Kur Flamurtarit i bëhej biografia dhe i survejoheshin yjet

1754
  • Nga kontakti i parë me lojën e futbollit në vitin 1915, te themelimi shoqërisë sportive “Vlora” në mars të vitit 1923
  • Ndeshja e parë me Çernomoretsin e Malit të Zi në vitin 1925 dhe marinarët anglezë në 1928
  • Kampionati i Parë Kombëtar i Futbollit në vitin 1930 dhe përplasjet me arbitrin anglez Hill në ndeshjen me Tiranë
  • Humbja e finales me Vllazninë në kampionatin e vitit 1946, te fitimi i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitin 1985
  • Historia e himnit të Flamurtarit dhe tentativat pa sukses për një himn të ri nga ana e këngëtareve Anita Bitri e Viktor Tahiraj
  • Kur lojtarët e Flamurtarit që, luanin për vetëm 8 dollarë i hoqën premion prej 8 mijë dollarësh Partizanit të Beogradit
  • Orët elektronike të padeklaruara të blera në Poloni pas ndeshjes me Leh Poznan dhe përjashtimi i gati gjysmës së ekipit
  • Në Barcelonë, shtypi spanjoll do të shkruante gati me përbuzje se “Ekipi i fukarenjve mundi ekipin e miliarderëve”
  • Heronj për popullin, armiq për partinë, biografia bënte kërdinë. Si survejoheshin Ferko, Zijai, Bifdha, Çipi, Ruci e Bubeqi
  • Kontrolli në pikën doganore të Hanit të Hotit pas kualifikimit me Partizanin e Beogradit dhe sekuestrimi i televizorëve
  • ·Fitimi i Kupës së Shqipërisë në vitin 1985 dhe festa në Vlorë me paroditë e skeçet e shkruara nga Pëllumb Kulla
Sigal

  Në vitin 1917 vlonjatët luajtën ndeshjen e parë ndërkombëtare me marinarët italianë, ndërsa në vitin 1928 me ata anglezë. Ndeshjet e mëdha me Partizanin e Beogradit dhe Barcelonën

Ishte maji i vitit 1915, kur marinarët e një anije italiane të ankoruar në skelën e vogël të qytetit, do të vraponin e të kërkonin t’i rrëmbenin njëri-tjetrit topin, e më mbas për të shpërthyer në britma gëzimi, kur topi i rrumbullakët kalonte në hapësirën midis dy gurëve. Loja e re, e panjohur më parë nga vendësit, u përhap me të shpejtë në qytetin e vogël, duke u treguar në mënyra të ndryshme dhe duke u imituar duke gjuajtur me shkelm, çfarë u dilte përpara. Në Vlorë kishte ardhur loja, e cila ishte shpikur shumë kohë më parë në Angli, futbolli.

Atë ditë e në vazhdim, ata vlonjatë që e panë me sytë e tyre, lojën e marinarëve në rërën buzë detit, nisën të sajonin me lecka, topin e vogël, e mblidheshin shesheve për të luajtur lojën e të huajve.
Dy vjet më vonë, disa të rinj vlonjatë do të guxonin të luanin një lojë futbolli me disa marinarë italianë, të cilët vinin shpesh në skelën e qytetit dhe shihnin të habitur nga anija se si njerëzit e qytetit të varfër ishin në gjendje të luanin futboll.
Ndeshja midis tyre, mund të konsiderohet edhe si ndeshja e parë ndërkombëtare, jo zyrtare, të zhvilluar në qytetin e Vlorës.
Pas asaj ndeshje, rezultati i së cilës nuk dihet dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, në qytet u shtuan topat e leckës dhe burrat që vraponin pas grumbullit të leckave, duke shtuar dita ditës edhe njerëzit që i shikonin në lojën e tyre.

Themelohet shoqëria sportive “Vlora”

Por, në Vlorë nuk luhej vetëm futboll.
Italia e parë, siç njihet në historinë e qytetit, pushtimi për herë të parë i Vlorës nga Italia, në dhjetor 1914, kishte sjellë në Vlorë edhe biçikletat e para, por edhe sportin e vaterpolit, notit dhe lojërave të tjera, kryesisht ato që luheshin me dorë.
Në muajin mars të vitit 1923, duke parë përhapjen e gjerë të këtyre sporteve në qytet, do të themelohet shoqëria sportive me emrin “Vlora”, kryetar i parë i së cilës do të ishte Milo Korçari. Ekipi i futbollit të qytetit, tashmë i pajisur me topa llastiku, do të dilte dhe jashtë Vlorës, për të luajtur ndeshje futbolli, kryesisht me qytete fqinje si në Berat e Fier.
Italianët që, vinin në Vlorë me anije informoheshin se në qytet jo vetëm luhej futboll por edhe se kishte edhe një ekip futbolli, të strukturuar sipas modelit të një ekipi të mirëfilltë futbolli, ndaj dhe kërkonin të zhvillonin ndeshje me ekipin e qytetit.
Kështu në vitin 1925, flitet për dy ndeshje futbolli midis ekipit të futbollit të shoqërisë sportive “Vlora” me ekipin e një shkolle detarie në Itali, që kishte ardhur me një anije në qytet, ndeshje të cilat u fituan nga ekipi italian, duke shënuar një tjetër nivel të ndeshjeve të karakterit ndërkombëtarë.
Krahas ndeshjeve me italianët që vinin në skelën e qytetit, ekipi i futbollit do të luante ndeshje edhe më larg Vlorës, përtej fqinjëve, ku në vitin 1925, ekipi do të udhëtojë drejt Korçës, për të luajtur e për të fituar ndoshta ndeshjen e parë në histori me Skënderbeun e Korçës, me rezultatin 1 me 0.
Në vitin 1925, në Vlorë do të vijë ekipi i futbollit i Cernomorets nga Malit i Zi, për tu ndeshur me ekipin e futbollit të Vlorës, ku vlonjatët për herë të parë kishin marrë edhe dy përforcime nga Tirana, ndeshje të cilën do ta fitonin me rezultatin 1 me 0.

Ndeshja e parë me anglezët

Në skelën e qytetit, vinin shpesh edhe anije të flotës tregtare angleze, marinarët e të cilave zbrisnin rrallë nga anijet, për të vizituar qytetin. Mësohet se ata rastësisht, nëpërmjet marinarëve italianë do të mësonin se në qytet kishte një ekip të rregullt futbolli, me të cilin edhe mund të ndesheshin për të kaluar kohën e lirë në qytetin e mërzitshëm, i cili nuk afronte shumë argëtim. Shpikësit e futbollit do të zbrisnin me mendjemadhësi në fushën e sajuar të futbollit në një nga zonat larg qendrës së qytetit të atëhershëm, pa e menduar se do të dilnin të mundur nga ajo ndeshje, e cila ka përfunduar me rezultatin 3 me 2, në favor të vendasve.
Ishte viti 1928 dhe që nga ai vit e ajo ndeshje, anglezët e ndryshëm që vinin me anije në qytet, do të zhvillonin edhe shumë ndeshje të tjera futbolli, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e futbollit të Vlorës.
Në të tilla ndeshje, ekipi i futbollit të shoqërisë sportive “Vlora”do të kishte në përbërje të vet edhe lojtarë cilësorë që vinin nga Tirana e Durrësi, duke e kthyer ekipin gati në një përfaqësuese të Shqipërisë.

Kampionati Kombëtar i Futbollit

Një vit pas themelimit të Federatës së Futbollit, në vitin 1930, do të zhvillohet Kampionati i Parë Kombëtar i Futbollit, në të cilin do të merrte pjesë dhe ekipi i shoqërisë sportive “Vlora” së bashku me Tiranën, Skënderbeun, “Bashkimi shkodran”, Teutën dhe ekipin e Elbasanit.
Në datën 6 prill 1930 do të shënohet dhe ndeshja e parë zyrtare e futbollit të Vlorës, përballë ekipit të Skënderbeut, të cilët vlonjatët e fitojnë 2 me 0 në fushën, ku ndodhet sot ish-shkolla mjekësore. Në kampionatin e parë kombëtar të futbollit, vlonjatët do të renditen në vendin e fundit, duke grumbulluar vetëm 5 pikë, por edhe pse në vendin e fundit, ata do të luajnë përsëri në kategorinë e parë në kampionatin e dytë kombëtar.

Përplasjet e para me arbitrat dhe Federatën

Historia nis në ndeshjen e dytë të kampionatit të dytë kombëtar të futbollit, ku ekipi i futbollit i shoqërisë sportive “Vlora” do të luante në Tiranë përballe Sportklub Tiranës. Vlonjatët do ta humbnin me rezultatin 5 me 1 atë takim, i cili në të vërtet nuk mbahet mend për rezultatin e thellë, sepse Tirana vazhdimisht në histori e ka mundur me rezultate të thella Vlorën, por për incidentin me arbitrin e huaj Hill. Vlonjatët, do të kërkonin një gjykim të drejtë, duke reaguar ashpër në fushë ndaj arbitrit, i cili madje do të qëllohej me grusht nga një futbollist i Vlorës. Ngjarja do të bënte bujë për kohën dhe do ta prishte atmosferën pozitive që kishte nisur të krijonte futbolli në Shqipëri. Ndeshja do të anulohej dhe do të zhvillohej përsëri. Edhe në ndeshjen e fazës së dytë, Tirana do të fitonte përsëri në Vlorë, por përsëri do të kishte pakënaqësi për arbitrimin e ndeshjes, aq sa Federata do të përjashtonte disa lojtarë të Vlorës, për shkak të reagimeve të pahijshme në fushë ndaj arbitrit të ndeshjes.
Ndëshkimet e Federatës, nuk do të priteshin mirë në Vlorë dhe në fillimin e kampionatit të tretë kombëtar, ekipi i Vlorës, nuk do të pranojë të luajë ndeshjen e parë të kampionatit pa u kthyer vendimet e Federatës për përjashtimin e tre lojtarëve të Vlorës.
Në 4 mars të vitit 1932, Federata si kundërpërgjigje të bojkotit të kampionatit të ekipit të Vlorës, do ta përjashtojë ekipin nga kategoria e parë dhe ekipi atë vit do të luajë në Kategorinë e Dytë. Që nga kjo ngjarje, në historinë e ndeshjeve të futbollit midis Tiranës dhe Vlorës, do të kishte gjithnjë përplasje dhe pretendime, kryesisht nga ana e vlonjatëve, për arbitrimin e njëanshëm të arbitrave, në favor të Tiranës, duke sjellë dhe përplasje të vazhdueshme me Federatën e futbollit, përplasje e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ndryshimi i emrit të ekipit

Në mars të vitit 1923, do të krijohet shoqëria sportive “Vlora”, emrin e së cilës do të mbajë edhe ekipi i futbollit, në të gjitha ndeshjet e para, jo zyrtare e zyrtare. Në vitin 1937, ky emër do të ndryshojë, duke u quajtur, ekipi “Ismail Qemali”, në nderim të njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në 22 qershor të vitit 1946, me fillimin e një epoke të re në futbollin shqiptar, ekipi i futbollit do të prezantohet me emrin “Flamurtari”.

Ecuria e Flamurtarit

Në kampionatin e 9-të kombëtar, Flamurtar, do të renditet në vendin e dytë, pasi humbet në finale për vendin e parë, me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës.
Dy vjet më vonë, vlonjatët do të ishin përsëri pretendent për titullin kampion, por do ta humbnin atë, në finale përballë ekipit të Partizanit.
Për herë të parë finalist i Kupës së Shqipërisë, Flamurtari do të jetë në vitin 1960. Kupa e parë për Flamurtarin do të jetë në vitin 1985, kur Flamurtari do të mundte në finale e Kupës së Shqipërisë, ekipin e fortë të Partizanit, me rezultatin 2 me 1. Ishin vitet e arta të Flamurtarit, i cili do të bënte dhe historinë e futbollit Shqiptarë, në arenën ndërkombëtare.
Suksesi i Kupës së Shqipërisë, do të përsëritej edhe dy vjet më vonë, në vitin 1988, në vitin 2009 dhe në 18 maj të vitit 2014, ndërkohë që në vitin 1991, Flamurtari do të fitonte për herë të parë edhe Kampionatin kombëtar të futbollit. Flamurtari do të fitojë dy herë superkupën e Shqipërisë, në vitet 1990 dhe 1991. Kulmet e futbollit të tij, Flamurtari do t’i arrijë në vitet 1980-1990, ku në këtë dekadë, do të shkëlqejë dhe në arenën ndërkombëtare, duke kulmuar me përballjet me Barcelonën e madhe, duke fituar 1 me 0 në Vlorë e duke barazuar 0 me 0, në Barcelonë. Kalimi deri në turin e tretë të Kupave të Europës nga Flamurtari ishte ende një rekord i pathyer nga ekipet shqiptare, tashmë i thyer nga Kukësi që sezonin e kaluar luajti në turin e katërt të Ligës së Europës.

  

Fitimi i Kupës së Shqipërisë

Festa e vitit 1985, Pëllumb Kulla shkruan skeçe

 Ka qenë dhe mbetet një ditë e paharruar 8 shkurti i vitit 1985. Një qytet i gjithi në festë e në lot gëzimi. Flamurtari do të fitonte në Elbasan përballë Partizanit me rezultatin 2 me 1 e do të fitonte për herë të parë në histori, një trofe kombëtar. Qindra vlonjatë kishin udhëtuar më shumë me këmbë sesa me mjete udhëtimi, për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës, në Elbasan, ku zhvillohej finalja, duke u përballuar  me të ftohtin e hidhur të atij shkurti. Lojtarët do të priteshin si heronj në sheshin e Flamurit, ku gëzimi vlonjat ka vazhduar deri në orët e vona të natës, me gjithë rregullat e forta të regjimit. Pritje të tilla në sheshin historik, Flamurtari do ti kishte të shpeshta për vet sukseset e mëdha që arriti në ato vite. Duhej festuar dhe ashtu u bë. Një komision për organizimin e festës me grupet më të mira artistike, u ngrit dhe filloi menjëherë nga puna për përgatitjen e festës.

Qyteti gumëzhinte për festën dhe flitej vetëm për futbollin dhe ekipin e zemrës, Flamurtari. Në pallatin e sportit, brenda dhe jashtë tij, të krijohej përshtypja sikur kishte ardhur i gjithë qyteti. Nuk ishte parë kurrë një festë e tillë, aq popullore dhe aq emocionuese. Artisti i mirënjohur i Vlorës, një nga katër parodistët e Vlorës, Afrim Agalliu, do të kujtojë se, “për festën u angazhuan e u vendosën në dispozicion penat më të mira të humorit, për të krijuar parodi, pantonima e skeçe, të cilat do ti kushtoheshin të gjitha ekipit dhe lojtarëve”. Në vazhdim të kujtimeve të tij, Agalliu do të shtojë se: “Pëllumb Kulla, do të flinte në atë kohë një javë në shtëpinë time sepse nuk kishte kohë dhe se për përgatitjen e materialeve punohej ditën edhe natën, që gjithçka të ishte gati dhe me cilësi, në festën e pallatit të sportit.”

Historia e himnit të Flamurtarit

Sipas gazetarit të mirënjohur sportive Moisi Dalipi, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me historinë moderne e sukseseve të Flamurtarit, shenjat e para të krijimit të një himni të Flamurtarit janë shfaqur që para viteve 1990. Gazetari Dalipi, kujton se, “në dhomat e zhveshjes apo dhe në seancat stërvitore, dëgjoheshin vargje të kënduara nga lojtarë të ndryshëm të Flamurtarit, të cilët gjithsecili sipas mënyrës së vet, pretendonin se duhet të ishin himni i ekipit, por pa e pasur kurrë një himn përfundimtarë”.
Në vitet në vazhdim, ka tentuar kompozitori vlonjat Flamur Laro të krijojë një himn për Flamurtarin, por pa rezultat. Edhe këngëtarja e mirënjohur e Vlorës, e cila nuk jeton më, Anita Bitri, ka tentuar të këndojë një himn për ekipin e futbollit, por pa rezultat konkret. Himni është bërë realitet dhe është ai që këndohet sot, fal këngëtarit vlonjat Viktor Tahiraj.

 Fukarenj në përballjet në Europë

Ekipi i madh i Flamurtarit luante në Europë gati për bukën e gojës. Lojtarët e tij luanin as për më shumë e as për më pak, por për vetëm… 8 dollarë. Kur sapo kishte përfunduar ndeshja në Beograd me “Partizanin” vendas, lojtari i kësaj skuadre, Katanec, do të mbytej në lot jo thjesht për eliminimin që i kishte shkaktuar Flamurtari nga Shqipëria, por për faktin se kishte humbur 8000 dollarë, të premtuara për këtë ndeshje, nëse kualifikoheshin. Shifrën fituese, Katanec, ky emër i madh i futbollit botëror për kohën, ua tha lojtarëve të Flamurtarit, kur këta iu afruan ta ngushëllonin me krenarinë e fituesit, por pa… dollarë në xhep. E njëjta situatë do të përsëritej edhe në Barcelonë, kur futbollistët e Flamurtarit luanin fort për të siguruar një dietë prej 8 dollarësh, kurse lojtarët e Barcelonës për çdo ndeshje shpërbleheshin me 10 apo 15 mijë dollarë. Ndërsa në Finlandë, Kreshnik Çipi, do të shkonte me këpucë të grisura dhe u vonua në dhomat e zhveshjes për minuta të tëra, me qëllim që arbitri të mos e mësonte një realitet të tillë, sepse mund ta pezullonte nga ndeshja. Në Austri, në vitin 1980 mediat e këtij shteti demokratik, i cili ishte kundër një regjimi diktatorial si Shqipëria, do të mbushnin faqet e gazetave me tituj mbi varfërinë e shqiptarëve. Kur ekipi u kthye nga Polonia pas ndeshjes me “Leh Poznan”, agjentët e sigurimit kontrolluan të gjithë ekipin dhe pasi gjetën disa orë të padeklaruara përjashtuan nga ekipi, gati gjysmën e lojtarëve, midis të cilëve, Vasil Rucin, Petro Rucin, Alfred Zijain, Rrapo Tahon etj.. Dhe përse vetëm për disa ora elektronike, të cilat në Europë ishin fare të lira, por për Shqipërinë dhe shqiptarët e atyre viteve, ishin një mollë e ndaluar dhe njëkohësisht “prodhime të vendeve kapitaliste të prodhuara nga shtypja e klasës punëtore”, si shprehej asaj kohe regjimi komunist.

 Biografia bënte kërdinë

Biografia bënte kërdinë. Portieri Luan Birçe dhe lojtarë si Alfred Ferko, Afred Zijai, Vasil Bifsha, Kreshnik Çipi, Vasil Ruci, Agim Bubeqi dhe ndonjë tjetër, do të ishin vazhdimisht të survejuar dhe të përndjekur nga ekipi për shkak të biografisë apo luftës së klasave. Në Barcelonë, shtypi spanjoll do të shkruante gati me përbuzje se “Ekipi i fukarenjve mundi ekipin e miliarderëve”, për faktin e thjeshtë dhe tronditës se, lojtarët e mëdhenj të Flamurtarit e kishin pagën 2 apo 3 dollarë. Ishte e paimagjinueshme për Shusterin, Hjuxh apo Lineker, që të besonin se ata lojtarë që ju bënin qëndresë dhe u rrezikonin kualifikimin apo mijërat e dollarëve, paguheshin vetëm 2 dollarë. Dhe për ironi të fatit, kur dilnin jashtë Shqipërisë, “komisarët e partisë” nuk u ndaheshin.

Por jo vetëm kaq. Në Ministrinë e Jashtme i këshillonin dhe u bënin presion që të mos provokoheshin edhe nëse ju jepnin dollarë apo dhurata të ndryshme.

 Heronj për popullin, armiq për partinë

Ishin vitet, kur politika komuniste edhe ndeshjet e futbollit i kthente në përplasje politike, sistemesh edhe pse ishte thjesht një lojë futbolli.

E tillë ishte situata edhe përpara ndeshjes me Partizanin e Beogradit në Vlorë, por edhe ndeshja e kthimit atje. Ndërsa në Vlorë, situata politike ishte e ndezur, në Beograd, sipas kujtimeve të ish-futbollistëve të mëdhenj, situata ishte e qetë dhe aspak armiqësore. Ndërsa në Vlorë, flitej më shumë për fitore politike dhe jo fitore në futboll apo nuk flitej më për fushatën e korrje-shirjeve, por vetëm për Flamurtarin dhe detyrën e madhe kombëtare që ka ky ekip për të mundur armiqtë e kombit, në Beograd, flitej për futboll, për objektiva kualifikimi. Ndërsa në Vlorë, e gjithë infrastruktura komuniste ishte hedhur në sulm, duke rregulluar rrugë, lulishte, stadium dhe shatërvanë apo dhe hedhur në treg pak më tepër se zakonisht ushqime e veshmbathje, në Beograd, “armiqtë e kombit”, përgatiteshin për një ndeshje thjesht të radhës. Çfarë do të kishte ndodhur me ekipin e madh dhe lojtarët e atij ekipi, nëse do të eliminoheshin nga Partizani i Beogradit? Ndoshta do të ishin shpallur të gjithë tradhtarë apo armiq e do të dënoheshin. Por edhe pse u kualifikuan dhe realizuan detyrën e madhe kombëtare, ekipin e madh, në kufi, në Han të Hotit, e prisnin kontrollet policore dhe agjentët e sigurimit të shtetit. Në kujtimet e veta, një ish-futbollist i Flamurtarit, do të kujtojë se në kufi doganierët ndaluan autobusin dhe u treguan një urdhër për kontroll nga lart. Kaq u desh, dhe pa na uruar për kualifikimin në Beograd, i zbritën nga autobusi, i zhveshën, ndërkohë që nuk harruan të çmontonin edhe sediljet Tahos, Ziajt, Cipit, e ndonjë tjetri u morën nga një televizor, dhuratë nga kosovarët, të cilët ju kishin rezervuar një pritje madhështore, edhe pse atyre nuk u lejohej një gjë e tillë nga jugosllavët. Gjithçka ndodhte kur në Shkodër një popull i tërë priste në qendër të qytetit, që të kalonte autobusi i ekipit të madh apo dhe në Vlorë, mijëra vlonjatë ishin përgatitur të kalonin një natë pa gjumë për të pritur heronjtë e vet. Por qëllimi i regjimit ishte gati ta çnderonte famën e ekipit, t’i përbuzte lojtarët kampion, sepse Partia nuk lejonte që dikush të ngrihej më shumë mbi emrin e saj në popull.