Olsen: “Kujdes nga shqiptarët, Të pickojnë si mushkonjat!”

576
Sigal

Trajneri i Norvegjisë nxeh sfidën me 22 marsit: “Shqipëria, më e fortë se çdo ta doja!”

“Shqipëria është pak më e mirë sesa unë do ta dëshiroja!”. Deklarata është e trajnerit të Kombëtares së Norvegjisë, Egil Olsen, i mbiquajtur “Grillo” nga mediat nordike. Olsen zbardhi listën e 22 lojtarëve të tij për ndeshjen kundër Shqipërisë, më 22 mars në stadiumin Ullevaal, në Oslo. Trajneri Olsen beson se, Norvegjia i ka të gjitha shanset për të shkuar në finalet e Kupës së Botës, por tekniku e tha qartë se më përpara duhet të mposhtë Shqipërinë, në një ndeshje që sipas tij, nuk është aspak e lehtë. “Basti që unë kam vendosur është pjesëmarrja në “play-off”. Mund të gjendemi ne pozitë edhe më të keqe, por ne mund të fitojmë gjithashtu dhe grupin. Këtë mund ta arrijmë në se fitojmë ndeshjet e mbetura dhe nuk mundemi nga Zvicra në shtëpi. Ne kemi një rezultat perfekt në shtëpi, kështu që i kemi të gjitha shanset”. Egil Olsen prezantoi skuadrën që do të përballet me Shqipërinë, në stadiumin “Ulleval”, të martën e 22 marsit. Kristian Grinhejm është rikhyer në Kombëtare, i huazuar te danezët e Valerengës. Norvegjia nuk do të ketë në dispozicion dyshen Daniel Braten dhe Espen Ruud, që të dy të pezulluar. “Shqipëria, fatkeqësisht është pak më e mirë sesa unë do ta dëshiroja. Ata kanë lojtarë që luajnë në kampionate të mëdha dhe asnjë nga kampionati vendas. Normalisht, ne do t’i mundim ata, por ta dini se ata nuk janë “mushkonja”, – tha Olsen gjatë konferencës së tij për shtyp dhe të cituara gjerësisht nga mediat norvegjeze. Tekniku historik i skuadrës skandinave nuk ka përdorur shumë diplomaci për të përshkruar kuqezinjtë me të cilët do të përballet pas dy javësh. “Kanë një kapacitet të madh në fazën mbrojtëse por kalojnë shpesh edhe në konfuzion që është edhe dobësia e tyre e madhe. Shqipëria është një skuadër të cilës i intereson shumë pak mbajtja e topit. Kanë një kapacitet të madh në lojën mbrojtëse, ku mund të qëndrojnë mirë edhe nën një intensitet të lartë. Por janë edhe pak konfuzë gjë që është pika e tyre e dobët. Në sulm kanë lojtarë me kapacitete të mira në dribling, ashtu si edhe shpejtësi. Lojtarët e tyre luajnë në disa kampionate të mëdha evropiane” është vlerësimi i Olsenit për Shqipërinë. Në foltoren anti-Shqipëri u ngjit edhe ndihmëstrajneri Ola By Rise, duke ruajtur të njëjtën linjë deklarimesh: “Shqipëria është një skuadër me e mirë sesa mund të mendojnë njerëzit. Ndonjëherë kemi nevojë ta themi këtë, pavarësisht ulje-ngritjeve që kanë pasur. Ne nuk duhet të kemi frikë prej tyre, por Shqipëria e kanë thënë deri tani fjalën e saj. Ata kanë pesë lojtarë që luajnë në Itali (Cana, Ujkani, Bogdani, Cani, Hysaj), katër në Gjermani dhe disa të tjerë në vende të tilla si Ukraina, Polonia, Zvicra dhe Kina. Futbollistët e tyre aktivizohen me klube të mëdha dhe kanë kohë që luajnë së bashku”, – tha By Rise. I pyetur, nëse kishin konstatuar pikat e dobëta të Shqipërisë, Rise u përgjigj: “Po, ne dimë plot të tilla, por dobësitë do t’ua paraqesim lojtarëve tanë, kur skuadrës të grumbullohet. Është taktikisht budallallëk të bësh të ditura dobësitë e mundshme të kundërshtarit, pasi atëherë do të ishte për ta më lehtë t’i korrigjonin ato. Gjithsesi, ne u kemi gjetur disa dobësi. Sigurisht, nuk është Barcelona, por Shqipëria është ajo që ne do të përballemi. Ne e respektojmë, por na duhet ta provojmë veten në fushë, duke mos e menduar aspak si një ekip të vogël. Ne i kemi parë disa ndeshje të tyre dhe do t’i analizojmë me kujdes së bashku me lojtarët”.  Në fakt, Norvegjia ka nëntë lojtarë që luajnë në kampionatin vendas dhe kjo nuk është një gjë e mirë, sipas tyre. Vetëm një javë kampionat do të luhet para ndeshjes me Shqipërinë. “Ne kemi gjysmën e skuadër që luan në shtëpi. Nuk janë në gjendje të mirë fizike. Do të ishte më mirë që t’i kishim grumbulluar lojtarët për një kohë më të gjatë”, – tha Olsen. Shqipëria dhe Norvegjia janë takuar dy herë midis tyre, për kualifikueset e Euro 2000: 2-2, në Oslo (14 tetor 1998: për Shqipërinë shënuan Bushi dhe Tare, përpara se norvegjezët me dy gola në minutat e fundit), ndërkohë që takimin e Tiranës humbëm 2-1 (më 5 qershor 1999, goli i Tares për Shqipërinë). Në të dyja takimet trajner ishte Astrit Hafizi.