Ledjo Pano: Na duhet trajner shqiptar, dhe lojtarë nga Shqipëria

40
Sigal

“SHQIPËRI 2025”/ Ish-futbollisti i Kombëtares, Ledjo Pano, e vlerëson eventin, por jo skuadrën tonë

Agron KAJA

Agron Kaja

Ndeshjet finale të Kampionatit Europian U17 “Shqipëria 2025” janë duke i mbyllur në të dy grupet. Deri tani, në katër stadiumet tona janë luajtur 8 ndeshje, në të cilat tetë skuadrat pjesëmarrëse kanë treguar vlerat e tyre në këtë kompetivion europian. Ndërkohë që edhe Shqipëria ka luajtur dy ndeshjet e para finale të Kampionatit Europian U 17 “Shqipëria 2025”, dhe duhet thënë se nuk ka treguar shumë nga sa ishin pritshmëritë. Në këtë mendim është edhe specialisti i futbollit Ledjo Pano, i cili edhe si një ish-futbollist kuqezi në të gjitha nivelet, skuadrën tonë e shikon të dobët në disa tregues. “Mendoj se çdo gjë është për t’u vlerësuar për organizimin e mirë nga FSHF-ja të këtyre ndeshjeve finale të këtij europiani. Unë mendoj se është një kampionat që duhet të ndihmojë në zhvillimin e futbollit të moshave në vëndin tonë, dhe jo vetëm. Që zhvillohen këto finale në Shqipëri, mendoj se është një fakt pozitiv, sepse luajnë skuadra me emër në Europë, më të mirat. Prandaj them se në këtë këndvështrim, është pozitive”, kështu e nisi dje bisedën Ledjo Pano lidhur me zhvillimin e ndeshjeve finale në dy grupe të Kampionatit Europian U17. Dhe një vlerësim pozitiv ai e ka edhe për pjesëmarrjen në shkallët e stadiumeve, që duke ju referuar ndeshjet hapëse Shqipëri-Portugali 0-4, shprehet për “Telegraf” se është pozitive për ne. “Atmosfera që ka krijuar ky Europian në ndjekshmëri, padiskutim që tregon se organizimi i eventeve të tilla është pozitiv edhe në shkallët e stadiumit. Duke ju referuar ndeshjes hapëse Shqipëri-Portugali 0-4, ka qënë një ndjekshmëri e lartë, ndoshta edhe nuk pritej. Kjo tregon edhe faktin se, kur bëhet fjalë për emera të mëdhenj në futboll, ne tregohemi popull shumë sportdashës, ndaj edhe tifozeria ka qënë e kënqashme. Mandej, kjo është e rëndësishme që ka tifozeri në shkallët e stadiumit, edhe pse Shqipëria i ka humbur thellë dy ndeshjet e para. Nuk është puna së është skuadër e dobët, por se në radhë të parë është gabimi i FSHF-së që në krye ka vënë një trajner pa CV-në e duhur që të justifikojë këtë post. Në ekipet e moshave duhet të jenë djem shqiptarë që e ndjejnë fanelën, sepse shpesh veprimet e lojtarëve me uniformën, mbathjet, flokët etj, treguan realitetin ndryshe. Dhe jo vetëm trajneri nuk duhet të jetë i huaj, por duhet të kishte lojtarë nga Shqipëria, ndryshe pse zhvillohen në Shqipëri këto kampionate të moshave. Si do motivohen ata”, kështu e mbylli bisedën Ledjo Pano. Dje u luajtën edhe ndeshjet e dyta në Grupin B.

Shqipëri-Serbi më 7 qershor, Pano e quan të vështirë

“Është një ndeshje e vështirë, nuk do jetë e lehtë me Serbinë. Një ndeshje që do zhvillohet vetëm në fushën e lojës, ku do thoja se Serbia është një ekip i fortë, është shkolla jugosllave e futbollit që e përfaqëson vetë trajneri Dragan Stojkoviç. Ndaj mendoj se do ta kemi të vështirë, por nëse do kemi një skuadër të mirë organizuar në fushën e lojës, duhet të mendojmë edhe një rezultat pozitiv”.

Mbyllet kontrata, Igli Tare drejtori i ri sportiv i Milanit

Igli Tare është zgjedhur dje drejtori i ri sportiv i Milanit, lajm të cilin e konfirmoi edhe portali më i madh i merkatos në futbollin italian “Tuttomercatoweb”. Sipas raportimeve të fundit të tij, ish-futbollisti shqiptar e ka nënshkruar kontratën e tij të re që do ta lidhë atë me klubin kuqezi. Tare ka nënshkruar dje një marrëveshje 2-vjeçare me opsion për një sezon të tretë, me një pagë prej 800 mijë euro në vit. Por, njoftimi zyrtar nga Milani ende nuk është shpallur zyrtarisht, pasi ata mendojnë që prezantimi i Tares të bëhet ditën e hënë paradite. Ditët e fundit, vetë Tare, i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me kontaktet e tij me klubin, duke thënë se Milani mund të jetë objektiv për të gjithë. Ndërkohë, kuqezinjtë e Milanit kanë bërë një lëvizje shumë të rëndësishme në nivelin e menaxhimit në funksion të sezonit të ardhshëm, i cili në mendjet e pronarëve dhe tifozëve duhet të shënojë rinisjen e projektit. Në 15 sezone rresht, Igli Tare ka qënë drejtor sportiv te Lacio në Serie A të Italisë, nga 2009 e deri në sezonin 2023-2024.

Kuçovar nga nëna, gjermani Nelson Vaiper tifoz në Elbasan

Nelson Vaiper është sulmues te skuadra e Mainc në Bundesligën  të Gjermanisë, por origjina e nënës së tij nga Kuçova ka sjellë shumë dyshime në praninë e tij në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e Europianit U 17, Shqipëri-Gjermani 0-4. Vaiper ka qënë një prej emrave që FSHF dhe trajneri Silvinjo kanë piketuar prej kohësh, si një afrim potencial te Shqipëria. Sulmuesi i talentuar ia ka dalë të bëjë debutimin e tij te ekipi i parë i Mainc në Bundesligë, teksa edhe ka arritur të lërë shenjën e tij me gola në elitën e futbollit gjerman. Ndërsa vëllai i 20-vjeçarit, portieri Henrik Vaiper, ka luajtur me kombëtaret e moshave të Shqipërisë, dhe në FSHF shpresojnë që ta bindë edhe sulmuesin të ndjekë të njëjtat hapa për të veshur fanellën kuqezi. Pengesë për momentin bëhet fakti se, Nelson Vaiper ka qënë rregullisht pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, ku kjo e fundit e ka grumbulluar rregullisht dhe së fundmi e ka përfshirë në listën e lojtarëve që do të marrin pjesë në fazën finale të Europianit U20.

KAMPIONATI EUROPIAN

U 17 – FINALET

Ndeshjet – Grupi A

Shqipëri-Portugali                   0-4

Gjermani-Francë                     0-3

Shqipëri-Gjermani                   0-4

Francë-Portugali                      0-0

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Portugalia                 2          4

2.Franca                      2          4

3.Gjermania                 2          3

4.Shqipëria                  2          0

E dielë, 25 maj 2025

Francë-Shqipëri                       20:30

(Në “Elbasan Arena”)

Portugali-Gjermani                  20:30

(Në “Arena Kombëtare”)