Kukësi nis stërvitjen, 2 titullarë trembin trajnerin Milinkoviç

555
Kukësi mori një goditje të rëndë me humbjen 1-2 në shtëpi ndaj Skënderbeut, gjë që ka lënë pasoja në aspektin psikologjik dhe moral te lojtarët. Por, përveç kësaj ndryshime, ka pasur edhe në tabelën e klasifikimit, pasi korçarët janë tri pikë përpara. Menjëherë mbas ndeshjes, presidenti Gjici thirri në mbledhje stafin teknik, të cilëve u kërkoi llogari për humbjen dhe për lojën e keqe, si dhe për statusin e disa lojtarëve, e në veçanti të Alijevit, i cili nuk është zhbllokuar akoma.
Numri një i klubit ka kërkuar 9 pikë në tri takime dhe, kthesa duhet të vijë duke filluar nga transferta me Lushnjën në “Roza Haxhiu”.
SITUATA – Sfida ndaj Lushnjës në pamje të parë duket e largët, por koha në dispozicion e trajnerit Milinkoviç, nuk është shumë e gjatë. Pas dy ditëve pushim, verilindorët kanë dalë dje në stërvitje dhe para nisjes së saj, trajneri Milinkoviç u kërkoi futbollistëve ta harrojnë humbjen ndaj Skënderbeut, pasi ishte e vështirë për të gjithë, ndaj duhet të vijë kthesa në takimin e radhës. Por, për këtë duhet që çdo lojtar të japë maksimumin e tij.
MUNGESAT – Por, trajneri është i shqetësuar, pasi dje në stërvitje nuk kishte plot 5 lojtarë. Përveç Koliçit dhe Musollit që janë të angazhuar me Kombëtaret respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, munguan Elis Bakaj, Albi Alla dhe Ervis Koçi. Mësohet se Alla ka qenë me temperaturë të lartë ndaj ka munguar. Mbrojtësi është sëmurë nga virozat dhe trajneri pret që të kthehet sa më shpejt. Mungesa tjetër e rëndësishme në stërvitje ishte dhe Elis Bakaj, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen me Egnatian në Kupën e Shqipërisë para 10 ditësh dhe duket se ende nuk është rikuperuar. Bakaj luajti vetëm pjesën e parë në sfidën e së hënës kundra Skënderbeut dhe nga dhimbjet kërkoi zëvendësim. Bakaj po bën terapi dhe shumë shpejt do rikthehet. Gjithsesi, fjala e fundit i takon stafit mjekësor të vendosë për sulmuesin. Ndërsa Koci ka marrë leje në klub për shkaqe familjare.
Sigal