Kupa “shtrëngon rripat” për Kampionatin

548
Sigal

OPINION/ Ja pse në vazhdimësi të sezonit, Kupa e Shqipërisë fut në lojë edhe Superligën

Pritshmëria e skuadrave gjysmëfinaliste në Kupën e Shqipërisë, pas ndeshjeve të fundit në grupe, duket sikur u sos, por nëse këtë kompeticion do ta shohim më gjerë dhe në traditën e saj, tashmë pritet që në vazhdimësinë e Superiores të kemi më shumë “rripa të shtrënguar”, por edhe tolerime nga skuadra të veçanta. Pse? Sepse Flamurtari dhe Teuta që dolën jashtë kësaj kupe, do të kërkojnë që të kapin vendin e dytë ose të tretë në renditjen e Kampionatit, për të shpëtuar sezonin, duke menduar se këto vende në renditje të çojnë sezonin e ardhshëm në Europë. Pra, të dyja këto skuadra me pretendime të përvitshme në futbollin tonë elitar, do të ndezin më shumë luftën e kreut, duke qenë të ndërgjegjshme se aty do të ndeshin edhe me “viruset” e zakonshme që ka futbolli ynë, që kryesisht ndodhin në skuadrat të cilat i kanë humbur pretendimet e tyre të sezonit. Por, si Teuta ashtu edhe Flamurtari e dinë mirë se që të kapin këtë objektiv do t’u duhet që të ndeshen me Tiranën e Vllazninë, duke mos nënvleftësuar edhe Kukësin debutues, çka do të thotë se kundërshtarët tashmë për durrsakët e vlonjatët do të jenë edhe më të shumtë, nga ana tjetër, edhe më të egër. Në llogaritë e këtyre skuadrave do të hyjnë të gjitha të tjerat, edhe ato që kanë dalë realisht nga Superiorja, siç janë Tomori e Apolonia, por edhe ato të “mesit të artë” në renditje, tek të cilat mundësitë e tolerimeve janë edhe më të mëdha. Kësisoj, në sofrën e Superiores do të riluhen trukimet, që në futbollin tonë bëhen nga presidentët e skuadrave. Kupa dhe Kampionati do të jenë dy pazaret më të shtrenjtë që do ta bëjnë tregun mes skuadrave më shumë se vulgar. Seicili prej tyre ka filluar të vuajë nga “pagjumësia e aleancave”, që në gjuhën më të thjeshtë do të thotë nga pagesat ekstra që duhet të bëjnë për të kapur objektivat e tyre. Nëse në kreun e renditjes këto pagesa do të jenë paksa më të ulëta, për skuadrat si Besa, Shkumbini e Luftëtari ndoshta do të jenë shumë më të larta. Sepse këto janë skuadra që direkt nuk mund të mposhtin kundërshtarë më të fortë, ndërkohë që një “thes me lekë” e kalon çdo situatë. Realisht, nuk po flasim si në ëndrra, por duke ju referuar historisë të sezoneve të kaluara, mes të cilëve Shqipëria e futbollit ka përcjellë 97 ndeshje të trukuara. Është kjo histori që do të “shtrëngojë rripat” e Kampionatit, edhe për arsyen tjetër se në Kupë janë ende në lojë katër skuadra, mes të cilave vetëm Skënderbeu duket se e ka arritur njërin objektiv të sezonit. Le të nisim këtë udhëtim që në javën e 18-të të Superiores, ku Kukësi do të ndeshet me Laçin, të dyja skuadra të kualifikuara në gjysmëfinalet e Kupës, njëherësh edhe me renditje të mira në Kampionat që kërkojnë një vend në zonën e Evropës. Fitorja e kuksianëve mbyll në një farë mënyre aludimet për përballjet e mëtejshme në Kupë, pasi do të ndeshen pas hedhjes së shortit të lirë, por nëse laçianët dalin qoftë edhe me 1 pikë nga Kukësi, aty do të vëmë vijën e startit të kompromiseve për sezonin 2012-2013. Ndryshe duhet të ndodhë në Vlorë, ku Flamurtari duhet të shtrëngohet fort me Teutën, sepse nuk do të jetë ajo e Kupës. Por, edhe këtu mund të kenë nisur prapavijat e tolerimeve, duke futur në lojë skuadrat e tjera që këto do të ndeshen deri në fundin e sezonit. Ta quajmë këtë një paralajmërim apo një hipotezë, këto radhë nuk do të mbeten pa vlerë nëse e ndjekim në ritmikë këtë lojë historikisht sunduese në këtë periudhë të sezonit. Të shohim!