“Lojtarët e Partizanit shtriheshin se i kapte ngërçi”, Dobi: Humbje që dhemb!

136
Sigal

Enkelejd Dobi ka debutuar me një humbje në stolin e Kukësit. Trajneri durrsak iu bashkua verilindorëve pak ditë më parë dhe sot kishte ndeshjen e parë, atë ndaj Partizanit, të cilën e humbi me shifrat 2-1. Në “Oversport”, ai tha pas kësaj sfide se nuk ishte i shqetësuar sa i përket të ardhmes së Kukësit, i bindur se ekipi do të kthehej aty ku pretendonte.

“Normal që na vjen keq që nuk dolëm të paktën me një pikë. Them që ishte një ndeshje e barabartë sidomos në pjesën e parë. Nuk do të gjej justifikime se kam pak ditë, por do të mundohemi të gjejmë zgjidhje, i kemi veglat në dorë. Ndoshta fati nuk ishte sot se me dy goditje e pësuam, por do të analizojmë në këtë mënyrë se si fati na ka ikur nga duart, e duhet ta tërheqim. Por ajo vjen me punë, sot dy goditje dënimi, duhej të ishim më të kujdesshëm. Kur ishte 1-1 e provokuam situata të kota, goditje këndi e i dhamë mundësi që Partizani diti të na ndëshkonte. Janë disa gjëra që futbolli është i komplikuar, dy centimetra mund të bëjnë ndryshimin, por gjynah, më vjen keq. Puna ime është të qetësoj ekipin se e pashë shumë të elektrizuar.

Mendoj fizikisht, lojtarët e Partizanit shtriheshin në toke se i kapte ngërçi, jo tanët. Por tani duhet të vazhdojmë se po ecim në malore,

Natyrisht, çdo ditë e orë ndihmon, por do të gjejmë zgjidhjet e duhura që të bëjmë rezultatet në anën tonë. Sot, KUkësi në pjesën e dytë tregoi karakterin që duhet të tregojë çdo ndeshje, deri në vërshëllimën e fundit. Humbja të vret gjithmonë, rezultati është gjithmonë ai që tregon gjithçka, mund të luash bukur e nuk fiton, por ne duhet të shohim diçka tjetër. Luajtëm sot për tre pikë, ishim afër 1, por i japim urimet Partizanit.

Si e gjej Superioren? Kudo që të shkosh ka pluset dhe minuset e veta, unë shoh pozitivitet. Më përpara nuk kanë qenë këto lloj stadiumesh, unë kam thënë edhe në Poloni që futbolli në Shqipëri po ecën. Ka shumë lojtarë që dalin nga kampionati, nuk është si në kohën tonë.

Pozicioni në tabelë? Ky është vetëm fillimi, më e rëndësishmja është fundi, si ta përfundojmë. Thuhet më rëndësi ka si ta fillosh, por unë them ndryshe, si ta përfundosh. Themi se do të bëjmë çdo gjë që është e mundur, se duket sikur na ka hyrë një virus e duhet të gjejmë antivirusin tani.

Objektivi? Çdo ndeshje ta fitojmë, por të hyjmë me frymën e fituesit, të tregojmë dinjitet, karakter, që të jemi kompakt e solid, Unë ngelem trajneri por kur fiton, fiton ekipi. Por duhet të jemi pak më të ndërgjegjshëm e vetëdijshëm, unë analizoj veten për çdo gjë që bëj në jetë, për të gjetur balancën, përgjegjësitë që marr, për të qenë i sinqertë, i drejtë, a kam bërë atë që duhet, për të rregulluar. Përderisa humbëm, ka shumë për të rregulluar. Kjo është detyra ime, por nuk është momenti për të analizuara në të nxehtë. Themi se do të ringrejmë ekipin ku i takon, ku e ka treguar në 10 vitet e fundit”, tha Dobi.