Kupa e Shqipërisë në not, rivalitet mes më të mirëve

591
Sigal

Starton sot në “Akuadrom”-in e Tiranës “Kupa e Shqipërisë 2014” e organizuar nga Federata e Notit

Starton sot Kupa e Shqipërisë 2014 e organizuar nga Federata Shqiptare e Notit me president Z.Agim Çiraku. Aktiviteti është i ndarë në dy ditë, 29-30 korrik 2014. Aktiviteti do të zhvillohet pranë kompleksit te pishinave “AKUADROM”, në pishinën e hapur 50-metërshe me 8 korsi dhe pritet të krijojë një atmosferë të mrekullueshme sportive dhe me gara të forta, e me theks të dukshëm rivaliteti e entuziazmi. Kupa e Shqipërisë vjen menjëherë pas përfundimit me sukses të Kampionatit për Fëmijës (2-3 korrik 2014), ku u vendosën 14 rekorde të reja kombëtare. Në Kupën e Shqipërisë 2014 do të marrin pjesë notarë të teseruar në ekipet e federuar pranë Federatës Shqiptare te Notit. Në aktivitet do të marrin pjesë notarë nga ekipet: Te Stela, Uilson, Nobis, Partizani, Tirana Suiminig, Shoqata e Sporteve të Ujit (nga qyteti i Tiranës), Teuta Suiming (Durrës), Teuta, Tornado (Durrës), Vllaznia (Shkodër), Shoqata Jon (Vlorë), etj.  Gjithashtu, mund të marrin pjesë sportistë nga Federata e Notit e Kosovës si edhe sportiste te federatave anëtare të LEN (Federata Europiane e Notit) dhe FINA (Federata Botërore e Notit), por pa të drejtë kualifikimi. Matja e garave do të jetë manuale, nga trupa e gjyqtareve, e akredituar pranë FSHN-së. Sipas FSHN-së, për reklamime eventuale nga ana e personave të ngarkuar nga ana e ekipeve, të cilët me pare duhen të jene të akredituar pranë federatës, komunikimi behet vetëm me kryegjyqtarin e veprimtarisë, i cili i merr vendimet konform rregulloreve të miratuara të FSHN-së. Për çdo gare ekipet do të përfaqësohen vetëm nga tre notare, te cilët regjistrohen në Federatën Shqiptare të Notit dhe nuk mund të ndërrohen apo të zëvendësohen me të tjerë pasi ka përfunduar mbledhja e Komisionit Teknik. Notarë të tjerë të ekipeve mund te marrin pjese vetëm jashtë gare dhe rezultatet e tyre nuk konsiderohen në klasifikimin ekipor. Çdo notar mund të zhvilloje deri në 4 gara individuale dhe 3 ekipore. Notaret do te vlerësohen për klasifikimin ekipor duke u bazuar ne normat e te rriturve, sipas pikëzimit që vijon: 10 pikë – vendi i parë; 8 pikë – vendi i dytë; 6 pikë – vendi i tretë; 5 pikë – vendi i katërt; 4 pikë vendi i pestë; 3 pikë – vendi i gjashtë; 2 pike vendi i shtatë dhe 1 pikë për vendin e tetë. Do të bëhet klasifikimi ekipor, do të jepen titujt e kampionit dhe vendeve të nderit, të dyte e të tretë. Për notarin dhe notaren me të mire të veprimtarisë, do të jepet kupa e notarit me te mire, bazuar në shumën e pikëve FINA që secili notar do të mbledhë në katër garat individuale, në të cilat ai do të marrë  pjese. Në klasifikimin përfundimtar individual, vendi i dytë dhe i tretë do të nderohet me medalje. Për çdo garë fituesit e tre vendeve të para do të nderohen me diplomën përkatëse, ku do të pasqyrohet rezultati i arritur. Në përfundim të takimit do të bëhen vlerësimet e veprimtarisë dhe do të ndahen çmimet për notarë dhe ekipe, për garat e zhvilluara, ku do te marrin pjesë të gjithë pjesëmarrësit e takimit, notarë, trajnerë gjyqtarëve, etj..

 ORARI I GARAVE

Garat do të zhvillohen më datë 29 e 30 korrik 2014, sipas këtyre orareve

 PARADITE

09:00-10:00     Nxehje

10:00-12:30     Garat

MBASDITE

16:00-17:00     Nxehje

17:00-19:00     Garat

PIKËZIMI

10 pikë    vendi i parë

8 pikë     vendi i dytë

6 pikë     vendi i tretë

5 pikë     vendi i katËrt

4 pikë     vendi i pestë

3 pikë     vendi i gjashtë

2 pikë     vendi i shtatë

1 pikë     vendi i tete

AKTIVITETET E FEDERATËS SË NOTIT

14 rekorde në Kampionatin për Fëmijë

 Me 14 rekorde të reja kombëtare përfundoi Kampionati Kombëtar për Fëmijë deri në moshën 14 vjeç, i zhvilluar më 2-3 korrik 2014, në pishinën olimpike 50m të hapur me tetë korsi të kompleksit te pishinave “Akuadrom” në kryeqytet. Në kampionat morën pjesë mbi 200 notarë, të cilët përfaqësonin 12 skuadra, përfshirë edhe një ekip nga Kosova (konkurroi jashtë gare). Gara ta forta në pishinë e festë entuziaste në përfundim të aktivitetit. Ekipi më i mirë si për femra ashtu dhe për meshkuj doli Akademia e Notit “Te Stela”: 550 pikë për femra dhe 525 për meshkuj. Fituesve kupën e aktivitetit ua dhuroi Presidenti i Federatës Shqiptare te Notit, z.Agim Çiraku  dhe sekretarja e Përgjithshme, znj. Suela Haxhija

Sportistët më të mirë sipas kategorive, në bazë dhe të pikëve FINA të grumbulluara nga garat zhvilluara nga notarët u shpallën: Kategoria A: për femra Diana Basho (Tirana) me 1964 pikë FINA dhe për meshkuj Aleksandër Ngresi (Teuta Suiming) me 1841 pikë FINA. Kategoria B: për femra Ledia Allaraj (Partizani) me 1547 pikë FINA dhe për meshkuj Bianti Danaj (Shoqata Jon) me 303 pikë FINA. Kategoria C: për femra Sonja Kapedani (Tornado) me 1151 pikë FINA si dhe për meshkuj Laert Selimi (Tirana) me 762 pikë FINA. Rekordet për femra u vendosën nga Sonja Kapedani (Tornado, 3 rekorde); Ledia Allaraj (Partizani, 2 rekorde); Korina Basho (Tirana, 1 rekord) ndërsa për meshkuj nga Bianti Danaj (Jon Vlorë, 2 rekorde); Aleksandër Ngresi (Teuta Suiming, 2 rekorde), Enea Gjoka (Teuta, 1 rekord), si dhe dy rekorde në stafetë për meshkuj nga Teuta Suimming (4x100m stil i lirë dhe 4×200 stil i lirë).