Gugash Magani, si të ishte një “vetëvrasje”. “Kam lexuar në media që kjo ndeshje mund të dalë barazim. Nëse ne do të futemi në fushë për të qenë të kënaqur me një pikë, do të bënim vetëvrasje. Qëllimi ynë është të marrim fitoren dhe nëse e arrijmë këtë me 90% do të jemi në Superiore”, – tha Magani, i cili ka një meritë kryesore për konsolidimin e grupit të Tiranës dhe ecurisë së jashtëzakonshme gjatë vitit 2014, ku në 13 ndeshje ka pësuar vetëm një humbje me Kukësin dhe ka marrë një barazim me Partizanin. Tirana ka pasur dy javë kohë për ta përgatitur ndeshjen me Vllazninë, mirëpo Magani mendon se do të ishte më mirë nëse bardheblutë do të djersitnin në fushë dhe jo të merrnin tri pikë në tavolinë me Bylisin. “Ndoshta do të ishte më mirë për ne që të luanim, megjithatë mendoj se nga ana psikologjike jemi relaksuar disi. Besoj jemi më të qetë për të dhënë në fushë atë që dëshirojmë”. Ndaj kuqebluve, trajneri peqinas e ka grupin e plotë, madje ka luksin të lërë në stol edhe futbollistë të tillë si keniani Frencis Kahata dhe malazezi Ivan Deliç. “Gjëja më pozitive është fakti që nuk kam lojtarë të dëmtuar apo të pezulluar. Kam luksin të ul në stol lojtar që janë në të njëjtin nivel me ata që do të luajnë titullarë”. Faktori fushë sipas Maganit do të ketë ndikim të madh në këtë përballje, pasi tifozët bardheblu do të jenë të shumtë në numër në shkallët e “Qemal Stafës”. Rezultati i ndeshjes Tirana-Vllaznia ndikon drejtpërdrejt në fatin e Besës. Kavajasit ndodhen në vendin e 9-të, që të rrëzon nga kategoria. Kavajasit kanë grumbulluar 35 pikë, ndërsa kundërshtari i tyre më i afërt është Tirana me 40 pikë. Klubi që rrezikon më shumë, Besa, do të përballet në këto javë me Vllazninë dhe Tiranën. Tirana e Vllaznia luajnë midis tyre, qysh nga Kampionati i Parë Kombëtar, ai vitit 1930, duke qenë kështu edhe çifti me më shumë ndeshje midis tyre në kampionat dhe kupë. 164 ndeshje janë zhvilluar mes Tiranës dhe Vllaznisë në tërë historikun e tyre. 72 fitore ka arritur të marrë Tirana ndaj Vllaznisë (e fundit 0-1 më 18 shtator 2013). 52 fitore ka marrë Vllaznia ndaj Tiranës (e fundit 1-0, më 20 prill 2011 në Shkodër). 40 ndeshje janë mbyllur në barazim midis dy ekipeve (e fundit 1-1, më 7 dhjetor 2013, më Tiranë).
DHJETË NDESHJET E FUNDIT
Vllaznia-Tirana 2-0
Tirana-Vllaznia 1-1
Vllaznia-Tirana 0-1
Tirana-Vllaznia 1-0
Vllaznia-Tirana 2-2
Tirana-Vllaznia 0-0
Tirana-Vllaznia 0-2
Vllaznia-Tirana 0-0
Vllaznia-Tirana 1-0
Vllaznia-Tirana 0-1
Ndeshje
10 ndeshje; 4 fitore Tirana, 3 barazime, 3 fitore Vllaznia
Skënderbeu, titulli kalon nga Durrësi
Skënderbeu i ka të gjitha shanset që të fitojë sot titullin kampion, nëse korçarët do të arrijnë të mposhtin Teutën në “Niko Dovana” dhe ndeshja midis Kukësit e Laçit do të përfundojë në barazim. Kampionët në fuqi, njëherësh dhe lideri i kampionatit ka tetë pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i sezonit. Gjithsesi, java e 31-të vendos përballë njëri-tjetrit dy vendet e para, Skënderbeu dhe Kukësin, dhe rezultati do të vendosë gjithçka. Me njërën dorë te titulli kampion, Skënderbeu vijon me rinovimet, ku firma e radhës ishte ajo e Ademir Ribeiro Souza. Mbrojtësi brazilian ka zgjatur edhe një sezon tjetër bashkëpunimin me klubin korçar, duke hedhur të zezën mbi të bardhë ende pa u mbyllur kampionati. Presidenti Ardian Takaj në këtë mënyrë po u jep përgjigjen e duhur të gjithë zërave që aludojnë për largimin e futbollistëve cilësore te skuadra të tjera të Superligës. Shehi, Radas, Arapi, Nimaga, Shkëmbi, Dimo dhe Jashanica janë vetëm disa nga elementët që kanë vendosur vijimin e karrierës në Korçë, ndërsa shumë shpejt pritet të rinovojnë edhe Pejic, Orelesi, Bicaj dhe Lilaj, lëvizje këto që tregojnë se Skënderbeu do të jetë favorit për ta fituar titullin për të pestin vit radhazi sezonin e ardhshëm. Java e 30-të ofron edhe takimet Besa-Lushnja, Partizani-Kastrioti, Tirana-Vllaznia. Flamurtari fiton 3-0 (në tavolinë) ndeshjen me Bylisin, pasi skuadra ballshiote është e përjashtuar. Të gjitha ndeshjet e javës së 30-të do të luhen në të njëjtën ditë (të shtunën) dhe në të njëjtin orar (16:00). Partizanit do të luajë ndaj Kastriotit në “Selman Stërmasi”, kurse Tirana me Vllazninë do të luajnë në “Qemal Stafa”.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 30
Të shtunën, 26 prill
Teuta-Skënderbeu 16:00
Kukësi-Laçi 16:00
Partizani-Kastrioti 16:00
Besa-Lushnja 16:00
Tirana-Vllaznia 16:00
Flamurtari-Bylis (3-0)
RENDITJA
1 Skënderbeu 57
2 Kukësi 49
3 Partizani 47
4 Laçi 44
5 Teuta 42
6 Flamurtari 41
7 Vllaznia 41
8 Tirana 40
9 Besa 35
10 Kastrioti 29
11 Lushnja 26
12 Bylis 2
JAVËT E MBETURA
Java 31/(30 prill)
Skënderbeu-Kukësi
Laçi-Partizani
Lushnja-Teuta
Bylis-Besa
Vllaznia-Flamurtari
Kastrioti-Tirana
Java 32/(3 maj)
Partizani-Skënderbeu
Laçi-Kastrioti
Kukësi-Lushnja
Teuta-Bylis
Besa-Vllaznia
Flamurtari-Tirana
Java 33/(10 maj)
Skënderbeu-Laçi
Lushnja-Partizani
Bylis-Kukësi
Vllaznia-Teuta
Tirana-Besa
Kastrioti-Flamurtari
Verdheblutë do të luajnë me Pogradecin, ndërsa fierakët do të përballen me Kamzën
Elbasani dhe Apolonia, luftë për titullin kampion
Elbasani dhe Apolonia janë shumë pranë ngjitjes në Kategorinë Superiore. Të dyja skuadrat kryesojnë të shkëputura nga ndjekëset më të afërta, Tërbuni e Tomori, kur kanë mbetur vetëm katër javë në nga përfundimi i kampionatit të Kategorisë Superiore. Elbasani ka 55 pikë, Apolonia 54, Tërbuni 48 dhe Tomori 38. Në fakt, e vetmja “betejë” në Kategorinë e Parë është ajo se cila nga të dyja skuadrat do të dalin kampion, pasi Elbasanin dhe Apoloninë e ndajnë vetëm një pikë nga njëri-tjetri. Trajneri i Elbasanit, Ilirjan File duke komentuar ecurinë e verdhebluve në këtë sezon, këmbëngul se formacioni i tij e meriton ta mbyllë kampionatin në vendin e parë. “Çdo ndeshje është e vështirë për ne, por synimi ynë është ta mbyllim kampionatin në vendin e parë. Kemi kryesuar gjatë gjithë sezonit dhe nuk dëshirojmë ta humbasim këtë pozicion tani në fund”. Investimet që po kryhen në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” janë një shtysë më shumë për të ndërtuar një skuadër të fortë për sezonin e ardhshëm. “Sigurisht që një stadium i ri për qytetin dhe tifozët e Elbasanit është një shtysë shumë e rëndësishme. Sapo të përfundojë sezoni Shoqëria do të vendosë për objektivat që do të ketë. Në Superiore kemi nevojë për lojtarë të tjerë cilësorë, sepse kampionati është i vështirë dhe i gjatë por tani nuk mund të them asgjë më shumë”. Në javën e 27-të të Kategorisë së Parë, Elbasani pret Pogradecin, ndërsa Apolonia do të luajë në transfertë me Kamzën. Një ndeshje të lehtë në letër ka edhe Tërbuni i vendit të tretë që pret në Pukë Mamurrasin. Dinamoja mund të konsiderohet e dështuara e madhe e sezonit, pas blutë gjenden në vendin e 6-të me 38 pikë, pa asnjë shans për t’u ngjitur në Superligë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 27
Sot, 16:00
Tomori-Dinamo
Burreli-Butrinti
Ada-Veleçiku
Shkumbini-Albpetrol
Luftëtari-Himara
Tërbuni-Mamurrasi
Elbasani-Pogradeci
Kamza-Apolonia
RENDITJA
1 Elbasani 55
2 Apolonia 54
3 Tërbuni 46
4 Tomori 38
5 Butrinti 38
6 Dinamo 38
7 Pogradeci 36
8 Shkumbini 36
9 Ada 34
10 Burreli 33
11 Luftëtari 31
12 Himara 27
13 Mamurrasi 26
14 Veleçiku 25
15 Kamza 25
16 Albpetrol 24



















